I kontestuar dhe i lëvduar për negociatat me Bullgarinë, 19 korriku dhe fillimi i negociatave me BE-në, ishte kurorë edhe e ministrit të jashtëm, Bujar Osmani, i cili dëshmoi edhe një herë se kuadrot shqiptare mund të marrin barrë të rënda shtetërore, ndonëse, përgjegjësia për votimin e propozimit francez, u nda me partnerët e koalicionit dhe partitë tjera shqiptare
Nga Daut DAUTI
- Gjithçka që kanë nënshkruar individët, një ditë do ta shlyejë populli! Një fjalë e madhe me patos patriotik, s’do mend, nga gojë e një akademikeje të brengosur për fatin e shtetit dhe popullit të vet. S’është Katica Qullafkova as e para, as e fundit që thotë fjalë të mëdha dhe që popullin, atë popull të gjorë që shpesh e kanë “bombarduar” me lloj-lloj frikash, në kontekst të kompromisit me Bullgarinë. Me qëndrimet fataliste, sipas tyre, tash e tutje më s’do të ketë as popull maqedonas, as gjuhë maqedonase, ndryshe nga deklarimet e qeverisë dhe përfaqësuesve evropianë që pohojnë të kundërtën. Por, Katica Qullafkova ka të drejtë në një gjë, kur marrëveshjen me Bullgarinë e personalizon në kontribut individësh. Ky fillim i negociatave, pa dyshim se ngërthen edhe kontributin konkret të disa përfaqësuesve të lartë të vendit tonë, por dhe në Bullgarinë fqinje. Në Bullgari, ku kishte marrë hov një histeri u desh të vijë një kryeministër si Kiril Petkov, për t’u zhbllokuar procesi, mbase edhe i gjetur nën presion të BE-së, i cili kaloi rubikonin, ndonëse edhe tash, ka zëra prej andej se ajo që është nënshkruar, donë të thotë tjetër gjë. Ndërkaq në Maqedoni, s’do mend se ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani, një mjek me profesion në kollaren(apo pa të) të diplomatit të regjur, elokuent, të durueshëm deri në maksimum, bëri përpjekjet maksimale për të mos dështuar bisedat me palën bullgare. Në ndarjen e meritave sigurisht mund të merrte pjesë edhe ish-ministri i jashtëm dhe eurointegrimeve, Nikolla Dimitrov, sikur ky të mos “hiqte dorë” vetë nga to për shkak të kalkulimeve politike pas largimit nga këto funksione, por kjo është çështje tjetër, mbase e sedrës lënduar,për çka fajin nuk ia ka Bujari. Vetëm pak kohë më parë, kur flitej shumëçka lidhur me bisedimet me Bullgarinë, prof. Denko Maleski, i cili vetë dikur ka qenë ndër ministrat e parë të punëve të jashtme të Maqedonisë së pavarur, kishte paralajmëruar se diplomacia maqedonase, ”e udhëhequr nga doktori i urtë dhe tejet i durueshëm, në luftën e nervave me diplomacinë bullgare, është në prag të një suksesi të shkëlqyeshëm”. Zaten, kjo profeci në afat të shkurtër e prof. Maleskit u tregua shumë shpejtë e saktë. Pavarësisht se qarqet opozitare, do të thonë se të qenit kryediplomat me përkatësi etnike shqiptare në një Maqedoni(Veriore) “maqedonase” dhe që negocion “për çështjet identitare maqedonase”, përbëjnë aktin e tradhtisë.