Të drejtat e punëtorëve në Maqedoni fare pak, për të mos thënë aspak nuk respektohen. Nga janari e deri në tetor të këtij viti, si pasojë e lëndimeve të marra në vende pune, kanë ndërruar jetë 17 punëtorë, ndërsa qindra tjerë kanë përfunduar me lëndime të rënda dhe të lehtë. Komiteti i Helsinkit kërkon më shumë kujdes dhe respektim të ligjeve nga punëdhënësit, ndërsa kontroll nga institucionet e shtetit
Omer XHAFERI
Shkup, 18 dhjetor – Mos pagesa me rregull e pagave mujore, largime pa bazë nga vendet e punës, mungesë e sigurisë në vendet e punës… paraqesin vetëm një pjesë të lëndëve që Komiteti i Helsinkit i ka trajtuar gjatë muajit të kaluar. Duke raportuar për shkeljet e të drejtave të punëtorëve në Maqedoni, nga Komiteti theksojnë se edhe vendimet gjyqësore nuk korrespondojnë me kornizën ligjore mbi të cilën ato veprojnë, shkruan gazeta KOHA.
“Gjatë muajit të kaluar, një punëtor ka denoncuar se pas arritjes së marrëveshjes me punëdhënësin për të ndërprerë marrëdhënien e punës, nga ky i fundit është iniciuar procedurë gjyqësore për dëmshpërblim, për shkak të shkeljes së klauzolës për konkurrencë nga ana e tij. Gjykata Themelore Shkupi 2, e cila kryesisht trajton lëndë civile, në këtë rast e ka proceduar padinë e punëdhënësit dhe ka vendosur në dëm të punëtorit. Në pajtim me Ligjin për marrëdhënie pune, klauzola konkurrente mund të arrihet vetëm nëse marrëveshja e punës ndërpritet me dëshirë apo faj të punëtorit. Në rastin konkret, bëhet fjalë për shprehje të vullnetit të dyanshëm, dhe nga këtu bëhet e paqartë se si Gjykata ka miratuar një vendim të tillë. Sidoqoftë, punëtorit e ka ankimuar vendimin e Gjykatës dhe ekipi juridik i Komitetit të Helsinkit do të vazhdoj ta mbikëqyr rrjedhën e këtij rasti”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.
Lëndimet e punëtorëve në vendet e punës si pasojë e mungesës së kushteve adekuate, po ashtu përfshihen në listën e denoncimeve që i trajton Komiteti i Helsinkit. Kështu, ata njoftojnë se vetëm gjatë muajit të kaluar janë regjistruar lëndime të tre punëtorëve, ndërsa një punëtor duke i kryer detyrat e tij, ka humbur jetën.
“Në mënyrë shtesë, gjatë muajit nëntor, në një kantier ndërtimi nuk kishte gardh të përshtatshëm mbrojtës, gjegjësisht punëtorët aktivitet e tyre i kryenin në mungesë të pajisjeve të duhura për mbrojtje gjatë punës. Për këtë arsye, ne kemi parashtruar kërkesë deri te Sektori për siguri dhe shëndet pranë Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Inspektoratit të ndërtimit në Komunën e Ohrit, për realizimin e kontrollit të jashtëzakonshëm. Problematikën në fjalë ne vazhdojmë ta përcjellim dhe jemi në pritje të përgjigjeve nga organet e apostrofuara”, theksojnë nga Komiteti i Helsinkit.
Ndryshe, në Maqedoni nga janari deri në tetor të këtij viti, si pasojë e lëndimeve të marra në vende pune, sipas të dhënave që i jep Inspektorati shtetëror i punës, kanë ndërruar jetë 17 punëtorë. Nga ana tjetër, numri i punëtorëve që kanë marrë lëndime të lehta dhe të rënda trupore është mbi 1500 të lënduar. Me qëllim vetëdijesimi dhe krijimin e kushteve më të mira të punës, nga Komiteti i Helsinkit bëjnë apel deri te punëdhënësit që ti respektojnë më tepër dispozitat dhe rregullore nga Ligji për siguri dhe shëndet gjatë punës. Për shkak të numrit të lartë të vdekjeve dhe lëndimeve në punë, ata shtojnë se punëdhënësit doemos ti sigurojnë punëtorët në vendet e punës, posaçërisht të krijohen kushte për ato punëtorë që kanë rrezikshmëri të lartë ndaj jetës dhe shëndetit të tyre gjatë kryerjes së detyrave punës. (koha.mk)