Skandali i fundit me tregtinë e pasaportave, tregon ‘lehtësinë e padurueshme’ të marrjes së dokumenteve të shtetit të Maqedonisë së Veriut. Për shqiptarët që janë shembuj qytetarie dhe besnikërie ndaj shtetit, kjo e drejtë u mohohet me një etiketë perverse etno-racist : “të rrezikshëm për shtetin”. Ndërsa, i njëjti shtet shet dokumente identifikimi, njerëzve të rrezikshëm për shoqërinë: mafiozëve, kriminelëve, makrove, narkodilerëve ndërkombëtarë, për shuma të majme
Nga Shaqir ISLAMI
Tema për nënshtetësinë e shqiptarëve vazhdon të jetë një vegël politike. Premieri tha se, për zgjidhjen e problemit të nënshtetësisë, po kërkohen standarde që zbatohen në Bashkimin Europian !!! Dhe kjo çështje e nënshtetësisë do zgjidheshka një ditë mu sipas standardeve europiane. Shtrohet një pyetje e thjeshtë, deri kur ky shtet do t’i diskriminojë shqiptarët, me apo pa standarde europiane, dhe me mendësi dhe paragjykime idiotësh politikë ???!!!
Ndërsa, nga ana tjetër kriminelët e rajonit, udhëtojnë lirshëm me dokumente që mbajnë stemën dhe vulën e ‘brandit’ Maqedonia e veriut. Ky është paradoksi politik i vet këtij shteti, i cili gjoja se synon anëtarësimin e sinqertë në familjen e qytetërimit europian! Sipas kësaj mendësie, kriminelë të rrezikshëm të huaj mund të marrin nënshtetësinë, ndërsa qytetarët shqiptarë që jetojnë këtu denbabaden jo, se jo.
Çdo shtet normal, ka obligim kushtetues që t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të vet pa dallim ngjyre, feje, etnie,…; si ndaj atyre që e kanë marrë nënshtetësinë me një mijë e një telashe dhe ryshfete; si ndaj këtyre që ende flijohen duke bredhur nëpër korridoret e institucioneve të shtetit. Nëse ky shtet është pjekur tashmë – dhe përfundimisht e ka braktisur axhamillëkun dhe sjelljen kabadahishe; më së paku është i obliguar që t’u kërkojë falje, dhe t’ua dëmshpërblejë dëmin e shkaktuar ekonomik dhe vuajtjetpsikologjike të përjetuara me dekada të gjitha familjeve që janë flijuar për shkak të paragjykimeve dhe diskriminimit institucional të tyre. Të gjithë qytetarët që kanë vuajtur duhet të mblidhen së bashku dhe ta padisin këtë shtet-soj-bandit në gjyqin për të drejtat e njeriut në Strasburg. Për shkak se këtu drejtësia është jofunksionale dhe mbahet peng nga kthetrat e politikës!
Bile kohëve të fundit, këta qytetarë të shtypur dhe diskriminuar nga politika janë të etiketuar me një nofkë politike si “qytetarë fantomë”. Kjo fyerje dhe poshtërim i këtyre njerëzve, është dyshemeja e absurditetit politik. Ja se në çfarë derexhe i ka degraduar shteti qytetarët e vetë taksa pagues të rregullt, të cilët me kontributet e tyre ia mbushin çekmexhenë me paratë e fituar me djersë dhe mund.
Të gjitha arsyetimet e deritashme nuk pinë ujë; të gjitha shpjegimet me lojëra fjalësh dhe buzëqeshje naive, nuk kryejnë punë! Vetëm një aksion politik dhe ballafaqim me këtë problem jetik që dergjet nëpër sirtarët e disa zyrtarëve të korruptuar që fshihen pas ligjit diskriminues. Ligjet shërbejnë edhe ashtu si vegla për ta ndjell dhe zhvilluar korrupsionin dhe plaçkitjen e qytetarëve të pa takat para institucioneve. Dhe kur i dëgjon klithmat dhe rënkimet e “qytetarëve fantomë” që dergjen mes nesh, pyet veten: çfarë muti paskësh bërë ai “shminkeri” avokat i popullit që i kaloi dy mandate me nga tetë-nëntë a dhjet vite, … u qelb në atë kolltuk !!! Haram, haram, haram, … edhe një biografi virane !
