Neo-antiimperializmi dhe Asociacioni!

Duke i frymëzuar me ngjyrime ideologjike majtiste, në LVV janë gjetur shumë rryma të papërputhshme mes vete, ndër to, pikërisht ata që amerikanët i trajtojnë imperialistë si në kohën e Xhaxhit, që sot kanë shtuar një disponim kritik antiamerikan, edhe pse pikërisht ata ishin vendimtarë në pavarësinë e Kosovës…

 

Nga Daut DAUTI

E shikoj dhe e analizoj përtej syzeve dhe fytyrës së rrejshme të butë, si një lëkurë qengji ku fshihet ujkun dhëmbëmprehtë. Ai është ai që ishe i dënuar për do lista likuidimesh. Intelektual me mision patriotik…Dhe ideologjik. Patriotik, në mbrojtje të kauzës. Ideologjik, në mbrojtje të kauzës ideologjike. Intelektual që frymëzon të tjerët, ta kryejnë misionin e ideuar prej tij.

Advertisements

Lexuesit mund t’u krijojnë lëmsh kjo lojë fjalësh. Por nuk ka shumë gjëegjëza. Ky tip intelektuali sot është tehu i politikës shtetërore kosovare. Në intelektualin e majtë modern, për të fshehur ujkun ideologjik të kaluar. Atëherë kur intelektuali kosovar anti-jugosllav, e luftonte me ideologjizmin anti-imperialist të Enver Hoxhës. Meqë dikur kjo i përmblidhte të dy gjërat që i shkonin kohës, atëherë ishte një refleks i natyrshëm. Sepse, antititizmi i Xhaxhit kishte në vete lajthitjen e shqiptarit të Jugosllavisë se Tito“i shkarë ideologjikisht”, i vjen hakut Xhaxhi antirevizionist e antiimperialist, “më i drejti” në rrugën e socializmit, siç besonim shumica. Këtu pastaj ndërlidhej natyrshëm diskursi kombëtar: “revizionistët titpistë ishin dhe armiq të kombit shqiptar. Një nga emrat e njohur si viktimë e regjimit komunist në vitet 80-të, i ishte drejtuar Enver Hoxhës me një letër të gjatë, ku sa i shkruante për Kosovën dhe shqiptarët e shtypur në Jugosllavi, edhe më shumë e denonconte modelin e komunizmit në Jugosllavi, si model të gabuar, revizionist. Pra, të mos gënjehemi fort, dikur këto dy gjëra ishin bashkë. Por sot?

Ky tip intelektuali që nuk e ka përjetuar satisfaksionin ideologjik të revolucionit të pastër komunist për çka janë burmosur dikur me literaturën ilegale nga 50 vëllimet e librave me kopertina të kuqe,të mbetura pastaj si relikte të një lajthitjeje të madhe, sot nuk e pranon satisfaksionin kombëtar si të plotë. Kosova e pavarur për ta është disi e paplotë, sepse nuk është arritur me një revolucion ideologjik majtist! Ka mbetur në gjysmë, ka mbetur me një koc në fyt. Pikërisht kjo, është ajo që po zhvillohet, që po na del para syve si refleks “i lindur”(sipas Pavllovit).

Duket se një projekt i dyshimtë siç është asociacioni i komunave serbe, i përmbledh “të gjithë proletarët” e dikurshëm në atë dualizmin patriotiko-ideologjik të dikurshëm. Sepse tamam i përmban ato: në diskursin patriotik, është ai dyshimi se mos rrezikohet shteti, sepse shumëkush këtë dyshim e ka të bazuar, kundrejt aspiratave serbe. Por, në anën tjetër, kjo është ajo “kapsollë iniciale” e shkëndijës për ta rikthyer sentimentin ideologjik: “komploti imperialist”, si fakt i kryer në dritën e ngjarjeve aktuale, që “nuk e le” Kosovën ta realizojë idealin. Pra, gjithë perëndimi me “imperialistët amerikanë” në krye, e pengojnë këtë! Mungojnë revizionistët sovjetikë, që këtu nuk janë “në një pako” me imperialistët. Sa për formë. Fat që për shkak të ngjarjeve afër dhe larg nesh, mund t’i përdorin edhe  neorevizionistët “sovjetikë” të sotëm, të personifikuar në regjimin e agresorit rus në Ukrainë! Do të ishte e palogjikshme të mos e fusnin, pasi ai agresion, po e rrezikon pikërisht njërin segment, atë të shtetësisë së paplotë, me pretendimet serbe të nxitura edhe nga Moska.

