Laura PAPRANIKU
Shkup, 4 nëntor – Të hënën do të dihet me saktësi se me sa programe do nis punën për këtë vit Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, pasi kjo çështje, siç pohojnë edhe nga Rektorati, varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga numri i studentëve të regjistruar, si dhe nga orientimi i tyre për programet në dispozicion të UNT-së. Afati i dytë për regjistrimin e studentëve në këtë universitet, zyrtarisht ka mbaruar, mirëpo rezultat thuhet se do të publikohen ditën e hënë, më 7 nëntor, kur edhe do të dihet numri i përgjithshëm i studentëve të regjistruar për vitin akademik 2016/2017. Në afatin e parë u regjistruan rreth 140 studentë, nga rreth 1200 sa janë ndarë me Konkurs, ndërsa nuk pritet që të ndryshojnë kushedi sa numrat e studentëve edhe pas publikimit të rezultateve nga afati i dytë i pranimit të studentëve. Zyrtarisht thuhet se grupe të studentëve, të ndarë paraprakisht në nëntë programe studimore, kanë nis me mbajtjen e ligjëratave në lëndë të caktuara, në hapësirat e adaptuara te objekti i Lidhjes të Sindikatave afër QTQ -së dhe në hapësirat e Universitetit të Evropës Juglindore në hyrje të Çarshisë së Vjetër të Shkupit. Mirëpo, nga Rektorati bëjnë, gjithashtu, të ditur se kjo javë është shfrytëzuar edhe për nevojat e organizimit të brendshëm të punëve. “Ka qenë java e orientimit të studentëve, e sistemimit të profesorëve në lëndë të caktuar dhe njohja e tyre me studentët”, thonë që atje. Lidhur me numrin e programeve studimore, zyrtarisht është thënë se sivjet UNT do të startojë me nëntë nga 14 programe të akredituara gjithsej. Varësisht interesimit të treguar, në afatin e dytë edhe mund të rritet numri i programeve në të cilat do të nisin studimet këtë vit, mirëpo nuk përjashtohet as mundësia e reduktimit të tyre. Zyrtarisht deri tani është konfirmuar pranimi i 45 profesorëve dhe asistentëve, nga 84 që ishin kërkuar me konkursin për pranimin e tyre për 14 programe të shpërndara në pesë fakultete. Konkursi plotësues i stafit akademik thuhet se është në rrjedhë e sipër, mirëpo nuk dihet nëse pranimi në punë i tyre do të jetë në varësi të numrit të përgjithshëm të studentëve, respektivisht grupeve studimore që do të formohen sivjet. Sidoqoftë, java e ardhshme pritet të sjellë informacione të detajuara për çështjen e studentëve dhe stafit akademik, për çka do të behet më e qartë edhe pasqyra e situatës rreth fillimit të studimeve në UNT në vitin e parë të saj akademik 2015/2016. Regjistrimi me vonesë i studentëve në këtë universitet është për shkak të fillimit me vonesë që në start të vitit akademik 2016/2017. Vetëm një javë më parë u shënua fillimi solemn me punë i UNT-së, ndërsa Konkursi për regjistrimin e studentëve si dhe Konkursi për pranimin e profesorëve dhe asistentëve u hap, gjithashtu me vonesë, pasi në universitetet tjera vetëm se kishin filluar studimet për këtë vit. Mirëpo, pavarë- sisht kësaj, sikurse ka deklaruar rektori Aziz Pollozhani, ideatorët e projektit për themelimin e UNT-së, nuk donin ta çonin dëm vitin akademik 2016/2017 të nxitur nga qëndrimi “më mirë tani me pak vonesë se sa të vonohemi më shumë deri vitin e ardhshëm” . Për shkak të rrethanave specifike të këtij viti u imponuan edhe vonesat në regjistrimin e studentëve dhe pranimin e kuadrit, si dhe në fillimin e procesit mësimor.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara