Një portal solli një shkrim për një libër autorësh të huaj,të cilët në stilin e konspiracioneve, e zhveshnin Nën Terezën nga “shenjtorja” për ta paraqitur si “engjëll të vdekjes”. Portali në gjuhën maqedonase që botonte thekse, mbase nga zemërplasja e kishte marrë për t’ua përplasur në fytyrë shqiptarëve: kur aq shumë e theksoni se është shqiptare, ja çfarë ka qenë ajo “në të vërtetë”! Sigurisht kësaj i janë gëzuar edhe shumë shqiptarë, të cilët gjërat i shikojnë vetëm nga këndi i ngushtë fetar…
Nga Daut DAUTI
Nënë Tereza e paska adhuruar ateistin Enver Hoxha? A ju besohet?… Seç më imponoi një këndvështrim interesant një portal lidhur me figurën e Nënë Terezës. Një shkrim i botuar në të më dha frymëzim të mjaftueshëm për t’iu kthyer edhe një herë kësaj gruaje të veçantë, jo në kontekstin planetar çfarë është fama e saj, por në këtë të ngushtin, ballkanik, të mbarsur me shumë kontroversa specifike ku egoizmi, e smirëzia, shpesh janë “kritere” për të ndërtuar ndonjë qëndrim ndaj diçkaje ose ndaj dikujt. Ç’është e vërteta, shkrimi përpiqej të zbulojë anën tjetër të medaljes rreth figurës së Nënë Terezës, diç që edhe më herët ndoshta kisha pasur rast të lexoj nga ndonjë portal serb, por që s’i kisha kushtuar shumë rëndësi. Pse kësaj radhe më bëri përshtypje te ky portali maqedonisht?
Më bëri përshtypje fakti se shënimi i përvjetorëve të sajqë bien në fund të gushtit (ditëlindja-26 gusht) ose në fillim të shtatorit (data e vdekjes-5 shtator),gjithnjë e më tepër kanë vulë institucionale ku fjalën kryesore e kanë shqiptarët. Iu bie atyre që të merren me të. Edhe kësaj radhe ishte ashtu: Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Midis Bashkësive, organizoi një ekspozitë fotografishnga biografi Don Lush Gjergji, titulli i së cilës e përmbante shqiptarësinë në titull (Autori është kosovar dhe është normale që ta vë theksin te etnia e saj). Duket sikur është një betejë e humbur për ata tjerët, që vetëpromovoheshin përmes figurës së Nënë Terezës, në një përpjekje makiavelistë për ta shfytyruar,për ta anacionalizuar, për ta “gjeografikuar” si një shkupjane pa rrënjë e pa nishane. Në kontekstin tonë, është zhvilluar gjatë kjo betejë, duke dashur që përmes anacionalizimit, që çonte përmes “shkupjanizimit”, të kalohet te faza tjetër, ajo e përvetësimit. Shikuesit mbajnë mend një spekulant ordiner i cili depërtonte kahmos nëpër institucione si gazetar, publicist e madje dhe të bëhet skenarist i atij filmi të famshëm të TVM-së për fëmijërinë e Gonxhes, ku familja Bojaxhiu jo që s’fliste në gjuhën shqipe (ka mjaft aktorë shqiptarë për ta dubluar nëse jo dhe për të luajtur), por as që përmendej edhe midis rreshtash se familja Bojaxhiu është shqiptare, sikundër dhe bija e tyre, Gonxhja. Kam merita dhe këtë e kam thënë edhe ndonjëherë më parë që këtij falsifikatori dhe manipulatori, që nuk e mori çmimin Nënë Tereza për librin që e kishte shkruar për të, nuk përmendej fare prejardhja etnike, një fakt që s’kishte si të mos përfshihej!Në iniciativën për çmimin thuhej se pikërisht ky Stojani (i ndjerë), ka merita për popullarizimin e saj! Aman o Zot, për kë paska mbetur nënë Tereza për ta popullarizuar në vendin e saj!(Por ishte një betejë e kotë, se vitin tjetër ia dhanë!).
