Është ky debat që pak a shumë i ngjan atij debatit po aq të heshtur të të gjithë atyre shqiptarëve, të cilët poaq të hidhëruar demokracisë këtej, ikin nga vendi …e ne tani të hutuar fundekrye (sepse mbajmë faj), bëjmë sikur duam të shpëtojmë atë që ka mbetur për të shpëtuar!
Nga Adelina MARKU
Pjesë e kulturës sonë politike është edhe ajo e heshtjes së gjërave, trajtave e fenomeneve shoqërore të cilat për një ose arsye tjetër krijojnë debate të ashpra në shoqëri, por asnjëherë kuptim të qartë të një fenomeni të cilin heshtja e shndërron në fenomen “tabu”. Delikat për t’u trajtuar! Armiqësor! “Më mirë hesht…”- të thonë “dashamirët” heshtakë! Ndërsa unë jam ndër ata që kanë treguar interesim te madh për format e radikalizmit “politik”- po e quaj kështu këtë fenomenin e ideologjinë që mbështet formacione të ashtuquajtura terroriste si ISIS, DAESH e të tjerë.
Madje kam shkruar për këtë fenomen sado shpesh kam dalur e sharë e stigmatizuar nga një grup i madh lexuesish të cilët për arsye të njohura për ta nuk janë dakorduar me qëndrimet e mia, kam organizuar debate televizive me aktivistë të lëmisë së prevenimit dhe luftës kundër radikalizmit, kam intervistuar madje edhe një ish terrorist i cili fliste hapur për motivet e krimit që kishte bërë, kam folur nëpër konferenca në vend e ndërkombëtare për këtë fenomen, kam sugjeruar shumë politika të cilat do bëheshin pjesë e Strategjisë shtetërore për prevenimin e luftën kundër radikalizmit e terrorizmit, kam folur hapur për të gjitha ato organizata të ashtuquajtura “humanitare, edukative e kulturore” të cilat kanë ndihmuar në indoktrinimin ideologjik e me përmasa zhvendosjesh doktrinash të besimit fetar tek të rinjtë tanë, pra përmes mënyrave dinake të trajtimit dhe interpretimit të besimit fetar e politik, bashkë me shokë kemi folur hapur për rrezikun që sjellin të gjitha institucionet qofshin ato fetare qofshin ato edukative të cilat funksionojnë jashtë sistemit e si të paregjistruara e autorizuara për të kryer aktivitete të kësaj natyre, por kjo nuk ka mjaftuar asnjëherë ngase tema e alarmi në fjalë kurrë nuk u bë pjesë e shqetësimit të partive politike në vend, nuk u bë as pjesë e politikave kritike e alarmngritëse për mënyrën e jetës sonë në një sistem ku duhen shquar vlera demokracie, e sidomos të rëndësishme kësi lukuni mendimesh alarmi për partitë politike shqiptare e rretheve kulturore shqiptare. E vërteta është se mbështetësit e kauzës së ISIS ose DAESH e të tjerave si këto nga vendi ku jetojmë kanë qenë me mbi 90 për qind të përkatësisë etnike shqiptare.
E vërteta gjithashtu flet se nga ky vend ka patur një numër me mbi 100 të rinj që kanë luftuar për këtë kauzë, të gjithë shqiptarë, të rinj e të reja. Nuk ju pëlqen kjo e vërtetë? Ose ca nga juve edhe mund t’ ju pëlqejë kjo shëmti, sepse me gjasë marrim të drejtë të bëjmë filizëm për kauza edhe të këtilla akulturimi nga organika themeltare e kjo, ngase gabimisht e trajtojmë këtë gjendje apo fenomen si kauzë për të drejta njerëzore, ose si kauzë e kauzës mbi lirinë… Hmmm, ku ishte fundi e si ishte fillimi i kësaj kauze ?! Edhe mua shumë të vërteta nuk më honepsin, por për to duhet folur hapur! Para se të folet në publik, sëpari duhet folur në familje për ngërçet e këtilla kundërshtuese kulturës shqiptare që janë shfaqur si kancer mes nesh! Shumë fëmijë indoktrinohen nga këso kauzash të cilat në esencë janë traumatike dhe shumë të rënda për t’u shëruar më vonë! Pa dorëza, pa frikëra, pa dilema- duhemi trajtuar edhe tema të këtilla nëpër forumet partiake! Përse?
