Nëse nuk fitoj, përshëndetem me politikën

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, do të sakrifikojë pozitën ministrore për partinë. Ai për televizionin NOVA ka pohuar se Aleanca për Shqiptarët është detyruar të ofrojë kandidat për kryetar të komunës, sepse nuk arriti të merret vesh me partitë më të vogla, ndërsa si kandidat më të përshtatshëm për kryetar të Gostivarit, partia ka vlerësuar se është pikërisht Taravari. Për këtë arsye, Taravari do të tërhiqet nga funksioni ministër i Shëndetësisë, por Aleanca do të kërkojë të mbajë resorin e Shëndetësisë dhe do të insistojë që në mbledhjen e parë pas zgjedhjeve lokale të emërohet ministri i ri nga e njëjta parti. Nëse nuk e fiton pozitën e kryetarit të Komunës së Gostivarit, Taravari paralajmëron se do të përshëndetet me politikën. “Nuk ka anëtar tjetër të partisë sonë që do ta kandidonim për kryetar të komunës. Kemi shpresuar se do të kemi marrëveshje me ndonjërën prej partive më të vogla, por nuk arritëm të merremi vesh. Nëse nuk e fitojmë vendin e kryetarit të komunës, do të përshëndetem me politikën dhe do të mbetem të punoj si mjek, ndërsa do të kem edhe më shumë kohë për familjen”, ka deklaruar Taravari për NOVA.  Ai shpjegoi se deri në zgjedhjet lokale do të kryejë funksionin e ministrit të shëndetësisë, do të vijë çdo mëngjes në ministri, ndërsa detyrat e punës do t’i ndajë me zëvendësministrin dhe me sekretarin shtetëror. “Do të realizoj detyrat e punës së bashku me zëvendësin tim dhe me sekretarin shtetëror për qytetarët të mos ndjejnë asnjë mungesë. Gjatë kohës së fushatës dhe kur do të përfundojnë zgjedhjet lokale do të zëvendësohem nga dikush tjetër. Ne do të kërkojmë që ministri i ri të jetë nga radhët e Aleancës, kuptohet nëse arrijmë të merremi vesh”, ka thënë Taravari. Ai ka paralajmëruar se me ardhjen e ministrit të ri përbërja e kabinetit do të mbetet i njëjtë, ndërsa nuk do të ketë ndërrime të reja në vendet e drejtorëve dhe turbulenca të reja në shëndetësi.