Milani humbi me rezultatin minimal 1-0 finalen e Superkupës së Italisë përballë Juventusit, por mungesa e përdorimit të VAR-it në të paktën dy raste në favor të kuqezinjve, ka irrituar pa masë edhe trajnerin Gattuso.
Në përfundim të takimit, trajneri i Mialnit nuk i kurseu elozhet për lojtarët e tij, por në të njëjtën kohë u kujdes që të përcjellë një mesazh të rëndësishëm për klasën e arbitrimit në Itali, që edhe këtë herë u bë protagoniste në favor të Juventusit.
“Duhet t’u bëj komplimente lojtarëve të mi, që dhanë gjithçka, madje edhe më tepër sesa mundeshin, duke vënë në vështirësi Juventusin. Kishim për të ngjitur një mal, por episodet janë aty dhe i patë vetë të gjithë. Nëse kemi VAR-in, nuk e kuptoj pse nuk përdoret. Në fund të fundit, teknologjia u thirr për të shuar polemikat dhe jo për t’i shtuar më tepër”, tha Gattuso.
Gonzalo Higuain u la në stol nga Gattuso, për t’u hedhur në fushë gjatë pjesës së dytë, në një ndeshje që mund të jetë e fundit e sulmuesit argjentinas, me fanellën e Milanit, ndërsa trajneri i kuqezinjve shpjegon vendimin pse nuk e aktivizoi nga fillimi.
“Gonzalo kishte temperaturë 38.5 dhe pavarësisht përpjekjeve të mëdha, nuk mund të rrezikonim duke e aktivizuar nga fillimi. Kur erdhi Princi për foton zyrtare, isha unë ai që vendosi për të mos ardhur Higuain, pasi nuk doja të më infektonte lojtarët e tjerë. Nuk e di nëse ishte ndeshja e tij e fundit, par më lini të mendoj për ndeshjet në vijim”, tha trajneri i Milanit.