Nëntë raste aktive me COVID-19 në karantinën e “Australian Open”

20

Nëntë raste aktive me koronavirusin e ri janë në grupin e tenistëve dhe stafit përcjellës që janë vetizoluar në hotelet në Melbourne para fillimit të Grand Slamit “Australian Open”, raporton agjencia Reuters, përcjellë gazeta Koha.

Zyrtarët e Shëndetësisë të shtetit të Victorias kanë thënë se po hetojnë disa teste pozitive, nëse kanë të bëjnë me raste që e kanë pasur virusin por vazhdojnë të kenë mbetje jo-infektuese të virusit pasi janë rikuperuar.

Shumica e 970 personave të karantinuara në hotele në “Australian Open” janë futur në valën e dytë të izolimit pas ardhjes dhe pritet të lirohen të premten.

Derisa shumica janë lejuar të stërvisin nga pesë orë në ditë, 72 prej tyre janë izoluar në dhoma të hoteleve pas rasteve pozitive në aeroplanët me të cilët erdhën në Melbourne.

Deri më tash vetëm tenistja spanjolle Paula Badosa ka konfirmuar se ka rezultuar pozitive me koronavirus.

Ajo e ka rifilluar periudhën e karantimit kur u konfirmua rezultati dhe nënkupton se 23-vjeçarja nuk do të ketë kohë të përgatitet për fillimin e Grand Slamit më 8 shkurt.

Tre nga nëntë raset me COVID-19 të lidhura me “Australian Open” raportohet se janë të variantit më ngjitës të virusit që së pari është zbuluar në Britani të Madhe.