Evis HALILI
Shkup, 6 janar – Ndërsa në Ministrinë e Kulturës shqyrtimit i projekteve për Programin nacional të kulturës është në proces, po ashtu janë nën monitorim edhe projektet e viteve të kaluara, të cilat nuk janë realizuar. Nga ky institucion nuk japin shifra të sakta lidhur me abuzimet me fondet e akorduara, për shkak se revizioni ende nuk ka përfunduar. Kështu pohon sekretari shtetëror Valmir Aziri, sipas të cilit, do të trefishohet mbështetja e Ministrisë së Kulturës në aspektin programor, por edhe përgjegjësia për realizimin e tij.
“Numri i projekteve shqiptare që do të miratohen këtë vit do të jetë i madh, ashtu si edhe mbështetja financiare që do t’i japim, ashtu jemi marrë vesh. Por, njëkohësisht rritet edhe përgjegjësia, do të kërkojmë llogari deri në fund për realizimin e tyre. Pasi deri tani ka pasur një praktikë të shëmtuar, për financimin e projekteve të tilla të cilat asnjëherë nuk e kanë parë dritën e diellit. Nuk mund të jap detaje, pasi revizioni vazhdon, por e përsëris se kontrolli që do të bëjmë, do të jetë i rreptë”, thotë për gazetën KOHA, Aziri.
Numri më i madh i projekteve të paraqitura këtë vit është në sektorin e botimeve. Numërohen mbi 450 projekte të tilla. Po ashtu, në numër të madh janë edhe projektet në skenën muzikore, në sektorin e dramës. Tek kjo e fundit prioritet do të jetë mbështetja e vetë institucioneve, si teatri i Kumanovës, Shkupit, e të tjera. Sa i takon festivaleve teatrore, si ai në Dibër, Gostivar, Strugë, por edhe Festivalit në Tetovë, i cili planifikohet të kalojë nën kompetencat e Qendrës së Kulturës, mbështetja do të jetë më e madhe këtë vit. Sipas Azirit, 30 për qind e Fondit për veprimtarinë dramatike do të shkojë për këto festivale, në mënyrë që të funksionojnë në kushte më komode.
“Në Strategjinë që kemi për zhvillimin e kulturës në përgjithësi, por edhe për këtë vit – kryefjalë është qasja e barabartë për të gjithë qytetarët, pra disperzimi dhe demetropolizimi i kulturës. Në këtë frymë ne do t’iu japim përparësi eventeve, festivaleve, apo shfaqjeve të cilat do të jenë sa më larg kryeqytetit, për të ‘sponsorizuar’ kështu edhe ata artistë që punojnë në periferi, pasi mbështetja ndaj kësaj kategorie ka qenë zero, ose simbolike. Dhe duke nisur nga festivalet si ai i Strugës, Gostivarit, Dibrës. Por edhe ai i Tetovës që po dështon për shkak të problemeve që ka, e që planifikojmë ta kalojmë nën ombrellën e Qendrës së Kulturës”, thotë Aziri.
Numri i projekteve që do të bëhen pjesë e Programit vjetor të Kulturës pritet të jetë më i madh. Sipas projekteve që kanë konkurruar në Ministrinë e Kulturës për Programin vjetor të kulturës, Ministria e Kulturës do të akordojë 900 milionë denarë për Buxhetin e Programit të këtij viti. Rreth 200 milionë denarë janë parashikuar për mbështetjen e projekteve për kulturën shqiptare, shumë kjo që sipas sekretarit shtetëror, Aziri, nënkupton trefishimin e mbështetjes financiare. Shpallja e rezultateve të konkurseve në të shtatë veprimtaritë e Ministrisë së Kulturës pritet të bëhet në mes të muajit janar. (koha.mk)