Ngatërrimi i kokainës me pudrën e bardhë ka bërë që nëntë të rinj në Australi të përfundojnë në spital. BBC shkruan se tre prej tyre janë në gjendje të rëndë ndërsa 6 të tjerët janë jashtë rrezikut, por ende qëndrojnë nën kujdesin e mjekëve. Të nëntë vuanin nga paraliza dhe halucinacione kur u paraqitën në spital. Historia e tyre ka nisur me një pako që mbërriti në shtëpinë e tyre gabimisht. Të rinjtë mendonin se brenda gjendej kokainë dhe e ndanë në 9 pjesë midis tyre. Por lënda që ata konsumuan është një lloj pudre, ose drogë që përdoret në doza të vogla nga kriminelët për grabitje apo sulme seksuale. Nëntë të rinjtë e përdorën atë në doza të mëdha dhe ata mund të rrezikonin të mbeteshin edhe të paralizuar. BBC raporton se të rinjtë u gjetën në shtëpi nga njëri prej shokëve të tyre që ndodhej jashtë për një darkë. Ndërkohë banorët lokalë thanë se i panë të rinjtë të transportoheshin në spital në gjendje të rëndë dhe me sytë e fryrë. “Disa nga këto të rinj do të kishin vdekur nëse nuk do të kishim ndërhyrë”, tha njëri nga mjekët për mediat vendase.