Nëse nuk dorëhiqet, Zvërlevski do të shkarkohet

Shumica parlamentare mendon që ta fillojë seancën e kuvendit për shkarkimin e prokurorit shtetëror publik, Marko Zvërlevskit, nëse vetë ai nuk jep dorëheqje nga funksioni. Social-demokratët e konfirmuan këtë informatë për TV21. “Nëse Zvërlevski vetë nuk jep dorëheqje, atëherë, do të shfrytëzojmë variantin për ta shkarkuar atë përmes propozimit nga ana e qeverisë, i cili do të dorëzohet deri te Këshilli i prokurorëve publikë dhe deri te Kuvendi. Do të presim që të mbarojë fundjava dhe në qoftë se ai vetë nuk jep dorëheqje, do të shqyrtohet edhe kjo mundësi”, nga LSDM. Propozimin për shkarkimin e tij do ta mbështesë edhe Aleanca për Shqiptarët. “Presim që Marko Zvërlevski vetë të japë dorëheqje. Nëse nuk ndodh kjo, do ta mbështesim propozimin për shkarkim të tij. Reformat në gjyqësi duhet të fillojnë në Prokurorinë shtetërore publike”, nga Aleanca për Shqiptarët. Edhe përgjigja, të cilën e morëm nga partia Besa, gjithashtu paralajmëron mbështetjen për ndryshimin e prokurorit publik. “Angazhohemi që të fillojnë reformat serioze në sistemin gjyqësor dhe të kthehet shteti i së drejtës. Në këtë drejtim, BESA do ta mbështesë procesin e reformave në gjyqësi dhe në sistemin juridik”, nga Lëvizja BESA. Edhe nga partia e Stevçe Jakimovskit, e cila është në koalicion me VMRO-DPMNE, thonë se ka një tentim për t’u partizuar prokuroria. “Ne, nga partia GROM, pyesim se a dëshiron Zoran Zaev të paraqitet si Katica Janeva e re me arsyetim për reforma në gjyqësi, që të instalojë prokurori partiake dhe gjyqësi partiake, që do t’i sigurojnë atij amnisti , ndërsa kundërshtarët politik do t’i  heqë nga skena politike”, u shpreh Lupço Prenxhov nga GROM. Zvërlevski erdhi në krye të prokurorisë shtetërore publike në vitin 2013, pasi që mori dritë jeshile nga VMRO-DPMNE. Mandati i tij skadon në vitin 2019. Para skadimit të mandatit, neni 67 i Ligjit për prokurori publike, thotë:

LIGJI PËR PROKURORI PUBLIKE TË RM-së:

Neni 67

(2) Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë shkarkohet nga posti i prokurorit publik para skadimit të mandatit:

– për shkak të kryerjes së detyrës në mënyrë të paligjshme,  jo në kohë dhe në mënyrë jo profesionale

– nëse me sjelljen dhe veprimin e tij, ka treguar se nuk është i aftë për ta kryer funksionin

– nëse nuk dorëzon kërkesa për ngritje të procedurës penale për raste të paraparë me ligj

Por, para se të arrijë deri te Kuvendi propozimi për shkarkimin e tij, Qeveria duhet që të marrë mendim  edhe nga ana e Këshillit të prokurorëve publik. Ish prokurori publik, Jovan Tërpenovski thotë se ky mendim nuk është i patjetërsueshëm dhe se duhet të mendohet për zgjedhje të prokurorit të ri shtetëror publik. “Nëse Qeveria propozon shkarkim të prokurorit publik, kjo do të thotë fillim të reformave me zgjedhjen e personit i cili ka kualitete morale, i cili do të ketë sjellje profesionale, i cili do ti respektojë Kushtetutën dhe ligjet. Për këtë shkak, mendoj se tani është koha  për një ndryshim të tillë, sepse në këtë mënyrë do të mundësohet që të veprohet në pajtim me ligjin dhe që të sillen vendime objektive  nga ana e prokurorëve publik”, tha Jovan Tërpenovski, ish Prokuror Publik. Marko Zvërlevski gjatë viteve të kaluara ishte i kritikuar nga partitë, por edhe nga një pjesë e ekspertëve, për veprim në mënyrë të selektuar, por edhe për mos veprim. Vërejtja e fundit ka të bëjë me lëndën për dhunën në kuvend që ndodhi më 27 prill. Vërejtje negative kishte edhe në raportin e Komisionit Evropian, ndërsa mangësi të konsiderueshme në këtë sferë, identifikoi edhe përfundimi i Rajnhard Pribe-së.