Me interpretimin e Ema Andreas në rolin e nënës dhe Matia Llupas në atë të birit, pjesa e shkruar nga Jon Fosse është një dramë e fortë psikologjike, që mbërrin deri te kompleksi i Edipit, me skena të forta, herë-herë edhe të rënda që zgjojnë ndërgjegjet e përgjumura njerëzore përmes gjuhës shprehëse të teatrit, trupave të aktorëve, lojës skenike dhe tekstit të fortë. Një shfaqje kundër shoqërive patriarkale e njëherit krejt larg teatrit tradicional apo atij “të realizmit socialist”, pesha e imazheve përballë krijon një shkëputje të fuqishme nga boat përreth, duke bërë të gjykohet ajo e të kërkohen rrugë të reja përjetimi e jetese, larg formalizmave të shoqërive të “mbytura” nga paragjykimi e mungesa e lirisë.
Ema Andrea guxon sërish, jo vizualisht përmes shfaqjes së trupit, por edhe si artiste me rolin e fortë që ka marrë përsipër. “Nuk kemi kohë të ndalojmë dhe po humbasim dashurinë për nënën, miqtë, fëmijën, gruan. Ajo çfarë dua të them me këtë dramë është një temë e madhe, që e gjejmë jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë botën. Pothuajse të gjithë ndjehemi si të burgosur. Me këtë shfaqje ngremë pyetje, shprehim idetë tona, shfaqim emocionin dhe idetë pozitive, sepse teatri nuk është vetëm një akt estetik, por edhe një akt social. Vetmia e njeriut është tema më e afërt e aktualitetit që po jetojmë. Ja, unë kam reflektuar. Sapo të mbarojë shfaqja kam menduar të marr nënën time në telefon”. Regjisori i njohur Dino Mustafiç e shpjegon kështu dramën “Nëna dhe fëmija”, që vjen këtë të shtunë në Qendrën Kulturore “Tulla Center”. Mustafiç duke folur për karakteret e shfaqjes, shtoi se, “këta njerëz nuk janë të lumtur, sepse ritmi i jetës dhe morali i shoqërisë u ka bërë vrima në trupat e tyre bosh dhe se për këtë arsye, impulset e tyre në shfaqje kanë qenë të rënda.
Gozhdoi shoqëritë edhe kur tha se meshkujt e grupimeve patriarkale janë mësuar të thithin femrën deri në marrjen e frymës dhe se baballarët kanë bërë fajtore nënat para të bijve për çdo gjë që ka ndodhur. Është shfaqja e tretë me të cilën ai vjen në Tiranë dhe një arsye e madhe sipas tij janë edhe aktorët e mirë. “Ka artistë të talentuar, që janë të gatshëm të punojnë me mua për kërkimin artistik dhe estetik. Kam aktorë të mirë dhe një tekst të mirë, me të cilët shpresoj të gjej edhe suksesin përballë audiencës”, tha regjisori që muaj më parë shënoi sukses me “EQUUS” në Teatrin Kombëtar. Drama “Nëna dhe fëmija” do të shfaqet me një skenografi artistike nga Klod Dedja, koreografi nga Gjergj Prevazi, kostumografi të Berina Kokonës dhe muzikë të kompozuar nga Ilir Bajri.
Skenari është bërë nga Zejlka Udoviciç Plestina, që na tregoi se ka përdorur një gjuhë poetike në funksion të konceptit modern të dramës. Jon Fosse është një nga shkrimtarët bashkëkohorë norvegjezë më të përkthyer dhe të interpretuar. Kritikët e kanë cilësuar si një nga autorët më inteligjentë të dramës dhe letërsisë bashkëkohore. Shfaqja “Nëna dhe fëmija” trajton njerëz që vuajnë nga izolimi total, vetmia dhe vështirësi komunikimi. Personazhet e Fosse-së janë të ngecur në mendimet e tyre dhe fjalët e tyre janë monologë, të cilët ndonjëherë kthehen në bashkëbisedim. Premiera është të shtunën për publikun, vazhdon të dielën në mbrëmje për të vijuar dhe net të tjera. “Nëna dhe fëmija” do të vazhdojë edhe në muajin nëntor nga e hëna deri të enjten për publikun.
Ata janë të burgosurit e përjetshëm, të cilët ngarkojnë veten dhe të tjerët. Por, ata nuk janë krijesa indiferente, por janë plot shqetësim shpirtëror, e cila mund të quhet aftësi parandjenje. Karakteret të Fosses janë të ngecur në mendimet e veta dhe prandaj fjalët të shprehura në fakt janë monologë, të cilët ndonjëherë shkasin dhe bëhen komunikim. Atmosfera e sikletshme e tregon sekretin, i cili është i mbytur në të kaluarën dhe çdo komunikim është pak nostalgjik, zbulon ose mbetet i shtypur në egon e karakterit. Por në atë ndjesi melankolike dhe boshllëku as nëna, as fëmija ekzistencialisht nuk gjejnë qetësinë dhe heshtjen e dëshiruar, nuk janë në gjendje të bien në paqe me demonët (shpirtrat) personalë, të cilët i përndjekin. (gsh)