Më 6 dhjetor Finlanda feston 100 vjetorin e pavarësisë. Për këtë datë qytetarëve do t’i dhurohet një bibliotekë! Sepse 5.5 milion finlandezët lexojnë mbi 68 milion libra në vit! Gëzuar 28 nëntorin, por pa patetizëm. Uroj me një reflektim, se ku do duhet të jemi pas 20 vjetësh dhe çfarë do të duam të arrimë si shoqëri. Zhvillimi është i mundur dhe patriotët e tashmes do të jenë ata që investojnë në arsimim. Aq e thjeshtë është
Nga Nazim RASHIDI
Jemi në javën e festave. Rrjetet sociale janë përplot shkronja, flamuj, këngë, që na kujtojnë javën mbase më të rëndësishme për shqiptarët.
Për mua dhe mbase brezin tim ka dhe një nostalgji më shumë, është java kur 28 festohej nëpër shtëpi fshehurazi. Më kujtohen dreka apo darka familjare të mëdha të shtëpia e gjyshes, e cila na mblidhte çdo 28 nëntor. Normal, si në çdo familje, me gotat e verës e rakisë, shtoheshin dhe tonet e bisedës, për të ardhmen, për atë se çdo të ngjasë me pas, e deri te lotët për një pjesë të madhe të familjes që nuk ishte pranë. Ishin kohët, kur të ishe shqiptar nuk ishte që nuk ishte përparësi, por as e lehtë.
Ishte zymtë. Kjo më kujtohet.
Një ndjenjë padrejtësie konstante dhe frike. Jo frikë sigurie, por frikë për të ardhmen. Rreth nesh njerëzit e afërm humbin vende pune ose dhe burgoseshin për flamurin a edhe për një fjalë goje.
Një brez i tërë mbase sot, sidomos millennialls, ata që moshën e pjekurisë e kanë arritur në shekullin e ri e që janë rritur me teknologji, nuk mund të perceptojnë ato ndjesi vështirësie e të qenit shqiptar, por edhe në kulmin e kësaj periudhe, nga viti ’80 e deri në fund të ’90 të shekullit të kaluar, gjithçka që lidhej me festat e nëntorit kishte të bënte me shtysën për arsimin.
Kishim një shtysë por mbase dhe një presion konstant se duhej të shkolloheshim me çdo kusht se veç kështu kombi do shkonte përpara.
Duhej të zgjidhnim profesione të rëndësishme, mjek, inxhinier, që të ndërtonim kombin.
Duhej, duhej, duhej…
Dhe sërish një sqarim për këta millennialls-at, ishin kohët kur për universitete kishte kuota dhe numri i atyre që kryenin fakultet ishte i vogël.
Ajo që dua të them që festat e nëntorit përherë për mua lidhen me të ardhmen, dijen dhe përparimin. Se disi kjo festohej. Për shpresën se një ditë do të bëhej më mirë.
Dhe vijmë tek e sotmja. A është më mirë?
Po. Për shumë çka gjërat kanë ndryshuar. Nuk ka më as zymtësi e a as vështirësi të jesh shqiptar. Por gjërat nuk mund të them se janë atje ku duhej të ishin.
Në morinë e flamujve, shkronjave, teksteve në rrjetet sociale me doli dhe një reportazh për shkollimin në Finlandë. Prej disa vitesh Finlanda ka nxënësit më të mirë. Pyetja që e shtrojnë të gjithë, atë bënte dhe reportazhi, është pse?
1. Shkollat ishin pa pagesë dhe nuk flitej për shkolla private.
2. Shkollat ishin një lloj në gjithë vendin.
3. Deri në klasën e 8-të nuk kishte nota.
4. Mësohej nga gabimet
5. Nuk kishte lëndë klasike
6. Nëse një nxënës ishte më prapa se të tjerët i caktohej një mësues ta ndihmojë
7. Në gjimnaze 75 përqind e lëndëve ishin të detyruara, të tjerat nxënësit i zgjidhnin vetë
8. Mësimi ishte argëtim
Por mbi të gjitha, ajo që më bëri përshtypje ishte se për një vend mësuesi në shkolla konkurrojnë 25 vetë dhe më vështirë ishte të bëhej mësues se sa mjek. Po. Më vështirë ishte të bëheshe mësues në Finlandë.
