Shkup, 26 prill – Kryeministri Zoran Zaev dje kërkoi përgjegjësi politike dhe profesionale nga funksionarët pas indikacioneve nga Komisioni Antikorrupsion për ndikim në nepotizëm gjatë punësimeve të caktuara, ndërsa njëkohësisht bëri thirrje për tërheqje urgjente nga vendet e punës të personave të cilët ishin punësuar në atë mënyrë, transmeton Koha.mk
Me qëndrim të ngjashëm dolën edhe zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe kryetari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov.
Sipas Zaevit, Komisioni Antikorrupsion ka treguar se është sistem dhe se përfundimisht kemi sistem që funksionon pa marrë parasysh se a iu pëlqen kjo politikanëve ose jo.
“Në Antikorrupsion ka komente konkrete ku nuk ka nepotizëm, ndërsa kemi edhe komente konkrete ku ka pasur ndikim për nepotizëm. Prej këtu kërkoj tërheqjen dhe drejtpërdrejt, si kryetar i Qeverisë, u jap urdhër institucioneve qeveritare që personat të cilët janë punësuar në atë mënyrë menjëherë t’u ndërpriten marrëdhëniet e punës dhe të tërhiqen mbrapa. Kërkoj përgjegjësi politike dhe profesionale nga të gjithë ata”, tha Zaev.
Kryeministri theksoi se deri më 5 maj nuk mund të shkarkoj ministra sepse ka ndalesë ligjore.
Shekerniska, nga ana e saj, theksoi se e kanë pranuar porosinë nga qytetarët, dhe se do të ketë ndryshime kadrovike menjëherë pas zgjedhjeve.
“Ekipi i parë do të vendoset edhe nga ana e kryeministrit, por nuk mendoj se zhvendosjet kuadrovike do të kufizohen vetëm në përbërjen qeveritare, por në atë që quhet pushtet ekzekutiv dhe në atë që quhet mosrealizim i një pjese nga pritjet e qytetarëve”, tha Shekerinska.
Fokusin, siç tha, me të vërtetë e kishim në çështje të mëdha shtetërore dhe në to treguam rezultat, që do të thotë se Qeveria tregoi se atje ku saktë e dimë çka duam dhe ku e japim maksimumin, ka rezultate.
“Kjo nuk është ashtu në të gjithë sektorët dhe pikërisht për këtë menjëherë pas zgjedhjeve këto zhvendosje kuadrovike do të tregojnë se kur ekziston liri dhe kur edhe mediumet edhe qytetarët nuk ndjejnë frikë për ta thënë mendimin e tyre, atëherë qeveritë funksionojnë më mirë dhe shteti shkon përpara”, tha ajo.
Shekerinska përkujtoi se si më parë ishin ish KSHPK-të, e si janë tani.
“Atëherë Komisionet Shtetërore për Parandalimin e Korrupsionit ishin vetëm instrument që të sulmohet opozita, tani presioni gjithmonë së pari është për pushtetin. Edhe kjo tregon se shteti ynë nuk kërkon bisedime dhe nuk pret bisedime pas fillimit të skriningut sepse mendojmë se dikush do të na nderoj, por se ne për dallim nga shumë shtete të tjera në rajon këtë e merituam”, tha Shekerinska.
Shilegovi, iu bëri thirrje qytetarëve që të mos e ndëshkojnë shtetin, nëse vlerësojnë se LSDM-ja duhet të ndëshkohet.
Ai shprehu shpresë dhe bindje se zgjedhjet në maj do të jenë korrekte dhe demokratike siç ishin në rrethin e parë. Pasi ta zgjedhim presidentin, pastaj është çështja e partisë sonë politike për vërtetimin e përgjegjësisë individuale për bartësit e funksioneve”, tha Shilegov.
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) në nëntë, prej 18 rasteve të shqyrtuara, vërtetoi se kishte pasur ndikim gjatë punësimit të familjarëve të funksionarëve. Në të gjitha këto rastet kishte ndryshime në aktet për punësim ose në kriteret në shpalljet që ata të përgjigjen për kandidatin i cili duhej të punësohej, i cili ishte në lidhje familjare me funksionar.
Në mesin e rasteve ku ishte vërtetuar nepotizëm janë përfshirë familjarë të ministrave të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe i Kulturës, Asaf Ademi. Pastaj të deputetëve të LSDM-së, Aleksandër Kiracovski, Kostadin Kostadinov dhe Mira Stojçevska. Rast të nepotizmit ishte zbuluar edhe te kryetari i Prilepit, Ilija Jovanovski.
Kiracovski dje në profilin e tij në Fejsbuk shkroi se “qytetarët reagojnë, ndërsa institucionet e pavarura veprojnë sipas kompetencave të tyre”. (koha.mk)