Duket se në të paktën nja një dekadë e gjysmë pas vdekjes, fjalën kryesore për Nënë Terezën e kishin ata që më me dëshirë përmendin përkatësinë gjeografike të saj, se atë nacionale. Me një përpjekje për ta shfrytëzuar atë si vend origjine, por për ta heshtur atë që nuk mund ta heshtë askush e që vetë Vatikani në biografinë e saj kaherë e ka valorizuar. Por te ne, në dritën e ndasive tona, është paraqitur një problem emotiv i papërballueshëm: një nam i madh që është nobeliste dhe për këtë duhet afirmuar si fakt që është nga Maqedonia, ama si ta duash pa hile që ndodhi të jetë shqiptare dhe katolike, që nuk përkojnë me realitetin dominues etnik e fetar? Dhe falshiteti dhe josenqeriteti shpesh del në sipërfaqe. Tjetra arsye për ta anashkaluar si fakt, është çështja se ajo ka një nam planetar, “është e gjithë botës”, duke iu dhënë argument që të thonë çka ka nevojë të përmendet se është shqiptare?
Prej një teze se s’është me rëndësi çfarë ka qenë ajo dhe pse ta përmendim(sepse krijon averzion te shumica), pat kaluar në përpjekjen e përvetësimit. Nja një muaj rresht, çdo javë pata polemizuar në gazetën “Dnevnik” me njërin nga ta, që e quante vetenhistorian kompetent, i cili thoshte se Nënë Tereza nuk mund të jetë shqiptare, sepse babai i saj e ka pasur emrin Nikollë, Kolë! Sa s’i thosha, e po një katolik s’ka mundur ta ketë emrin Hasan, o mjeran!
Duket se këta “përvetësuesit në tentativë” e kanë humburbetejën për të dëshmuar se nënë Tereza nuk është ashtu siç është deklaruar vetë, dhe tash, me gjasë mund të kenë filluar distancimin nga Nënë Tereza, për t’ua lënë shqiptarëve të bëjnë ç’të duan! Edhe atë Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës, gjithnjë e më shpesh kanë nisur ta drejtojnë shqiptarët. Po, ama, ja, pikërisht për këtë, portali që s’po ia përmend emrin, gjen tekste që shkruajnë ndryshe nga ç’e njeh e gjithë bota, për t’u thënë shqiptarëve: pasi mburreni që është e juaja, ja kush ka qenë ajo! Ajo ka qenë dashamire e Enver Hoxhës! Paramendoni, nënë Tereza adhuruese e diktatorit që ia ka burgosur vëllain për çështje ideologjike! Ajo që ka qenë një besimtare, të ketë adhuruar një ateist. Për çështjet tjera që shkruhen në një libër të autorëve të huaj, nuk e di a ia vlen të shkruhet, sepse, përderisa ata e bëjnë adhuruese të Enver Hoxhës, çka s’mund të shpikin tjetër.
Gjithsesi, një anë tjetër e medaljes mund të jenë ata shqiptarë që gjërat i shikojnë bardhe e zi dhe ndërtojnë qëndrim averziv vetëm pse ajo ka qenë katolike. Faktet notore nuk diskutohet, ka qenë, ka qenë, myslimane nuk mund të bëhet, por nuk mund të bëhen as shumë figura të tjera, por që kanë shkrirë jetën e tyre për çështjet kombëtare. Sigurisht pse nuk janë si shumica e shqiptarëve sot, nuk do t’ua fshijmë emrin nga historia, apo jo? Nuk do t’ua japim të na e marrin, siç më sugjeronte njëri: Le të na e marrin, s’ka çka na duhet ajo shkinë! “Olsijazexhizmi” mund të ketë lëshuar rrënjë edhe te ndonjë mendje tjetër në mesin tjetër, por a do të lejojmë që të rreshtohemi me mohuesit. Mund të diskutojmë se a ka fama e saj diçka shqiptare, apo vetëm si misionare fetare, ose diçka edhe më universale. Mendoj se madje dhe trajtimi vetëm si një misionare katolike, e ka vlerën e vet. Sepse, me miliona e miliarda katolikë ka bota, por askush nuk e arriti famën e shqiptares katolike Gonxhe Bojaxhiu-Nënë Terezës. Dhe fakti që ajo nga një lagje e Shkupit, nga një familje shqiptare e kohës, iku pas besimit të vet, iu përkushtua besimit të vet, dhe arriti majën e hierarkisë në atë botë, është për t’u çmuar, pavarësisht se ajo ndryshe nga shumica e bashkëkombësve të vet i drejtohet Zotit. Por, pikërisht për këtë dhe jemi të njohur si popull, për laramaninë fetare, apo jo? Dhe pikërisht një nga aspektet që vetë predikuesit ia njohin islamit, është toleranca. Toleranca si u shprehka?
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)