Delvina KËRLUKU
Menduh Jegeni, u lind në Dibër në vitin 1959. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje. Fakultetin për mjekësi e mbaroi në Prishtinë dhe studimet pasuniversitare në Shkup. Jegeni në këtë intervistë na flet për rrugën e tij për të qenë i suksesshëm në profesionin e tij si mjek, për përkrahjen e prindërve të tij, traditën shqiptare, jetën e tij me aktoren Teuta Ajdini Jegeni. Përkushtimi i tij në profesion bëri që 13 vite të jetë drejtor i spitalit të Çairit në Shkup. Ai flet për mjekësinë si një ndër profesionet më humane, dëshira e tij për t’u ndihmuar qytetarëve pa dallim kombësie. Jegeni thotë se Ministria e Shëndetësisë duhet më shumë të investojë në spitalet e vendit. Edhe pse mjekësia është një profesion i vështirë, nëse e punon me shpirt e zemër, korr suksese. Këtë dëshirë për të qenë mjek e trashëgon edhe i biri. Ai vazhdon të punojë me përkushtim e vullnet të mirë.
KOHA: Si nisi dëshira Juaj për të qenë mjek?
JEGENI: Ajo dëshirë është e pa definuar. E zgjodha këtë profesion në bankat e shkollës, kur isha gjimnazist, në një moshë, kur nuk isha edhe aq i vetëdijshëm. Prindërit nuk ma zgjodhën këtë drejtim, por ishte një vendim i imi i momentit. Temën e maturës e kisha në lëndën e matematikës. Isha i pasionuar pas shkencave ekzakte, matematikë – fizikë. Por, edhe sot unë nuk e di se pse e zgjodha këtë profesion. Kishte provim pranues në Prishtinë. Atëbotë disa shokë kishin zgjedhur këtë qytet për të studiuar edhe unë ju bashkëngjita atyre. Për fat të mirë apo të keq, u pranova dhe që atë ditë nuk ndërrova mendjen për një profesion tjetër. Si nxënës shembullor, në lëndën e matematikës ishte befasuese edhe për profesorin e kësaj lënde, që nuk zgjodha një drejtim nga shkenca natyrore. Është vërtet e çuditshme, ndonjë frymëzim apo motiv nuk kam pasur, megjithëse dajallarët i kam pasur në fushën e medicinës. Por, siç thash, ishte një zgjedhje e momentit. Ndoshta ka ndikuar ajo se mjeku dhe mjekësia në thelb ka humanizmin, e në karakterin tim përherë ka qenë i veshur humanizmi dhe të ofroj ndihmë. Por, sinqerisht nuk e di PSE –në!
KOHA: Ju rridhni nga një familje intelektuale dibrane. Kush ishte babai dhe nëna në syrin Tuaj. Çfarë sakrifica kanë bërë prindërit e juaj. Me çfarë barriera janë ballafaquar?
JEGENI: Familja është ajo që t’i jep mësimet e para për të qenë i drejtë, i pastër, i sinqertë, punëtor. Thelbi i traditës dhe zakoneve shqiptare ka dominuar gjithmonë në shtëpinë tonë. Që në fëmijëri jam takuar me autorë, përmes librave të tyre. Në fëmijërinë time kam shfletuar veprën e Fishtës, në një kohë kur ishte rrezik të mbaje libra shqip. Por, babai ka qenë i Elbasanit dhe vetëm të shtëpisë e dinim se ku fshiheshin librat shqip. Ne në shtëpi i lexonim dhe i mësonim vargjet e poetëve dhe shkrimtarët shqiptar. Babai im është demode të thuhet ithtar i çështjes shqiptare, por mund të them se kombin e ka pasur mbi të gjitha. Ai ka qenë familjar, i përkushtuar në familje, një edukator për familje patriarkale, por në atë kohë ashtu ishin rrethanat dhe ashtu edukoheshim, sepse nuk është si sot ku është avancuar teknologjia, që në duart e fëmijëve tanë shohim telefonat, kompjuterët. Ne kemi ndenjur në një dhomë me pleq, kemi dëgjuar këshillat e më të vjetërve, ku edhe kanë lënë një shenjë në rrugëtimin tonë të jetës. Ishin prindërit që na edukonin, loja në lagje që na forconte kur fitonim, por edhe kur humbnim. Në atë kohë ashtu jetohej, nuk kishte kafiteri, zbavitje nate. Sot është ndryshe dhe kemi të bëjmë me një ndryshim marramendës. Atëherë nëna na rrinte mbi kokë, sot femra është e angazhuar edhe me punë të shtetit. Kur flasim për një kohë të kaluar do të nisem që nga shoqëria, ku shokët e babait kanë qenë shokë në plot kuptimin e fjalës, ku të janë gjendur në çdo moment, në halle, në derte, pa interes, pa një prapavijë. Edhe e mira, edhe e keqja është përjetuar e përballuar bashkë. Në ditët e sotme, kjo nuk kuptohet. Mbaj mend se ne në Dibër nuk mbyllnim derën e shtëpisë edhe kur dilnim diku, gjithçka ishte e besueshme. Familjet dibrane respektoheshin e nderoheshin në mes veti, kjo gjë vërtet ishte e shenjtë.
