Bullgaria ka të drejtë ta shfaq nervozizmin e vet me shtetin tonë dhe qytetarët e saj, sepse Bullgaria dhe bullgarët janë të shpërfillur dhe të nënçmuar ashiqare si në sferën publike ashtu edhe në komunikimin e përditshëm. Prandaj, duhet një qasje e drejtpeshuar dhe pozitiviste për të krijuar mirëkuptim të domosdoshëm, dhe të ndalet komunikimi emocional me paragjykime dhe stereotipa
Nga Shaqir ISLAMI
Debati publik që e mori dhen në sferën publike, në lidhje me kërkesën dhe ankesën që na erdhi nga shteti fqinj Bullgaria – shkaktoi më shumë një zhurmë dhe kakofoni se sa që kishte për qëllim të çojë përpara miqësinë dhe fqinjësinë e mirë, siç detyron marrëveshja e nënshkruar mes dy shteteve. Dhe si për çudi, sikur ndonjë dorë e fshehtë – apo ndonjë gojë e fshehtë – kujdeset që miqësia dhe fqinjësia e mirë mes nesh të mos ndodh kurrë ! Dikush ende punon fuqishëm që boshti lindje-perëndim – apo kurrizi lindje-perëndim i shtetit tonë, të jetë i thyer ose i këputur, përgjithmonë. Pa këtë kurriz, shteti ynë është sakat, invalid i cili është i varur nga dikush tjetër; edhe atë shumë i varur.
Kjo na çon të mendojmë se brenda në shtetin tonë, ka ende qendra, grupe dhe individë të interesit që punojnë në dëm të vet shtetit; duke punuar ashiqare për ta penguar zhvillimin dhe përparimin e shtetit në anëtarësimin në familjen europiane. Grupe të caktuara të interesit, të përfshira thellë në shoqërinë tonë, mediat, industritë, qarqe të caktuara akademike, individë me influencë dhe institucionet kanë droje nga anëtarësimi në BE. Të gjithë këta punojnë kundër ashiqare ose fshehurazi.
Me të gjitha, përpjekjet e Bullgarisë; si dashamirësia e saj, gatishmëria për të na ndihmuar, empatia dhe simpatia e saj ndaj vendit tonë; mbase, qe shtet i parë që e njohu pavarësinë e vendit tonë, përderisa të tjerët e pengonin me mish-e-shpirt ; prapse prapë, të gjitha këto veprime miqësore dhe vëllazërore te ne interpretohen menjë dozë ironie dhe dyshimesh për qëllime të zymta! Dhe sërish, shteti Bullgar nuk nderohet, ashtu siç i ka hije, siç e meriton! Kjo është për t’u habitur! Greqia, Serbia dhe Turqia, në vendin tonë nderohen ashiqare më shumë dhe me paturpësi, se sa Bullgaria! Mbase Bullgaria është shtet anëtare e BE-së; aktualisht prej saj mund të kemi njëqind e një dobi, përveç tjerash. Kot, se kot! Këtë dukuri absurde, do ta përshkruaj me një thënie popullore serbe: “Ja te kërstim, a ti mi përdish” (unë të kryqëzoj, ndërsa ti më pjerdh”. Kjo është marrëdhënia reale midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në shtetin tonë Bullgaria dhe populli bullgarë, nuk kanë pasur dhe nuk kanë simpatinë dhe empatinë, siç emeritojnë. Sidomos tek maqedonasit! Përndryshe nga ta, tek pjesa e popullatës shqiptare, përkundrazi. E pse bullgarët nuk janë një brend i respektuar ndër maqedonasit ?! Dhe pse ekziston ky animozitet ndaj brendit bullgarë, pjesërisht mund shpjegohet nga e kaluara komuniste. Barcoletat që qarkullonin në Jugosllavi, i paraqisnin bullgarët si popull më naiv, më tutkun, më halabakë …Propaganda serbe gjatë tërë periudhës së komunizmit, e ushqeu animozitetin ndaj bullgarëve dhe Bullgarisë, duke i paraqitur si zullumqarë dhe keqdashës ndaj të gjithëve. Dhe vet autori i këtij teksti ka qenë viktimë e propagandës serbe, siç pretendoj se janë shumica që kanë ndjenja antipatie dhe
Sjellja dhe komunikimi politik i diktojnë dhe paraprijnë ngjarjeve dhe proceseve politike të më tejme, si dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, ashtu dhe fqinjësore. Tema aktuale e historisë bullgare-maqedonase e politizuar dhe kumtimi mes tyre, i shpërfaqën marrëdhëniet mes tyre, herë-pas-herë të ndera dhe jo qëllimmira. Ngacmimi erdhi si kërcënim për rrugëtimin e shtetit tonë në procesin e nismës së bisedimeve për anëtarësim në BE. Shkaku është moszbatimi i Marrëveshjes për miqësi midis dy shteteve. Pala Bullgare kërkon dinamikë në këtë proces. Shteti ynë, vazhdon me metoda dhe hile të vjetra të obstruksioneve të këtij procesi të fqinjësisë së mirë dhe të miqësisë mes dy shteteve. Bullgaria, me gjestin paralajmërues vetëm e shfaqi hapur pakënaqësinë e vet se, nuk është e kënaqur me ecjen e procesit të miqësisë dhe me sinqeritetin e politikës së shtetit tonë; i cili,tashmë duhet të përballet me seriozitet ndaj çështjeve që janë pengesa mes nesh dhe të tregojë një sasi përgjegjësie më cilësore në zbatimin e marrëveshjes së arritur dhe të nënshkruar nga të dyja qeveritë.
Ajo që u perceptua dhe u vërejt ashiqare në publik, ishte toni i komunikimit dhe reagimi i një pjese të intelektualëve, liderëve të mendimit, individëve influencues, mediave të caktuara,.. me një ton përbuzës, agresiv dhe arrogancë tallëse dhe shpërfillëse ndaj Bullgarisë. Ndërsa, shyqyr, politika zyrtare e kësaj qeverisjeje si dhe presidenca treguan maturi dhe urtësi; duke iu qasur kumtesës politike të shtetit të Bullgarisë me seriozitetin dhe respektin e duhur; ashtu siç i ngjan një shteti serioz që synon anëtarësimin në BE.
Unë them se Bullgaria ka të drejtën e Zotit që ta shpreh pakënaqësinë dhe shqetësimet e veta në marrëdhëniet tona fqinjësore. Ashtu siç ka dhe shteti ynë. Kështu zhvillohet miqësia dhe fqinjësia e sinqertë, për interesat e përbashkëta dhe të ndërsjellë. Bullgaria ka të drejtë ta shfaq nervozizmin e vet me shtetin tonë dhe qytetarët e saj, sepse Bullgaria dhe bullgarët janë të shpërfillur dhe të nënçmuar ashiqare si në sferën publike ashtu edhe në komunikimin e përditshëm. Prandaj, duhet një qasje e drejtpeshuar dhe pozitiviste për të krijuar mirëkuptim të domosdoshëm, dhe të ndalet komunikimi emocional me paragjykime dhe stereotipa.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)