(Këtë e sugjeron edhe vlerësimi i akademikes Qullafkova në fillim të këtij teksti). Në thelb është paragjykimi dhe mendësia për të cilin qarqe të caktuara e shesin si një mall të lirë, por mbase me afat të skaduar për një Maqedoni multietnike, çfarë ato nuk e dëshirojnë. Prandaj kanë peshë fjalët e diplomatit me përvojë, Denko Maleski, i cili sheh se nën drejtimin e Bujar Osmanit, praktikisht ka penguar Bullgarinë që të përsëritet “qasja greke”. “Vallë duhet të frikohemi që të gjitha vendet evropiane, deri në një, e pranojnë kombin dhe gjuhën maqedonase? Nëse është e saktë çka thoshte Bllazhe Koneski se gjuha është atdheu ynë, atdheu ynë do të përjetojë njohje gjithë-evropiane”, kishte shkruar Denko Maleski, pak para se të kurorëzohej suksesi i paparë diplomatik, siç e quan ai, me çka fillimi negociatave me BE-në, është “një ditë e madhe për ministrin e punëve të jashtme, Bujar Osmani”. Bujar Osmani ishte stoik kundrejt kritikave dhe gjithnjë kishte përgjigje për çështjet problematike në konferencat e kohëpaskohshme. Ai kishte gjëra që i thoshte, gjëra që nënkuptoheshin dhe gjëra që nuk mund t’i zbulonte deri në fund, për të mos rrezikuar procesin e negocimit. Transparenca aq shumë e trumbetuar, mbase nuk vlen për diplomacinë dhe për gjërat që zhvillohen prapa perde. Tash kur u publikua edhe protokolli dhe kur dolën në pah gjërat “që i ka fshehur ministri”, megjithatë, u pa që gjuha maqedonase të jetë qartësisht e definuar si gjuhë komunikimi me BE-në, dhe që çështjet historike të jenë jashtë negociatave. Bujar Osmani, në mënyrën më të mirë i përgënjeshtroi të gjithë dyshuesit se një ministër shqiptar nuk mund t’i mbrojë interesat shtetërore të Maqedonisë. Ndoshta ky është percepcion i një opinionisti shqiptar, por edhe në taborin maqedonas të medias, ka që ndajnë këtë mendim, sepse nuk janë të gjithë me opozitën. E vërteta është se ai vetëm diti mirë të pozicionet në pozitën që iu nda në qeveri, për të kuptuar atë seriozisht dhe në mënyrë të përpiktë t’i rreket punës si një diplomat i regjur. Kanë qenë argumente të kota ato që thoshin se ai lehtësisht po i shet interesat e shtetit, sepse ai vetëm ka qenë në ballë të procesit, ka besuar në kompromis dhe i ka shkuar gjer në fund, kurse e gjitha përgjegjësia për t’u pranuar ose jo është ndarë bashkë me partnerët e koalicionit dhe nga shumica parlamentare, kurse në një fazë tjetër, bashkë edhe me opozitën,votat e së cilës do të duhen për ndryshimet kushtetuese. Ata që kanë iluzione, si akad. Katica Qullafkova, që një ditë të fshijnë “nënshkrimet” e individëve, mund dhe ta provojnë dhe t’i japin vendit një orientim tjetër nga ky properëndimor. Natyrisht, nëse vërtet e kanë përkrahjen e popullit, siç e kanë gojën plot me të! Të shpresojmë që koha do të dëshmojë se Bujar Osmani kishte të drejtë. Të shpresojmë se edhe kjo marrëveshje do të mbyllet si ajo me Greqinë, kur qenë ruajtur gjuha dhe identiteti maqedonas, dy çështjet të cilat i ka problematizuar opozita maqedonase atëherë dhe tash.