KOHA: Cila ishte Dibra e fëmijërisë suaj?
JEGENI: Dibra që kishte rend, me rregulla të pashkruara. Lojërat e fëmijërisë ishin në rrugë, në lagje, në vende të caktuar, në shkollë. Kishim orar të caktuar pas mësimit. Prindërit ishin të vetëdijshëm se ku jemi, sa do të qëndrojmë jashtë shtëpie dhe kur do të kthehemi.
KOHA: Të jesh mjek dhe mësues në këtë vend është vërtetë shumë e vështirë, pasi bart mbi vete një kosto morale të krijuar në shumë vite, e cila është jashtëzakonisht e vështirë që të shlyet shumë shpejt?
JEGENI: Po të flasim për mjekësinë në kuptimin e plotë të fjalës, duhet së pari të jetosh si mjek. Janë 24 orë pune, përkatësisht nuk ka orar pune. Në çdo moment i gatshëm, në çdo vend që të ofrosh më të mirën e duhur, për atë që ka nevojë për shërbimin ose veprimin tënd. Nëse flasim në një prizëm tjetër, atëherë do të thoshim se mjekësia kërkon përkushtim edhe në studime, nuk mundesh në mënyrë parciale, kërkon një përkushtim permanent. Por, nuk përfundon ky drejtim me fakultetin, por vazhdon me specializimin, i cili është i detyrueshëm, por edhe më tutje, për të qenë në hap me kohën, me rrjedhat e ngjarjeve, me përparimin e fushës së mjekësisë që kemi zgjedhur, duhet përkushtim. Çdo ditë ka risi, studime të reja, përvoja të reja. Për t’u avancuar duhet vazhdimisht të ndiqen këto risi. Mjekësia nuk është e vështirë, nëse e ke me zemër dhe i përkushtohesh, them që është një profesion më specifik nga profesionet e tjera. E gjitha është se duhet t’i përkushtohesh 24 orë.
KOHA: Si e kujtoni intervenimin e parë mjekësor?
JEGENI: Punësimi i parë ka qenë në Dibër. Ndoshta pata fatin që karrierën time si mjek e fillova në ambulanten e cila sapo ishte hapur atëbotë, ku bashkërisht ecëm në stadet e saj të zhvillimit. Ambulantët e fshatit ishin disi të pajisura, por atëherë bënim çmos që të krijojmë kushte dhe të jemi afër banorëve të asaj ane. Kishim më shumë entuziazëm se sa mundësi për të bërë diçka. Ajo ishte një përvojë e jetës.
KOHA: Zoti Jegeni, keni qenë një kohë të gjatë drejtor i Spitalit për Gjinekologji në Çair. Po ju kthejmë pas për të na treguar përvojën e juaj. Në fakt, çfarë mund të na thoni për gjithë ato vite pune të suksesshme në këtë institucion shëndetësor?