Nëse kërkojmë thelbin e kësaj, për t’i ndërlidhur njëra me tjetrën, mjafton zbërthimi i kuptimeve apo mesazheve që jep vetë emri i LVV-së. Të ishte ky emri i LDK-së, forcës së parë politike që i parapriu pluralizmit dhe lëvizjes kombëtare në perëndim të Jugosllavisë, do të ishte shumë i arsyeshëm, sepse me VETËVENDOSJEN në emrin e saj, do të ishte në frymën e kohës, që do të thoshte se Kosova e synonte këtë, si përcaktim historik, i parealizuar pas Konferencës së Bujanit (Bunjajt). Por LVV-ja nuk lindi në kohën e LDK-së, as si forcë e parë, e as si alternativë e saj, por në kohën kur Kosova tashmë ishte VETËVENDOSUR me lëvizjen e UÇK-së dhe ndihmën VENDIMTARE të vendeve të NATO-s. Një lëvizje si ajo që e krijoi Albin Kurti në vitin 2004, me këtë fjalë kyç brenda emrit të saj, patjetër të ishte MOHIM i situatës që e kishte krijuar lëvizja e UÇK-së dhe mbështetja ndërkombëtare, pra, mohim i  çlirimit dhe pavarësisë! Mohim me një qëllim: vetëvendosje e popullit të Kosovës, vetëm me forcat e veta! Kjo është ajo që përmbledh nocioni i Vetëvendosjes, që nëse shikohet historikisht, është i lidhur me lëvizjen e 1968-tës, kur kërkohej që populli të vendosë për fatin e Kosovës.

Edhe pse në skenën politike, LVV-ja doli edhe u forcua duke milituar me kauza të tjera, të drejta, që i luftonte anomalitë e pushtetit të pasluftës, por këto beteja assesi nuk mund të lidheshin me emrin që donte të thoshte diçka më të madhe. Mirëpo, vetë emri, edhe pse e ka brenda huqjen me momentin historik kur ka lindur, ka diçka që e thonë gjithë ata që e konsiderojnë si të majtë, një analogji ideologjike me ish-sistemin në Jugosllavi: VETËqeverisjen, edhe pse jam i bindur se kjo është krejt rastësi. Kjo e bën më të përafërt me ata nostalgjikë që në kohën e shembjes së iluzioneve me rënien e regjimeve komuniste, nuk e arritën idealin e një shoqërie të pushtetit proletar!

