Nëse jo në kampionat, Shkëndija do të tentojë të ndalë Vardarin në Kupë

Bujar KURTAJ

Shkup, 29 shkurt – Dy rivalët e mëdhenj në garën për titullin e kampionit Vardari dhe Shkëndija do të përplasen sërish, por kësaj radhe këto dy ekipe do të luftojnë në garën për trofeun e Kupës së Maqednisë. Me fillim në ora 14.00 në stadiumin “Telekom Arena” Vardari dhe Shkëndija do të zhvillojnë ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë. Sigurisht se të dyja ekipet e dëshirojnë trofeun e Kupës, andaj pritet që dy në të dyja përballjet futbollistët e të dyja ekipeve, të ofrojnë futboll cilësor.  Humbja në kampionat nuk ka dyshim se ka ndikuar keq në mesin e futbollistëve, andaj ata paralajmërojnë të kompensojnë dështimin e së dielës, ndërsa në Shkup vijnë për të marr rezultat pozitiv që pastaj në Tetovë, të kërkojnë kualifikimin. Kështu mendon edhe njëri prej organizatorëve të lojës së skuadrës tetovare Armend Alimi.

“Humbja e së dielës sigurisht se na ka goditur, mirëpo jeta vazhdon dhe ne duhet të shikojmë përpara që me suksese të kompensojmë atë dështim. Tani na pret ndeshja e Kupës, janë në lojë dy takime dhe ne do të kërkojmë të marrim më të mirën që mundemi. Duhet të mos mendojmë për atë që kaloj, të koncentrohemi të japim më të mirën nga vetja në atë që pason. Me rëndësi në ndeshjen e parë në Shkup të marrim rezultat pozitiv, që pastaj në Tetovë të kërkojmë kualifikimin në finale të Kupës”, deklaroi për gazetën KOHA, Armend Alimi.

Ndryshe, kjo përballje është shpallur përsëri me rrezik të lartë, derisa vazhdon ndalesa për grupin e tifozëve “Ballistët” që në mënyrë të organizuar të përkrahin ekipin e tyre, prandaj skuadra e Shkëndijës edhe në këtë ndeshje nuk do të ketë përkrahje nga shkallët e stadiumit.  KF Vardar, e cila është organizatore e kësaj përballje, në faqen e saj zyrtare ka informuar se biletat për tribunën lindore në shitje do të dalin sot (e mërkurë) nga ora 10 e deri më 13.45.

Ndërkohë, përballja e dytë gjysmëfinale do të jetë ajo mes Bregalnicës dhe Pelisterit, nikoqir i përballjes së parë do të jetë skuadra nga Shtipi.