Jo vetëm shqiptarët që e rrethojnë Shqipërinë, por edhe Ballkani, Evropa apo Amerika u mblodhën rreth vakisë. Sa mirë të shohësh njerëzit tek japin humanizëm, tek bëjnë atë që ju shkon më shumë, të duan njëri-tjetrin! Sa keq të shohësh njerëz që duhet të ndodhin fatkeqësi të mëdha që të fillojnë të mendojnë më larg se shtëpia e tyre!
Nga Dr. Arben TARAVARI
Gati ironikisht muaji nëntor tek ne shqiptarët ka përfaqësuar gjithnjë një muaj me të cilin kemi marrëdhënien të veçantë. Muaj ngjarjesh! Nëse do të përcaktonim muajin me të cilin shqiptarët kanë dëshirë ose mosdëshirë për të shkruar ngjarjet e tyre, nëntori do të dilte si muaji i preferuar për të shënuar festa dhe zi, dasma dhe funerale, rrëzim dhe ngadhnjim…nëntorit na pëlqen t’i vëmë dhe cilësime që vetëm shqiptarët i kuptojnë menjëherë, pasi një i huaj do mbetej i pasqaruar nëse aty afër nuk do të kishte sërish një shqiptar që do i shpjegonte vula si: Nëntori i Dytë…që automatikisht të krijon përshtypjen që paska dhe Nëntor të Parë, dhe po ka, por aq I koklavitur është nga xhelozia historike sa mbetet më tepër i nënkuptuar si shenjë triumfi se sa i njohur mirëfilli nga shqiptarët. Të tjerë nëntorë si Nëntori i Përgjakur, Nëntori i Lirisë e deri tek Nëntori i Ndarjes apo tek deri tek më i riu nëntor që pëshpëritet në zyra diplomatike si është Nëntori i Bashkimit. Pra shumë gjëra na ndodhin në nëntor, pa e bërë të qartë se ç’është kjo dashuri ndryshe që kemi për këtë muaj vjeshtak, që tokat tona mesdhetare i mbush me shi e baltë…që na ka dhënë ndarje por na mbajti në këmbë të vetmin shtet shqiptar kur donin të na shuanin nga harta, na ka dhënë flamur e na ka dhënë liri! Cila është pra e vërteta e raportit tonë me nëntorin, e zgjedhim ne atë apo ai na zgjedh ne?! Kësaj pyetje në kufijtë e legjendës mund t’i përgjigjemi të paktën për disa data nëntorike(nëse kjo fjalë do të ftohej në gjuhën e lashtë rapsodike shqipe), kështu disa ditë e data të muajit i kemi zgjedhur sepse kemi respektuar vendimin e të parëve tanë, si p.sh Ismail Bej Vlora bëri 28 nëntorin e 1912-ës sepse prijësi i tij shpirtëror, Gjergj Kastrioti do të valëviste sovran po njësoj flamurin shqiptar në kalanë e Krujës në 1443-in. Gjithë ky prolog për nëntorin është vetëm një fjali e shkurtër në një studim profesionist që duhet bërë, për akumulimin e datave që të marrin frymën (për mirë apo për keq), në këtë muaj!
Në vazhdën e kësaj çudie, sikur fati të vraponte kuturu, kot më kot, që shqiptarët ta kenë të shënuar çdo ditë e datë të muajit të tyre të ngjarjeve, në 26 nëntor të këtij viti, një tërmet i fuqishëm goditi Shqipërinë. Ishte tërmet vdekjeprurës i magnitudës 6.4 të shkallës Rihter, me intensitet 8-9 ballë në epiqendër, me thellësi prej 38 km nëntokë që është edhe e vetmja shifër që e lehtësoi tragjedinë, pasi nëse tërmeti do ishte si paraardhësi i tij i 21 shtatorit, në thellësinë 10-15 km nëntokë, do të kishte qenë shumë herë më katastrofik…por pa i bërë bisht tragjedisë gjithsesi ky tërmet i tmerrshëm shënoi viktima. Pamëshirë preu në mes jetët e nënës 30 vjeçare dhe të bijës së saj 7 vjeç, diku të dy vëllezërve, diku mori nënë e bir e kështu me radhë 39 të vdekur numërohen deri tani që shkruaj duke pritur që fatkeqësisht të rritet numri…pamje të forta emocionuese të gjyshes së vdekur me nipin e gjallë në prehër apo lutjet e një djali të vogël për t’a shpëtuar, fotografia e burrit që ndërroi jetë duke sfiduar vdekjen me një buzëqeshje si amanetin e tij për