JEGENI: Pas përfundimit të specializimit ishte një periudhë ku edhe punoja si specialist në Dibër, mirëpo mundësitë që ofronte Dibra nuk ishin të tilla që kërkoja, një mundësi për zhvillim, avancim. Prandaj, dëshira për përparim më bëri që të lëviz, me qëllim që diçka më tepër të ofroj edhe unë si specialist. Për atë kohë dhe për ato rrethana Shkupi dhe spitali i Çairit ishte e vetmja mundësi, përveç një rrugëtimi tjetër të dibranëve, që fort mirë dihet, shpërngulja. Kishte dy zgjidhje ose Amerika ose Shkupi, mundësi të tretë nuk kishte. Shkupi ishte zgjedhja ime. A ishte i drejtë ky vendim, këtë nuk di ta them. Por, Spitali i Çairit si spital i specializuar më dha avancimin tim si mjek i gjinekologjisë.
KOHA: Ky spital ju bëri të njohur?
JEGENI: Të dy bashkë, edhe unë Çairin, edhe Spitali i Çairit mua.
KOHA: Pas 8 vitesh në postin e drejtorit në Spitalin e Gjinekologjisë në Çair, ju jepni dorëheqje. Pse ky vendim? Pyetjen “pse” nuk e parashtrojmë ne si gazetarë, por është një “pse” e qytetarëve?
JEGENI: Janë diku 14 vite që kontribuova në Spitalin e Çairit. Pas një përkushtimi maksimal të kërkesave, shëndeti si një kategori që harxhohet, ishte e pamundur që t’u bësh ballë gjitha kërkesave dhe nevojave të qytetarëve. E mira më e madhe është se unë nuk jam selektiv, të gjithë i konsideroj njëlloj, edhe pacientin nga Shutka, edhe nga Dibra, dhe në çdo kohë, edhe natën, kam qenë në gatishmëri për të ofruar ndihmë. Ndoshta ka qenë mangësia ime që të isha më racional në cilësinë e jetës time, duke përfshi edhe aktivitet fizike dhe aktivitetet të tjera në të mirën e jetës time. Mbase kjo ka qenë vendimtarja që vendosa të ndërpres aktivitetet e mia profesionale në atë spital dhe të largohem prej aty. Jo që jam larguar për shkak të numrit të madh të pacientëve, por vjen një kohë, një moshë e caktuar, ku mendoj në të mirën e shëndetit tim, të moshës sime dhe jetës që na ka mbetur. Besoj që fëmijët dhe shokët e meritojnë një kohë, një pjesë të jetës time. Për fat të keq, ajo periudhë në Spitalin e Çairit ka qenë tepër e ngarkuar. Jo se do t’i shmangesha po të më jepej e njëjta mundësi, por vërtet e gjithë koha dhe ajo kohë e lirë i është dedikuar profesionit e jo familjes ose shoqërisë. Kjo është e vetmja arsye, por edhe dy mandate si drejtor është mjaft. Njeriu ka një koncept, ka një ide, një iniciativë, por vjen një kohë kur kërkohet ndryshime. Ka të rinj, ka të mençur, të gatshëm për një pozitë të tillë.
KOHA: Si drejtor keni qenë “i ashpër” apo parimor?
JEGENI: Parimor për të mirë, në funksion të shërbimeve cilësore dhe kujdes më të mirë për shëndetin e fëmijëve dhe të nënave.
KOHA: Gjinekologjia si degë e mjekësisë që merret me studimin e organizmit të femrës si nënë, të veçorive të ndërtimit e të veprimtarisë së organeve gjinore si edhe me studimin e me mjekimin e sëmundjeve të tyre. Sa kjo degë e mjekësisë është e avancuar në Maqedoni dhe a është i mjaftueshëm investimi i shtetit në spitalet e gjinekologjisë?
JEGENI: Ne i njohim rrethanat dhe mundësitë qofshin financiare apo teknologjike. Kushtet që ofrohen janë të kënaqshme, por gjithmonë ka më mirë dhe duhet edhe më mirë. Por, për momentin qoftë hapësirat spitalore, qoftë pajisjet spitalore janë në nivel. I vetmi problem është kuadri, ku ndoshta në të ardhmen do të nxjerr telashe edhe më të mëdha.
KOHA: Ju e shihni si deficit tregun e mjekëve në të ardhmen?
JEGENI: Punësimet këtu janë të kontrolluara nga Ministria e Financave dhe e Shëndetësisë. Nuk ka bilanc të atyre mjekëve që pensionohen dhe atyre që do të punësohen. Numri i punësimit të të rinjve është i zhdrejtë për dallim të atyre që largohen ose ka disbalancë mes kërkesave të grave me mjekët. Është dhe një arsye tjetër, kur bën një matematike se sa ke investuar për të qenë mjek dhe sa paguhesh është dëshpëruese, kjo bën që të rinjtë të tërhiqen nga ky profesion.
