Ish-shefi i diplomacisë suedeze, Carl Bildt, e ka shpërndarë në rrjetin social “Tëitter” postimin e ish ministrit të Mbrojtjes së Bullgarisë dhe ambasadorit të Bullgarisë në NATO, Belgjikë dhe Luksemburg, Bojko Noev, i cili në një intervistë theksoi se “Maqedonia urgjentisht të kërkojë mision preventiv dhe stabilizues të Bashkimit Evropian në vend”. Bildt me këtë rast ka shtuar se “vendosja e misionit paqësor të Bashkimit Evropian në Maqedoni është një hap radikal, por nëse gjendja përkeqësohet, duhet të kihet parasysh edhe mundësia e tillë”. Këtë çështje e ngriti Noev, pas dërgimit të letrës së Gjorge Ivanovit deri te BE-ja, SHBA-ja, NATO dhe Turqia, për të kërkuar “ndihmë” që të hidhet poshtë Platforma Shqiptare, që sipas Ivanovit cenon sovranitetin dhe unitaritetin e Maqedonisë. Letrën e Ivanovit, Noev e konsideron si “njëfarë lloj SOS – sinjal dërguar deri te bashkësia ndërkombëtare se anija në Shkup po fundoset”.