Do thoni ç’lidhje ka kjo tani me festat e nëntorit?
Finlanda ka fituar pavarësinë më 1918. Po, më vonë se Shqipëria. Ka një popullsi prej rreth 5.5 milion banorësh. Jo ndonjë super shtet të madh. Por ka ekonomi të zhvilluar thuajse të barabartë sa vendet e mëdha, por kryesisht ky zhvillim ka ardhur vonë pas viteve 1970.
Tërhiqni dot paralele?
Po ku dështoi zhvillimi jonë?
Po, një periudhë e errët ishte socializmi, shtypja, mbyllja… por që pas viteve ’90 kanë kaluar gati 30 vjet.
Dhe të drejtë kanë millennialls-at që mbase dhe nuk e kuptojnë ngecjen.
Çka bërë dhe çfarë po bën brezi para tyre?
Shkollat shtetërore janë ku mos më keq. Mjafton të shohësh rrjetet sociale dhe të kuptosh se çfarë niveli ka, nga mënyra se si shkruajnë. Teknikisht analfabetë, sipas standardeve të shekullit 21.
Shkolla private po, por për një shtresë të caktuar “elitiste”. Por zhvillimi nuk vjen me disa kokrra. Universitete plot, por jo dhe cilësi dhe probleme pa fund me në krye papunësinë.
Por në të tilla ditësh historike prandaj kemi përplot patetizëm dhe folklor. Pse? Sepse është e vetmja që mbetet.
Pa diskutim që ditët duhen shënuar. E bëj dhe unë. Më rrëmben edhe mua emocioni. Ja kam postuar disa statuse patriotike. Por kjo nuk është zgjidhja e përparimit. Këto veprime do të duhej të ishin veç shënime për datat e ndritura.
Do të doja që nxënësit, fëmijët e pas brezit millennialls, të mësojnë për historinë në shkollat e bukura e të pajisura plot si at të Finlandës. Do të doja të të ishim krenar edhe me të tashmen. Të krijuar nga ne dhe për botën. Dhe në këtë 28 tetor gëzohem shumë kur lexoj statuse si ky:
Ergin Borova:
“Dikush dikur e ngriti flamurin që neve sot të identifikohemi si komb.
Dikush dikur e vendosi alfabetin e gjuhës, që neve sot të komunikojmë me atë gjuhë.
Ndihem i privilegjuar që pata mundësinë bashkë me Agim Veselaj të shpikim një App inovativ i cili herën e parë në shfrytëzim të përshëndet në gjuhën shqipe. Dhe pse jo? Është e jona, është origjinale dhe e bukur.
Urime 28 nëntorin!”
Jam i bindur se ka dhe të tjerë, por kjo duhet të jetë e ardhmja, që reflekton zhvillim, dije e teknologji.
Më herët lexova se si Vigjilenca Abazi, një super juriste me tituj shkencor nga universitetet më të mirë na botë është kontraktuar edhe një herë të shkruajë libër për Oxford University Press, shtëpia botuese nga librat e të cilës mëson e gjitha bota pastaj.
Apo për librin e botuar pak javë më parë nga Agon Hamza përkrahë filozofëve më në zë aktualë në botë Sllavoj Zhizhek e Frank Ruda.
Mbase dhe ka dhe të tjerë, por këta të tre i veçon një gjë: janë shkolluar, ose bazat e arsimit i kanë marrë në Maqedoni. Në gjimnaze e fakultete këtu. Kjo tregon veç një gjë, se finlandez nuk ka pse bëhemi, por ama të zhvilluar krahë tyre e kombeve të tjera nuk është se është e pa arritshme.
Ka ardhur koha të nderojmë historinë e të ndërrojmë prioritetet.
Zhvillimi është i mundur dhe patriotët e së tashmes do të jenë ata që investojnë në arsimim.
Aq e thjeshtë është.
Gëzuar 28 nëntorin, por pa patetizëm. Uroj me një reflektim, se ku do duhet të jemi pas 20 vjetësh dhe çfarë do të duam të arrimë si shoqëri.
Finlanda feston më 6 dhjetor 100 vjetorin e pavarësisë. Për këtë datë, qytetarëve do ti dhurohet një bibliotekë! Sepse 5.5 milion finlandezët lexojnë mbi 68 milionë libra në vit!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)