KOHA: Ju si mjeku i repartit të gjinekologjisë, çfarë mund të na thoni për kushtet që duhet të ketë në dispozicion një spital shtetëror?
JEGENI: Për momentin hapësira, aparatura edhe kuadri deri diku i përmbushin nevojat e momentit. Duhet më shumë. Në sektorin privat, për dallim nga ai publik, nuk është i njëjtë. Standardi, komoditeti, pajisjet janë në një nivel më të lartë.
KOHA: Kur vjen puna te shëndetësia, mosbesimi ka një hark kohor shumë herë më të gjatë sesa në sektorët e tjerë. Nuk është thjesht çështja te një shërbim publik, por te raporti që ka të bëjë me jetën?
JEGENI: Mjek të papërgjegjshëm në Maqedoni nuk ka, këtë duhet ta kemi parasysh të gjithë. Mirëpo, çdo procedurë ligjore, çdo intervenim, përveç përfundimit fatlum, ka edhe probleme të mundshme, që mund të dalin gjatë mjekimit. Mos të flasim se si qëndron propabiliteti mes gabimeve dhe komplikimeve. Në këtë shtet ku jetojmë ne, në këtë situatë politike, shpesh tërhiqet vëmendja e opinionit me atë se çfarë ndodh në spital në rast të humbjes së një jete ose problemeve të një pacienti. Vdekja nuk është mos përkushtim i mjekut, vdekja nuk është mosdije, gabim, por thjesht një mënyrë e përfundimit të jetës ose edhe obligim i momentit, që nuk mund të shmanget me përkushtimin, me vullnetin. Cili është ai mjek që nuk do të bëjë më të mirën për pacientin, që nuk përkushtohet me tërë qenien e tij. Te ne është krijuar një opinion për mantel-bardhët se ne jemi synim për korrupsion, synim për papërgjegjësi, synim për çdo gjë, por ky është një gabim. Ky parashikim bën që shumica të lënë Maqedoninë, sepse dihet trajtimi dhe statusi i mjekut. Për shembull, 1 për qind është vdekshmëria nga apendiksi (zorra qore), por kur ndodh një gjë e tillë, trazohen të gjithë, duke filluar nga politikanë deri te njeriu i fundit, me qëllim “ta ekzekutojnë mjekun”!
KOHA: Në tërësi reformat japin rezultate me vonesë në krahasim me nevojën. Reformat në shëndetësi kërkojnë kohë të gjatë. Çfarë reforma ka bëra Maqedonia në dhjetëvjeçarin e fundit?
JEGENI: Çdo vend në zhvillim duhet të ketë reforma, por është mirë që kur të bëhen reformat të bëhen nga njerëz të atij zanati, larg asaj që të jem kundër ministrit. Që juristi të jetë udhëheqës i sektorit të shëndetësisë, për mua është disi e pakapshme. Nuk është që nuk mundet, sepse edhe ka ndodhur, por për të bërë reforma, projekte madhore, për të bërë investime kapitale, detyrimisht duhet të përfshihen mantel-bardhët. Kirurgët dinë se sa salla operacioni kanë nevojë. Kardiologët dinë se për sa koronografi ka nevojë shteti. Ata që s’kanë vesh, asnjëherë nuk do ta dinë se sa pajisje duhen, bie fjala, në Spitalin e Çairit apo gjetiu. Por, për t’u zhvilluar si duhet shëndetësia, duhet të merren njerëzit e duhur të këtij lëmi. Ne jemi të vetëdijshëm se spitalet i kemi lënë pa mjek amë. Janë çështje që duhet t’i projektojë Ministria e Shëndetësisë me staf të duhur, që do të mbajë llogari. Le të ma shpjegojë dikush se pse në Shutkë nuk ka gjinekolog amë, ka problem që shteti nuk mund ta zgjidhë. Është proverba nëse dëshiron të zgjedhësh problemin duhet gjetur mënyrë, nëse dëshiron të kundërshton gjen arsye. Unë kam qenë iniciator, i parë, në bashkëpunim me Shoqatën “Hera”, me qëllim t’u dalim në ndihmë qytetarëve në nevojë, pavarësisht a janë shqiptarë, romë apo ndryshe. Këtë gjest human e realizonim një herë në javë ku dërgonim mjek nga Spitali i Çairit, ministria e ka vazhduar këtë punë, por nuk është e mjaftueshme. Një shtet që dëshiron të zgjedh problemin prodhon në vit 4, 5 gjinekologë, por kjo gjë nuk ndodh. Dhe kur nuk ndodh, atëherë, ky shtet nuk dëshiron të zgjedh problemet.
