Shkup, 16 prill – Në fillim të javës së ardhshme pritet të lëshohet në përdorim aksi i ri i autostradës Demir Kapi – Smokvicë dhe nëpër këtë pjesë të autostradës “Miqësia” fillimisht vozitja do të jetë pa pagesë.
Tani për tani nuk ka paralajmërim zyrtar për lëshimin e rrugës përveç atij paraprak se kjo do të ndodh pas datës 15 të këtij muaji, ndërsa drejtori i Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore, Zoran Kitanov sot paralajmëroi se këto ditë do t’i ftojë mediat në një ngjarje të tillë.
Për dy pikat pagesore të planifikuara në autostradën në Gjevgjeli dhe Demir Kapi, leja e ndërtimtarisë është dhënë para tri javësh, ndërsa për përfundimin, siç deklaroi Kitanov, nevojiten rreth tetë muaj.
“Për momentin janë duke u ndërtuar pikëpagesat e reja të cilat nuk do të jenë si ato ekzistuese, në to nuk do të ketë kurrfarë ngecjesh, do të jenë elektronike, me pripeid. Do të ketë pikpagesa edhe në atë pjesë të autostradës, ndërsa çmimi përcaktohet sipas Rregullores”, deklaroi Kitanov, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Ai nuk tregoi se kur pret që të funksionojnë pikëpagesat.
28,2 kilometrat e reja të autostradës nga Demir Kapia deri në Smokvicë i kushtojnë shtetit 270 milionë euro. Rruga përurohet pas gjashtë vitesh ndërtim dhe me të përmbyllet Korridori 10 në territorin e Maqedonisë.
Prokuroria Publike Speciale (PPS) muajin e kaluar publikoi se hapi hetim me emrin “Aktor” për ndërtimin e autostradës Demir Kapi – Smokvicë. Lënda, sipas PPS-së, ka të bëjë me favorizimin e kompanisë greke “Aktor” për ndërtimin e autostradës Demir Kapi – Smokvicë, edhe pse ofertë më të mirë ka pasur kompania italiane “Toto”. Përveç kësaj, në “Aktor” ekzistojnë dyshime për larje parash.