- Roli i opozitës shqiptare nuk qe vendimtar, sepse koalicioni qeveritar i kishte më shumë se gjysmën e votave, ndonëse disa parti u hamendën gjer në fund. Por nuk ishin të parëndësishme. Dikush nga tabori opozitar maqedonas mund t’ua zë për të madhe ASH-së dhe Besës, dhe madje ta konsiderojë tradhti, por disa fakte duhet shikuar realisht pse qe i arsyeshëm rreshtimi i tyre. E para, marrëveshja kontestohet për shkak të rrezikimit të gjuhës dhe kombit maqedonas nga ata të cilët vetë kanë futur pyka në çështjen identitare. Gjatë këtyre viteve kemi parë që në radhët e tyre i kanë fryrë trumpetës për afërsinë dhe origjinën e përbashkët mes maqedonasve dhe bullgarëve dhe i kanë kontestuar disa çështje që sot janë të shenjta për popullin maqedonas. Pastaj, po të njëjtit, nga afërsia me bullgarët, u hodhën në origjinën antike, që vështirë mund ta vërtetojë shkenca se si një popull që ka gjuhë sllave, e dihet kur kanë ardhur sllavët e jugut në Ballkan, të jetë pasardhës të maqedonasve antikë. Telashet me antikën nuk i hapën me grekët dhe e vështirësuan procesin e negocimit, por hynë edhe në terren shqiptar,si pretendentë të Lekës së Madh përmes origjinës ilire, ndonëse shqiptarët nuk u kyçën në këtë mesele, edhe pse mendoj se duhej. Do të ishte tejet vështirë të ndiqej kjo dinamikë e trajektores identitare, sepse nuk të lë të mendosh esëll dhe seriozisht, e aq më pak ta ndjekësh! Në anën tjetër, opozita shqiptare nuk mund t’i shkonte mbrapa Mickoskit, përderisa ai u gjet bashkë me forca antiperëndimore, ndërkaq në këtë pikë zor se ai mund të gjejë përkrahës ndër shqiptarë.
- Nëse dalin të sakta pohimet e dokumentarit “Gjaku i papastër”, gazetarja Sashka Petkovska dhe koleget e saj nga ekipi hulumtues dhe produksioni IRL, do të duhej të fitonin çmimin e Pulicerit. Deri tash nuk është parë ndër ne një storie kaq mbresëlënëse dhe thelluese për mënyrën se si e kanë gjurmuar punën e Klinikës “ZhanMitrev” dhe rrënuese në anën tjetër. Sepse, nuk është se kanë zbuluar një fakt tejet problematik dhe joetik me zbatimin e një terapie që ka qenë në fazë eksperimentale (hemofiltracioni) dhe e aplikuar për para të majme në kohë pandemie kur njerëzit kanë shitur shtëpitë për të shpëtuar jetën dhe janë drejtuar atje ku kjo terapi u është prezantuar si shpëtimtare, por dhe janë futur edhe më thellë, duke vënë në dyshim gjithçka që ka arritur Zhan Mitrevi: me kompetencën profesionale, me mirënjohjet e fituara(që sipas gazetareve hulumtuese janë false dhe të blera për para!) dhe shumëçka tjetër, duke nxjerrë në pah një grykësi përtej çdo etike. Te kjo storie hulumtuese, del në pah një e vërtetë që edhe një herë duhet të valorizohet: në gazetari arma rrënuese nuk është fjala(akuza, diskualifikimi, kritika…) që mund të shkruajë për dikë, por fakti. Kur ta shikosh në fund filmin,(pajtohem me ata që thanë se u është dukur si film horror), del me shije të hidhur se gjithçka duket e dokumentuar. Dhe duke kaluar ditët, e duke dalë në pah edhe raste e ankesa të familjarëve të shumë pacientëve të tjerë që kanë përfunduar me vdekje, përkundër dhjetëra mijë eurove dhe shpresës që ua kanë ofruar, e duke ua fshehur shkakun e vërtetë të përkeqësimit dhe vdekjes(bakteret intraklinike),gjithnjë e më e vogël bëhet shpresa se ndoshta ishte fjala për një diversion që ia ka bërë dikush dr.Zhan Mitrevit… Vërtet për të ardhur keq, sepse së jashtmi dukej, e ndoshta edhe ashtu ishte gjer te ky zbulim për dyshimin për manipulimi me hemofiltracionin gjatë pandemisë, se aty vërtet ishte sjellë teknologjia më e re dhe mjekët më të mirë për kardiokirurgji.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)