Shkup, 28 shkurt – Sot në Shkup u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi në mes të ITSHKSH dhe Universitetit “Kadri Zeka” nga Gjilani. Drejtuesit këtyre dy institucioneve, Dr. Skender Asani dhe Dr. Bajram Kosumi, me bashkëpunëtorët, shpalosën idetë që do të konkretizohen në kuadër të një bashkëpunimi afatgjatë, duk u përqendruar në organizimin e veprimtarive e aktiviteteve nga sfera hulumtuese e botuese, si dhe në këmbimin e përvojave dhe kuadrove.
Dr. Skender Asani e njoftoi kolegun e tij nga Gjilani, rektorin Dr. Bajram Kosumin, me punën që ka bërë ITSHKSH për këto trembëdhjetë vite të ekzistimit të tij, me ç’rast u ndal në disa projekte konkrete që e kanë radhitur ITSHKSH në mesin e institucioneve më kredibile në fushën e kërkimeve e hulumtimeve shkencore.
Universiteti publik “Kadri Zeka” në Gjilan, sipas rektorit, Dr.Bajram Kosumi, tash më ka krijuar një përvojë të admirueshme në përgatitjen e kuadrove, si për tregun e punës , ashtu edhe për institucionet arsimore e shoqërore të Kosovës dhe më gjerë. Ai premtoi se në të ardhmen do të thellojnë bashkëpunimin me ITSHKSH në Shkup, si në aspektin e organizimit të përbashkët të konferencave e eventeve të ndryshme shkencore, gjithashtu dhe në zhvillimin e një veprimtarie të frytshme hulumtuse e botuese nga ana e studiuesve të të dy institucioneve.