Dibër, 25 maj – Shoqata e peshkatarëve sportiv dibranë këto ditë ka informuar popullatën dibrane që shfrytëzon bukurit natyrore, por edhe peshkatarët se duhet të kenë kujdes nga rreziqet. Sipas udhëheqësit të kësaj shoqate, ka peshkatar të cilët kanë informuar për prezencën e zvarranikëve në bregun e Liqenit të Dibrës. Duke marrë parasysh se kjo pjesë e liqenit tani kur temperaturat mundësojnë shëtitje në këtë pjesë të territorit të qytetit edhe nga shumë dibranë, apelohet për më shumë kujdes nga zvarranikët.
Këto ditë, në bregun e Liqenit të Dibrës janë vërejtur shumë gjarpërinj, mes të cilëve edhe gjarpri i rrezikshëm dhe helmues nepërka. Këtë e pohojnë peshkatarët sportiv nëpërmjet shoqatës së peshkatarëve sportiv “Trofta” të Dibrës. Ky gjarpër, sipas ekspertëve, është zvarraniku më i rrezikshëm. Peshkatari sportiv Atnadn Hoxha në veb faqet e shoqatës së peshkatarëve sportiv “Trofta” të Dibrës ka kërkuar nga dibranët që merren me peshkim sportiv, por që janë edhe adhurues të natyrës, të kenë shumë kujdes meqë pohon se ka parë gjarpërinj të llojit nepërka.
Këtë lloj gjarpri e kanë hasur edhe shumë peshkatar të tjerë dibran. Sipas tyre, disa lloj të tjerë të gjarpërinjve janë parë edhe në ujërat e Liqenit të Dibrës. Reagimet rreth prezencës të tepërt të gjarpërinjve në bregun e liqenit të Dibrtsë janë të shumta. Dibranët shprehin shqetësimin e tyre, kurse njohësit e mirë të gjarpërinjve – kryesisht mjekë, thonë se nepërka është gjarpër shumë helmues, ndërsa për fat të keq – është prezent një kohë më të gjatë në rajonin e Dibrës. Kundër helmimit të këtij gjarpri nuk ka serum dhe helmi është shumë i rrezikshëm. (koha.mk/V.S)