Duke i marrë parasysh të gjitha këto, mund të bëhet më e qartë pse ish-nostalgjikët e lëvizjeve kombëtare me bazë ideologjike enverizmin, pas “dëshpërimit” me Hashimin, në partinë e të cilit duhej të ishin natyrshëm këta, njohën te LVV-ja një parti majtiste të përafërta me idetë e tyre dhe sot janë rreshtuar me të, ndonëse vetë Albini, është deklaruar për një parti moderne socialdemokrate të tipit perëndimor.  Këta nostalgjikët e gjetën strehën dhe sot janë të zëshëm për t’i bërë ballë edhe politikës amerikane, gjithnjë duke e trajtuar atë në dritën e asaj që dikur propagonte Partia e Punës, imperializmin. Meqë anti-imperializmi nënkupton edhe anti-amerikanizmin, në LVV, përveç këtyre ithtarëve të Xhaxhit të ndjerë, deri në nivel këshilltarësh më të afërt me Kurtin, janë kyçur edhe antiamerikanët e tjerë me ngjyrime të tjera(fetare…), po ashtu deri në nivele më të larta këshilltarësh. Dhe paradoksi: ish-ateistët (sigurisht të paçliruar nga kjo ndjenjë), janë sot në numër po aq sa edhe antiamerikanët fetarë, në të njëjtin subjekt. Kjo shton masën kritike dhe rrit ndjenjën e antiamerikanizmit në Kosovë dhe ndër shqiptarët, duke njohur te LVV-ja dhe vetë Albini, një antiamerikan të tillë. Rastësisht ose jo, me dy emisarët e fundit amerikanë të dy administratave të ndryshme, janë në shënjestër të njëjtë dhe në këtë pikë, ja heroi që i bashkon.

Sadoqë në dritën e pluralizmit gjithçka duket se është e lejuar, madje dhe të akuzosh me sajesa, ose dyshimin ta bësh gjë të vërtetë, dhe si të tilla mund të jenë dukur akuzat në adresë të Albin Kurtit dhe LVV-së së tij, si një majtist me ide komuniste, duke iu afruar ky lloj njerëzish afër, sikur indoktrinomi e ka bërë të vetën. Sot më shumë se kurrë është më e fortë bindja që e kanë përhapur ky lloj intelektualizmi se amerikanët nuk e kanë ndihmuar Kosovën për shkak të represionit serb, por për shkak të interesave të veta (imperialiste!). Edhe pse të dy rrymat e sipërpërmendura konsiderohen në pikëpamje intelektuale tejet të ngritura(të parët me literaturën marksiste-leniniste, e të dytët me literaturën fetare), ata harrojnë ose nënvlerësojnë aspektet gjeostrategjike. Sepse, edhe sikur amerikanët të kenë ndihmuar çlirimin e Kosovës VETËM për shkak të INTERESAVE të tyre(zgjerimin e sferës së interesit në këtë rajon), çështja është ku e gjejnë më mirë veten shqiptarët? Në sferën e interesit amerikan, apo në atë rus ku është edhe interesi serb, si antipod i atij shqiptar? Apo në atë rrugën e tretë të vendeve të painkuadruara të Titos, Naserit e Nehrusë, që nuk di nëse ende e ekzistojnë në këtë botë reale të polarizuar.

Dhe kur e shikoj këtë intelektualin që e kam përshkruar në fillim të këtij teksti në radhët e para të protestave kundër asociacionit, më vijnë ndërmend pikërisht aspektet ideologjike e patriotike, të cilat përtej syzeve të tij, janë bërë anakronike në fillim të shekullit 21. Qëndrimi i tij prej patrioti është krejtësisht në rregull, por një vizionar, çfarë duhej të ishte një intelektual i rangut të tij(profesor, shkrimtar…) që ishte zënë me lista likuidimesh të “armiqve të popullit”, do të duhej të tregonte cila është alternativa? Sigurisht personifikimi me imperialistët e bën më të lehtë veprimin e tij dhe e ka ndërgjegjen e pastër. Në këtë moment, si një moment i ardhur si me porosi, ai tip intelektualizmi që ka rritur sentimentin antiamerikan në Kosovë, harron se ku ishte Kosova para ndërhyrjes së “imperialistëve amerikanë”, e ku është sot? Dhe ku do të jetë nesër pa ta?!

Ajo që mund të shtohet në fund, është se insistimet amerikane për jetësimin e asociacionit, janë më shumë pretekst, se sa shkak i vërtetë, për ta “apdejtuar” ndjenjën e anti-imperializmit, krijuar gjatë brumosjes ideologjike të vetëdijes së tyre me literaturë bolshevike!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)