Versioni i ri i relativizimit të numrit të qytetarëve që nuk kanë nënshtetësinë e shtetit tonë është çnjerëzorë, diskriminues, dehumanizues, … Nuk qenkan aq sa thonë shqiptarët! Por na qenkan, vetëm nja tremijë-e-pesëqind veta,… ha haha !!!! Edhe atë, këtë e dëgjon edhe nga zyrtarët shqipfolës !! “Vetëm nja 3500 veta paskëshin mbetur pa nënshtetësi. Sa pak na qenkëshkan!!! Por 3500 veta, është sa komuna e Dellçevës. Dhe ky numër dikujt i duket se na qenkësh pak???!!!
Ky shtet me arrogancë dhe paturpësi vazhdon të na diskriminojë, me shpërfilljen e tërësishme të halleve dhe telasheve të një numri të madh të qytetarëve shqiptarë. Nuk mund të shthuret kjo mendësi e mbjellë praptazi dhe e shartuar ters nga një qendër, që as emërohet, dhe as i bëhet me gisht. Tuta !!!
Hallet me nënshtetësinë, na del një tregim pa fund. Tre dhjetëvjeçarë të sagës së qytetarëve që jetojnë në të zezë, ose pa letra në vendlindjet e gjyshërve dhe të stërgjyshërve të tyre – vazhdon me seritë reja duke kërkuar standarde europiane dhe modele estetike!
Skandali i fundit me tregtinë e pasaportave, tregon ‘lehtësinë e padurueshme’ të marrjes së dokumenteve të shtetit të Maqedonisë së Veriut. Për shqiptarët që janë shembuj qytetarie dhe besnikërie ndaj shtetit, kjo e drejtë u mohohet me një etiketë perverse etno-racist : “të rrezikshëm për shtetin”.
Ndërsa, i njëjti shtet shet dokumente identifikimi, njerëzve të rrezikshëm për shoqërinë: mafiozëve, kriminelëve, makrove, narkodilerëve ndërkombëtarë, për shuma të majme. Biznesi siç flitet në çarshi, ka lulëzuar prej dhjetëmijë deri njëzetmijë euro. Ligji, për këdo, shkakton paradokse dhe skandale dhe lulëzon korrupsionin.
A ju kujtohet biznesmeni mashtrues nga India, Subrata Roj që e morri nënshtetësinë me shpenzimet e shtetit nga Gruevski, vetëm pse rrente ëmbël, kinse do sillte me mijëra lopë, do ndërtonte hotele në rivierën e Ohrit! Me premtime dhe rrena boshe ushqehej kryeministri dështak dhe tashmë ikanak në’ maxharistan’, ke ‘pobratimi’ i vet Viktororbani. Subrata Roj na doli se ishte një mashtrues ndërkombëtarë, i cili kish pasur ikur nga ligji i shtetit të vet, Indisë. Ndërsa këtu në “banana republikën” tonë pritej si një zyrtarë i nderuar, siç priten në arenën politike botërore. Ai hante, pinte, …, dhe gostitej si mbret, të gjitha këto në hesapin e shtetit – e që do të thotë se hesapet e tij i paguanin taksapaguesit e vendit, nga të cilët edhe këta qytetarë që dergjen nëpër korridoret e ‘kështjellës kafkiane’, duke lypur nga shteti mëshirë për t’i pajisur me dokumente. Subrata ‘na e hante bukën dhe na praptonte kupën’ siç e thotë thënia popullore. Ky biznesmen i famshëm i Gruevskit me paratë tona e tallte Qeverinë, e tallte Shtetin, dhe vetëm në bazë të premtimeve mashtruese e morri nënshtetësinë, duke e pshurrë ligjin dhe shtetin.
Ky shtet na del si magjistar që shqiptarët e vërtetë me shkop magjiki shndërron në fantomë. ‘Qytetarët fantomë” shqiptarë ende dergjen rrugëve dhe korridoreve të institucioneve për ta gëzuar një të drejtë burimore dhe universale. Nëse hidhet një sy fjalorit, kjo fjalë është çnjerëzuese (dehumanizuese): fantom, do të thotë: 1. Lugat,shpirt i keq; 2. Pjellë e hamendjes; 2. Diç jo reale, që hamendet.
Ndërsa,dictionary.cambridge.org, thotë: diçka që gjason ose duket sikur ekziston por nuk është i realose e është i hamendësuar.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)