Urim HASIPI
Tetovë, 24 dhjetor – Shpresa Selami ka vetëm 29 vjet, por hallet e saj e bëjnë të duket si një grua 60 vjeçare. Shpresa Selami është nga fshati Veshallë. Asaj tre vjet më parë i vdiq burri nga kanceri, shkruan gazeta KOHA.
”Para tre vitesh kam mbetur vetëm me djalin që tash ka katër vjet dhe kemi mbetur në rrugë pa asnjë denarë, pa bukë dhe pa kulm mbi kokë. Burri vdiq nga sëmundja e kancerit, por edhe djali është i sëmurë dhe si do të mbijetoj nuk e di”, thotë Shpresa Selami.
Ajo tani jeton në rrugë pa strehë mbi kokë, pa bukë dhe gjëra të tjera elementare me djalin jetim katër vjeçar. Habili i vogël është i sëmurë. “Nuk kam mundësi ta dërgoj në spital. Ai është katërvjeçar dhe nëse nuk e shërojmë tash, pasojat do të jenë më të mëdha në të ardhmen për atë. Krahas bukës që nga mungon, ne nuk kemi mundësi as ta dërgojmë në spital djalin”, thotë ajo.
Shpresa Selami deri para tre muajve ka shfrytëzuar ndihmë sociale në vlerë 1500 denarë që, siç thotë, tani edhe kjo ndihmë i është ndërprerë. Sikur nuk mjaftoi kjo katrahurë që përjetojnë çdo ditë, ndërprerja e ndihmës edhe njëherë tregon se shteti nuk ka mëshirë ndaj njerëzve që kanë nevojë për bukë dhe jo për luks.
“Kam marrë një ndihmë, por edhe atë ma kanë ndaluar. Ka tre muaj që ma kanë ndalur. Tash kam mbetur as pa atë ndihmë të vogël, asnjë ndihmë nga shteti. Si do të jetoj më tutje, as vetë nuk e di”.
Nënë e bir, në pamundësi që të paguajnë qira ditëve të fundit janë të strehuar tek halla e tyre në fshatin Gradec, por kjo nuk është zgjidhje.“S’kam rrugëdalje tjetër, vet nënë, vet babë për këtë djalë të vetëm”, thotë ajo për KOHA.
Në një kohë kur në Maqedoni flitet për keqpërdorim të parave publike, në një kohë kur mediat informojnë për rrogat dhe honorarë të majme të funksionarëve politik, Shpresa Selami dhe djali i saj, Habili, nuk kanë shtëpi, nuk kanë bukë e as veshje adekuate në këtë dimër të ftohtë. Ky është realiteti social në republikën e Maqedonisë.
”Unë kam nevojë për shtëpinë, për strehë, për kulm mbi kokë, se nuk kam ku të jetoj. Pasi më vdiq burri, çdo ditë kam mungesë të bukës edhe për mua, edhe për djalin. As për veshje e as për gjëra më të nevojshme nuk kemi para të blejmë. Jetojmë si është më keq dhe kërkojmë vetëm që të na dalin në ndihmë ata që kanë mundësi, sepse do të vdesim për bukë”, thotë ajo.
Shpresa dhe Habili lusin të gjithë ata që kanë mundësi t’u ndihmojnë në strehimin e tyre dhe t’ju sigurojnë mjete themelore për ekzistencë. Ata ftojnë njerëzit human në mungesë të mbrojtjes institucionale të shpëtojnë këtë familje nga ky tmerr që përjetojnë. Në këtë numër mund të kontaktohet kjo familje për ta ndihmuar: 071 787 301. Kjo nuk është familje e vetme në rajonin e Pollogut që në këto ditë dimri kërkon lëmoshë nga të gjithë ata që kanë mundësi t’i ndihmojnë, sepse vështirë i kalojnë ditët me mungesë të sendeve elementare për mbijetesë, siç është buka dhe veshmbathja. (koha.mk)