çdo gjallë që ka lënë, lajmet e vdekjeve “live” njësoj si rezultatet e një ndeshje të kobshme, t’a thyenin edhe atë copë zemër të paprekur që i ka mbetur shqiptarëve. Qindra e mijëra qytetarë të mbijetuar, që flenë jashtë sepse ose nuk kanë shtëpi më ose kanë frikë të futen brenda nga ndonjë lëkundje tjetër, të plagosurit në spitale, viktimat që nê Durrës dhe Thumanë u kthyen në kryefjalën e nëntorit…pra fotografi e fjali të tilla të paralizuan çdo mendim tjetër por çuan në këmbë diçka që rri ulur…Solidaritetin. Një dëshmi humanizmi dhe solidariteti shpërtheu me magnitudë shumë më të madhe se sa tërmeti vdekjeprurës dhe po vazhdon çdo sekondë në Shqipëri. Të parët ishin shqiptarët e shtetit me varre të freskëta, ai i cili në nëntor të 1997-ës do të prezantonte publikisht ushtrinë e vet për të mbrojtur fëmijë e shtëpi nga bajoneta e Millosheviçit dhe ushtrisë së tij të çmendur…ishte sa prekëse po edhe aq frymëzuese të shikoje se si shqiptarët e një ane, të ndarë nga historia në një ditë nëntori, të vinin drejt shqiptarëve të anës tjetër po në një ditë nëntori! Në Maqedoninë e Veriut, në anën tjetër ku po ashtu ka troje e gjak shqiptar shumëshekullor, u mblodh i madh dhe i vogël, shumë të varfër e pak të pasur(sepse kështu është ndarë shoqëria jonë këtu) dhe vrapuan të ndihmojnë Shqipërinë…sigurisht askush nuk mund të fajësohet për tërmetin e 26 nëntorit, sigurisht që ka shumë për t’u diskutuar për kushtet inxhinierike të ndërtesave që u shembën, por askush nuk mund të qëndrojë indiferent para viktimave…
Kishte edhe deklarata të turpshme nga shqiptarë të kamur e të pasur sa mund t’i presë edhe burgu për mënyrën se si janë bërë milionerë që shkruanin në Fejsbukët e tyre: I lutem Zotit për ju! Ju lutem mbrohuni…a thua se të goditurit nga tërmeti ishin ca fëmijë të vegjël që ishin sëmurë se kishin luajtur futboll në të ftohtë…kishte edhe kështu cinizmi agresiv e pervers, por shumica ishte dhe është në kēmbë për të ndihmuar që nga kjo ditë të dilet sa më me pak pasoja.
Jo vetëm shqiptarët që e rrethojnë Shqipërinë, por edhe Ballkani, Evropa apo Amerika u mblodhën rreth vakisë. Sa mirë të shohësh njerëzit tek japin humanizëm, tek bëjnë atë që ju shkon më shumë, të duan njëri-tjetrin! Sa keq të shohësh njerëz që duhet të ndodhin fatkeqësi të mëdha që të fillojnë të mendojnë më larg se shtëpia e tyre! Sa keq kur mendon se si humbje shumë më të mëdha në njerëz nuk i ka shkaktuar tërmeti dhe as ndonjë prapësi e planetit, po vet njeriu… Njeriu me absurdin e tij, me keqkuptimin e madh që i ka bërë ekzistencës, e sidomos shqiptari që ka qenë jo vetëm i keqkuptuar por edhe i keqpërdorur…
A duhet të ndodhin tërmete apo katastrofa natyrore që të njerëzimi të vendosë zemrën në punë?! Këtë punë duhet ta shoshit dikush apo disa se nuk është problem i vogël…
30 sekondat e goditjes më të fortë u futën në historinë e nëntorit…por nga ana tjetër Solidariteti njerëzor i fitoi dhe ndaj mendoj që ky nëntor futi në kalendar edhe këtë veti të mrekullueshme njerëzore…fatkeqësisht e përsëris ashtu si murosjen e Rozafës në kala, dukej sikur njerëzit prisnin të sakrifikoheshin fëmijë, nëna, baballarë, vëllezër e motra, bashkëshort në tokat e Shqipërisë që të kuptojnë se në këtë jetë duhet vetëm ndihmuar! Duke ngushëlluar familjarët e viktimave, duke jetuar me dhimbje mbytëse këtë nëntor…flamuri u skuq më shumë por prapë mbeti sovran dhe i fortë edhe këtë 28 nëntor!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)