Nektarina ju pastron gjakun dhe ju ruan mëlçinë

Përveç përdorimit në kuzhinë për përgatitjen e ëmbëlsirave të ndryshme, nektarina renditet edhe si një frutë kuruese. Në mjekësinë popullore përdoret edhe nektarina, e cila është e pasur me shumë vlera ushqyese. Frutat e nektarinës përdoren të freskëta ose të thata, si dhe të përpunuara në trajtë kompostoje, reçeli dhe lëngu.

Gjithashtu, nektarin ka vlera të mira ushqimore. Ajo përmban rreth 14 për qind sheqerna, acide organike, albumina, pektinë, kripëra minerale, si: kalium, fosfor, kalcium, vitamina të ndryshme si provitamina A, vitaminë B1, B2, PP, C etj. Në frutat e thata sasia e sheqerit arrin deri në 60 për qind.

Frutat e nektarinës janë të shijshme, aromatike dhe pëlqehen nga të gjithë. Ato luajnë një rol të rëndësishëm në pastrimin e gjakut. Përdoren me efekt edhe në rastet e zënies së zërit. Nektarinat janë ushqim i çmueshëm për ata që vuajnë nga sëmundjet e mëlçisë. Ndërsa bërthamat e nektarinës përdoren kundër dhimbjes së kokës. Për këtë qëllim ato hahen me mjaltë për t’u tretur më lehtë.