Ngase shumë nga votuesit janë mbështetës të paarsyeshëm të bindjeve të këtilla që përmbajnë formësim të dyshimtë, pra që denigrojnë kuptimin mbi sistemin demokratik të vlerave! E vërteta vazhdon të flasë se shumë nga këta të rinj janë vrarë fushëbetejave, disa kanë mbetur pjesë e formacioneve terroriste tanimë të shkapërderdhura – por poaq terroriste, disa duan të kthehen në vend, por vështirësitë e kthimit me gjasë janë të natyrës gjigande problematike. E vërteta vazhdon të flasë me numra se shumë fëmijë kanë lindur kampeve ushtarake të banuara me ushtarë të ISIS ose formacioneve të tjera terroriste, ngase njoh edhe gra e femra të cilat i janë bashkangjitur kësaj kauze për një ose arsye tjetër.
Doni të flas për arsyet se përse? Po, ato shpesh iu janë bashkangjitur këtyre formacioneve për hir të besimit në kauzën indoktrinuese, shumë nga to në kërkim të burrave të tyre, shumë nga to për arsye profiti e ka nga to që iu bashkangjitën kësaj tansie për arsye të fetisheve dhe shërbimeve seksuale.
Skllavëria seksuale nëpër këto kampe ushtarësh të ISIS e DAESH me gjasë del t’i ngjan një jete primitive e të shëmtuar! Po, them kësaj kauze, sepse edhe lufta e ideologjia e këtyre grupeve thirret në një kauzë që është goxha therëse për një botë liberale e demokratike ku synojmë të ngjitemi! Ndërsa poaq plagosës është debati e analiza se ku e ka burimin inspirimi i këtyre njerëzve që radikalizohen para syve tanë indolentë! E vërteta është se burimi I radikalizmit është edhe tek kuptimi i tyre mbi demokracinë, tek përjetimi i tyre para demokracisë, tek trajtesa që demokracia jua bën atyre
…Kryesisht radikalizmi i tyre ka të bëjë edhe me demokracinë si sistem vlerash – sado kjo tingëllon e vështirë për t’u kuptuar! Po, kjo madje tingëllon pak a shumë shokuese, por këta njerëz në të shumtën e rasteve i hidhërohen demokracisë! Ata zgjedhin të mos e ndërtojnë besimin e tyre qoftë politik o fetar në frymën e demokracisë, por në atë tjetrën – që është ana tjetër e monedhës së demokracisë! Kur me ta flet se përse nuk i besojnë demokracisë ata të thonë se ajo nuk ishte në shërbim të tyre ose thjesht ajo e ka mohuar shqetësimin e tyre për një periudhë shumë të gjatë! Ndaj janë rebeluar para saj, ndaj janë radikalizuar!
Miq e mike, tregimet që i binë gazetarët e guximshëm nga Kampi i Al Hawlit në Siri dhe jo vetëm nga ky kamp, tani flasin për nevojën e shumë nga këta djem e vajza, nëna e baballarë, fëmijë të rritur atje e madje të lindur fushëbetejave për t’u kthyer në shtëpinë e tyre edhe kulturore do kisha thënë! Poaq debat duhemi hapur nëse kthimi ka të bëjë me pendimin e tyre ose me zhgënjimin që solli kjo kauzë së cilës ata para do viteve iu bashkëngjitën me vullnet të plotë! Por për më shumë, debati duhet të përfshijë edhe atë se përse heshtte shteti kur këta njerëz inspiroheshin për t’u bërë pjesë e kësaj ideologjie, përse ky lejoi qarkullimin e kësaj fryme, madje përse lejoi transkacione marramendëse parash që motivuan e strukturuan madje këtë frymë e këtë ideologji, debati duhet të përfshijë edhe denigrimin e atyre e klerikëve fetarë të cilët indoktrinuan aq shumë të rinj e të rreja në këtë frymë të huaj të besimit fetar nga ai tradicional.
Ky debat të nderuar miq e mikesha është pasojë e heshtjes sonë, e asaj që unë e quaj shtirrje me vetëdije kurveje ose kurvari para fenomeneve, të cilat janë kundërshtuese për vlerat tradicionale e moderne të kulturës sonë shqiptare. Është ky debat që pak a shumë i ngjan atij debatit po aq të heshtur të të gjithë atyre shqiptarëve, të cilët poaq të hidhëruar demokracisë këtej, ikin nga vendi …e ne tani të hutuar fundekrye (sepse mbajmë faj), bëjmë sikur duam të shpëtojmë atë që ka mbetur për të shpëtuar!
Aha, po, po…Zoti do na ndihmonte, sepse i luteshim rregullisht! Pse pa gjene e harrova unë këtë, ahhhh, ja saças po i lutem Zotit e po ia rras gjumë me ngut! Shihemi te Lutjet përsëri!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)