Tiranë, 11 gusht – Në Tiranë sot është nënshkruar marrëveshje me qeverinë italiane në mënyrë që të materializohet angazhimi që e mori Italia në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve për t’i riparuar pasojat e tërmetit katastrofal që e goditi Shqipërinë më 26 nëntor të vitit të kaluar.
Italia do t’i sigurojë Shqipërisë 95 milion euro nga të cilat 5 milion euro janë grante për rindërtimin e ndërtesave publike.
Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj dhe Ambasadori italian, Fabricio Buci.
“Kredia prej 90 milion eurosh me kushte shumë të favorshme do të drejtohet në sektorin e energjisë për ta përmirësuar më tej sistemin e transmetimit, pastaj zhvillimin e ekonomisë detare, për ta përmirësuar infrastrukturën e porteve, për t’i rritur kapacitetet për ballafaqimin me fatkeqësitë natyrore, për ta përmirësuar flotën dhe forcimin e burimeve njerëzore në mbrojtjen civile, ku përvoja me famë botërore e Italisë dhe ndihma e vëllezërve italianë do të jenë një ndihmë e madhe për Shqipërinë”, tha Ahmetaj.
Ambasadori Buci tha se Italia mori pjesë në konferencën e donatorëve me një shumë të konsiderueshme prej 95 milion eurosh të vendosura në dispozicion të Shqipërisë.
“Kjo dëshmon për marrëdhëniet e veçanta që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Italisë, sepse ato janë dy vende, jo vetëm mike, por ata janë dy vëllezër, ashtu të thuhet, sepse në momente të vështira Italia ka qenë gjithmonë me Shqipërinë, si dhe Shqipëria që është një faktor me të vërtetë i rëndësishëm”, tha Buci.
Në konferencën e donatorëve të mbajtur nën moton “Së bashku për Shqipërinë” në Bruksel më 17 shkurt u mblodhën më shumë se 1.15 milion euro, një pjesë si një grant dhe një pjesë si kredi e favorshme.