Shkup, 11 nëntor – Rizgjedhje të përgjithshme të gjykatësve në Maqedoni pas 11 dhjetorit, paralajmëroi në konferencë për shtyp lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. “Asnjë gjykatës më nuk do të lejojë të dënojë njerëz të pafajshëm. Asnjë gjykatës nuk do të guxojë të montojë procese gjyqësore dhe asnjë gjykatës as që do të mendojë të punojë për kriminelë, për shkak se kriminelët do të jenë aty ku e kanë vendin…”, tha Zaev. Ai shtoi edhe se ka individë në gjyqësi të cilët me dinjitet e mbrojnë drejtësinë, për çka, siç tha, kanë pasoja. “Me rizgjedhjen në gjyqësi, politikanët, pushteti ekzekutiv do të duhet t’i tërheq kthetrat nga gjyqësia. Rizgjedhja do të ndodh sipas kritereve që veçmë në disa vende japin rezultate të dukshme”, theksoi Zaev. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me parashtrimin e listave për kandidatë për deputetë, Zaev ka shprehur bindje se do të sigurohen të gjitha dokumentet dhe se kompletimi i listave do të përfundojë në afatin e paraparë deri në mesnatë.