Nënshkruhet Korniza për Bashkëpunim për Zhvillim të Qëndrueshëm të KB-së për periudhën 2021-2025

14

Shkup, 26 tetor – Korniza e re për Bashkëpunim për zhvillim të qëndrueshëm të KB-së (UNSDCF) për periudhën 2021-2025 u nënshkrua sot në hollin e MPJ-së nga Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe Koordinatorja përhershme e Kombeve të Bashkuara në vend, Rosana Duxhiak.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në nënshkrimin e Kornizës, e cila, siç theksoi ai, përkon simbolikisht edhe me Ditën e KB-së, 24 tetor dhe 75 vjetorin e themelimit të organizatës më të rëndësishme shumëpalëshe në botë, theksoi se është një dokument që do të jetë një drejtim i punës së sistemit të KB-së në vendin tonë për periudhën e ardhshme pesë-vjeçare.

Vetë dokumenti, tha Osmani, bazohet në përvojën e deritanishme në bashkëpunimin midis KB-së dhe Qeverisë dhe është baza për një partneritet të ngushtë, ndërsa me qëllim të arritjes së përparësive tona për zhvillim brenda synimeve të zhvillimit të qëndrueshëm dhe angazhimeve të vendit për të drejtat e njeriut.

Dokumenti parashikon zbatimin e katër rezultateve që do të kontribuojnë në arritjen e tre përparësive strategjike – përmirësimin e standardeve të jetesës për të gjithë përmes qasjes së barabartë në punë të denjë dhe punësimit produktiv, qasje universale për të gjithë në shërbime sociale cilësore të bazuara në të drejtat, kujdesin shëndetësor, arsimin, mbrojtjen e nevojshme sociale dhe të fëmijëve. Pastaj menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore dhe biodiversiteti i ruajtur mirë përmes menaxhimit të duhur mjedisor, dhe sundim më të mirë të ligjit dhe politikave të bazuara në fakte të bazuara në gjini.

“Si një dokument strategjik, ai do të sigurojë korrelacion dinamik dhe të fortë me përparësitë strategjike të vendit, veçanërisht me zbatimin e fondeve evropiane nga IPA 3, përparësitë që do të arrihen në shtatë vitet e ardhshme, të cilat janë në funksion të negociatave të anëtarësimit në BE. Kjo do të thotë mbështetje e Qeverisë dhe vendit në përgjithësi në mënyrë që të përputhet plotësisht me legjislacionin, strukturën institucionale dhe praktikat institucionale të BE-së, tha Osmani, duke theksuar se e gjithë mbështetja që marrim nga miqtë ndërkombëtarë është kryesisht një përfitim për qytetarët për t’i përmirësuar standardet e jetesës dhe kushtet për të bërë biznes.

Koordinatorja e Përhershme e KB-së Duxhiak, theksoi se globalisht zbatimi i Agjendës së KB të zhvillimit të qëndrueshëm po përparon, por jo me ritmin e arritjes së synimeve të 2030.

“Dekada e veprimit e shpallur nga Sekretari i përgjithshëm vitin e kaluar bën thirrje për veprim të përbashkët për ballafaqim me sfidat kryesore të përbashkëta. Me pandeminë kjo u ngadalësua dhe tani është shumë më e rëndësishme në të gjitha fushat e shoqërisë. Shpresojmë se kjo do të sigurojë një themel të fortë për të gjithë shoqërinë në arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe kështu ndërtimin e vendit në një mënyrë më të mirë”, thotë Duxhiiak.

Në pyetjen e gazetarëve për koment të zhvillimit të Maqedonisë së Veriut, ajo vlerësoi se vendi ka bërë përparim të madh, veçanërisht në vitet e fundit.

“Si KB, ne jemi këtu për t’i mbështetur proceset e zbatuara nga vendi dhe për të ndihmuar në arritjen e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm. Të gjitha vendet në botë kanë disavantazhe për shkak të Kovid-19. Tani mendoj se vendi është në rrugën e tij për ta rinovuar vetveten dhe për të krijuar një shoqëri më të mirë dhe më të shëndetshme dhe ne jemi këtu për ta mbështetur vendin në këtë proces,” tha Duxhiak.