Nëntë nga dhjetë veta thithin ajër të ndotur

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka lëshuar sinjale të forta në lidhje me rreziqet që i kanosen njerëzimit. Në raportin për vitin 2019, theksohet se bota po përballet me sfida të shumta shëndetësore, që nga shpërthimet e sëmundjeve si fruthi dhe difteria, raportet në rritje të sëmundjeve rezistente ndaj antibiotikëve, normat në rritje të obezitetit dhe pasivitetit fizik, deri tek ndikimet e ndotjes së mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, si dhe krizave të shumta humanitare. Në 2019, ndotja e ajrit konsiderohet nga OBSH si rreziku më i madh mjedisor për shëndetin.

Nëntë nga dhjetë vetë marrin frymë nga ajri i ndotur çdo ditë. Ndotësit mikroskopikë në ajër mund të depërtojnë në sistemet e frymëmarrjes dhe qarkullimit të gjakut, duke dëmtuar mushkëritë, zemrën dhe trurin, duke vrarë 7 milionë njerëz para kohe çdo vit nga sëmundje si kanceri, ataku, zemra dhe sëmundja e mushkërive.

Shkaku kryesor i ndotjes së ajrit (djegia e lëndëve djegëse fosile) është gjithashtu një kontribues i madh në ndryshimet klimatike, gjë që ndikon në shëndetin e njerëzve. Midis 2030 dhe 2050, ndryshimet klimatike pritet të shkaktojnë 250 000 vdekje më shumë në vit, nga kequshqyerja, malaria, diarreja dhe temperaturat në rritje.

Një tjetër rrezik sipas OBSH, vjen edhe nga hezitimi ose refuzimi për tu vaksinuar, që kërcënon të kthejë pas përparimin e arritur në trajtimin e sëmundjeve të parandalueshme nga vaksina. Fruthi, për shembull, ka një rritje prej 30% të rasteve në nivel global. Arsyet pse njerëzit zgjedhin të mos vaksinohen lidhen kryesisht me mungesën e besimit.

Megjithatë, vaksinimi sipas zyrtarëve të organizatës, është një nga mënyrat me kosto më të efektshme për të shmangur sëmundjet – aktualisht parandalon 2-3 milionë vdekje në vit, dhe 1.5 milion të tjera mund të shmangen nëse mbulimi global i vaksinave përmirësohet.