KOHA: Z. Jegeni, ju keni bashkëshorten aktore. Cila është marrëdhënia mes një mjeku dhe aktoreje? Dhe sa i përkushtoheni familjes, duke e ditur se mjekët janë në punë 24 orë?
JEGENI: A korrespondojnë dy njerëz me dy profesione që kërkojnë përkushtim? Ne ia kemi dalë. Profesionet janë zgjedhje individuale, ndërsa bashkëshortësia apo bashkëjetesa është zgjedhja jonë. Kur ka mirëkuptim në mes çiftit, edhe mund ta them që profesioni është pjesa ma e pa rëndësishme. Nuk bëjnë problem këta dy profesione, por ndoshta problemi është se të dy punojmë pa orare. Te ne është kujdestaria, te aktorja janë provat, shfaqet, turnet e ndryshme, por jemi mësuar. Nuk e mohoj që është një mirëkuptim dhe dashuri e dyanshme. Ne të dy kemi ndihmuar njëri tjetrin, por është për t’u respektuar angazhimi maksimal i Teutës në familje. Prania ime në familje ka munguar dhe atë shumë. Edhe pse djali ka zgjedhur të studiojë mjekësinë, por nuk kam ndikuar unë, e ka bërë vetë zgjedhjen, nuk do ta dëshiroja, e them mbase për moment, për këtë shtet nuk është profesion që ia vlen, por nuk kam të drejtë morale ta them që të mos e bën. Loriku tashmë ka bë zgjedhjen e tij është duke punuar me aq përkushtim, uroj që Zoti t’i ndihmojë. Ndërsa, Genci është programer, edhe ky e ka zgjedhur vetë profesionin. Të dy janë djem shembullor, të suksesshëm dhe ua uroj më të mirën, në jetë. Ne jemi një familje që kemi lënë të lirë secilin të bëj zgjedhjen e vetë në jetë, në profesion e shumë çka, por që suksesin ia falim njëri – tjetrit.
KOHA: Duke cilësuar virtytet e juaj si profesionalist, intelektual, shpirt human dhe i përkushtuar për qytetarët, mbeteni një ndër figurat më të rëndësishëm në këto treva, mbase i dashur dhe shumë i kërkuar. A është ky një satisfaksion për gjithë atë që keni bërë, duke ndihmuar nënat shtatzënë?
JEGENI: Gjithçka që kam bë e kam bërë me gjithë zemër e shpirt dhe do vazhdojë të kontribuoj deri sa të kem forcë fizike dhe mendore. Nuk ka ndjenjë më të bukur, ose edhe punë më fisnike, kur ndihmon një nënë të sjell në jetë fëmijën e saj e jo më të ndihmosh gjithë ato njerëz në rast të dhimbjes e vuajtjes e t’u gjesh zgjidhje për problemet shëndetësore. Detyra themelore e çdo mjeku, është në shërbim të individit dhe të shëndetit publik, është mbrojtja e jetës, e shëndetit fizik e mendor të njeriut dhe lehtësimi i vuajtjeve të tij. Në misionin human, në respekt të jetës njerëzore, të individit dhe dinjitetit të tij, për mbrojtjen e shëndetit, zbulimin dhe mjekimin e sëmundjeve. Ne mjekët bazohemi vetëm në shkencë dhe në ndërgjegjen tonë, duke i dhënë përparësi interesave të shëndetit të pacientit. Unë i kam shërbyer dhe do të shërbej në shëndetin e njeriut. Mjeku duhet të jetë fisnik, i devotshëm, i përkushtuar ndaj profesionit, kështu që shoqëria jonë të jetë e shëndetshme.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.