Barcelonës i duhet edhe një mrekulli për të arritur në gjysmëfinale. Humbja e thellë prej 3:0 nga Juventusi, mund të jetë fatale për katalanasit që do ta kenë të vështirë ta rikthejnë rezultatin pas një jave në Camp Nou. Kapiteni i Barçës, Adnres Iniesta ka paralajmëruar bashkëlojtarët e tij se me një paraqitje si ajo e mbrëmshmja nuk ka gjasa që të përmbyset rezultati, ashtu siç kishin bërë ndaj Paris Saint-Germain, transmeton KosovaPress. “Luajtëm dobët sidomos në pjesën e parë”, ka thënë Iniesta për TV3. Në të dytën kemi bërë më shumë dhe kemi merituar të shënojmë një gol, që do të na ndihmonte për ndeshjen e kthimit. Nuk bën të jemi pesimist ashtu siç ndiheshim ndaj Parisit, por edhe njëherë kemi një mal për të kaluar nëse kërkojmë më shumë. Nëse i bëjmë gjërat si duhet kemi ende gjasa. Nëse jo, do ta kemi të pamundur të kualifikohemi”, deklaroi Iniesta.