Përvjetori i 108-të i lindjes së humanistes është një prej datave që hap siparin e aktiviteteve përkujtimore që do të vazhdojnë edhe gjatë muajit shtator, më 5 shtator – në përvjetorin e ndarjes nga jeta, si edhe më 26 shtator, në nder të 90 vjetorit të largimit nga Shkupi drejt Dublinit si misionare. Aktivitetet në fund gusht e shtator zhvillohen ndarazi për shqiptarë e maqedonas, aktivistë, shoqata dhe institucione
Evis HALILI
Shkup, 26 gusht – Përvjetori i lindjes së humanistes Nënë Tereza është shënuar me një sërë aktivitetesh në Shkup. Kurorat me lule në përmendoren pranë Shtëpisë përkujtimore dhe pllakën përkujtimore në sheshin “Maqedonia” janë vendosur nga qeveria, shoqata, aktivistë…, ndërsa në Parlament është zhvilluar ceremonia për ndarjen e çmimit shtetëror “Nënë Tereza”, që këtë vit i është ndarë piktorit me origjinë shqiptare Omer Kaleshi, si edhe aktivistes Lençe Zdravkin, me motivacionin “për arritje të shquara në interes të shtetit në fushën e humanizmit, solidaritetit njerëzor dhe nxitjen e mirëkuptimit të ndërsjellët dhe zhvillimin e bashkëpunimit, mes popujve dhe komuniteteve, kulturave dhe religjioneve të ndryshme”, shkruan gazeta KOHA.
Piktori Kaleshi që jeton në Paris është shprehur i nderuar për çmimin e akorduar, që mban emrin e një personaliteti me të cilën vetë Kaleshi ndan gjëra të përbashkëta
“Unë dhe Nënë Tereza kemi tre gjëra që na bashkojnë – kemi lindur në Maqedoni, jemi marrë gjatë jetës sonë me njerëzit, ajo me shëndetin dhe jetën e njerëzve, ashtu si edhe unë me kokat dhe shpirtrat e tyre….Dhe kur bëhet fjalë për njerëzimin do të doja të citoja një shprehje që thotë se ne kemi ardhur në këtë botë që të jemi bashkë dhe jo të ndahemi”, ka thënë piktori Kaleshi gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit në Parlament.
Përvjetori i 108-të i lindjes së humanistes është një prej datave që hap siparin e aktiviteteve përkujtimore që do të vazhdojnë edhe gjatë muajit shtator, më 5 shtator – në përvjetorin e ndarjes nga jeta, si edhe më 26 shtator- në nder të 90 vjetorit të largimit nga Shkupi drejt Dublinit si misionare. Aktivitetet në fund gusht e shtator zhvillohen ndarazi për shqiptarë e maqedonas, aktivistë, shoqata dhe institucione.
Shoqata qytetare “Shkupjania Nëna Terezë” edhe këtë vit vijon me manifestimin e nisur nga viti i kaluar “Ditët e Shën Nënë Terezës” që mbahet nga datat 26 gusht deri më 5 shtator, ndërsa Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup këtë datë e shënon me aktivitete që zhvendosen nga Shkupi në Prishtinë e Tiranë. Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, nën patronazhin e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, promovoi botimin “Familjet katolike shqiptare në Shkup” (me autorë Skënder Asani, Albert Ramaj e Natasha Didenko) si edhe u çel ekspozita me fotografi e dokumente “Jeta përmes kujtimeve”. Tirana është zgjedhur destinacioni i radhës për të përkujtuar 21 vjetorin e ndarjes nga jeta të Nënë Terezës (5 shtator), ndërsa 90 vjetori i largimit nga Shkupi të humanistes shqiptare. Nga ITSHKSH thonë se shënimi në këto tre qendra i datave të përbashkëta për gjithë shqiptarët bëhet në frymën e veprës së Nënë Terezës dhe potencimit të identitetit kombëtar të humanistes, por edhe pjesë e kalendarit të festimeve mbarëshqiptare për Vitin e Gjergj Kastriotit.
Goxhe Bojaxhiu ka lindur lindi në Shkup, më datë 26 gusht të vitit 1910, si fëmija e tretë e Kolë Bojaxhiut (me origjinë nga Shkodra) dhe e Drane Bojaxhiut nga Gjakova. Emrin “Tereza” e mori pas dorëzimit si murgeshë, në moshën 18 vjeçe, kur edhe largohet nga Shkupi dhe gjithë jetën e saj më pas ia kushtoi çështjes së bamirësisë, duke i ndihmuar familjet e varfra dhe personat e sëmurë në Indi dhe në gjithë botën. (koha.mk)