Struktura negociuese për fillimin e negociatave me BE-nëka nis të përpilohet, ndërkohë që nga Qeveria kanë theksuar se vend në gjithë këtë proces ka edhe për partinë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE. Megjithatë, e njëjta nuk vlen edhe për opozitën shqiptarë – Aleancën për Shqiptarën dhe Lëvizjen BESA, nga ku deklarojnë se askush nuk i ka kontaktuar, megjithëse gjithmonë janë shprehur pro bisedimeve dhe anëtarësimit të vendit në BE
Destan JONUZI
Shkup, 12 korrik – Qeveria po përgatitet për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian (BE). Është caktuar struktura negociuese, e cila përbëhet prej shtatë trupave me ingerenca të ndryshme. Trupin koordinues, i cili do ti verifikojë pozicionet shtetërore, do ta udhëheq kryeministri Zoran Zaev, ndërsa bartëse e negociatave do të jetë një delegacion shtetëror i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Bujar Osmani, shkruan gazeta KOHA. Deri në fillim të javës së ardhshme duhet të formohen edhe 35 grupe pune për të gjithë 35 kapitujt e negociatave. Nga Qeveria kanë theksuar se vend në të gjithë këtë proces ka edhe për partinë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE-në. Nga ana tjetër, opozita shqiptare mbetet e jashtë këtij procesi të rëndësishëm për vendin. Nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës thonë se deri më tani – si subjekt politik, nuk kanë pas ftesë për t’u kyçur në ekipin negociator për bisedime me BE-në.
“Deri më tani, si subjekt politik nuk kemi pas ftesë për t’u kyçur në ekipin negociator për bisedime me BE-në, nëse do të kishim – sigurisht që do ta kishim shqyrtuar si ide ne organet tona partiake. Si subjekt politik, kemi Akademinë politike në të cilën bëjnë pjesë edhe dy departamente si ai për eurointegrime dhe për politikë të jashtme, me kuadro dhe profesorë universitarë në lëmi përkatëse e të cilët mbajnë kontakte edhe me zyrtarë të BE-së dhe janë mjaftë aktiv me analizat e tyre rreth proceseve integruese. Si subjekt politik, në të gjitha takimet me ambasadorë të vendeve të BE-së, kryetari ynë z. Ziadin Sela vazhdimisht ka kërkuar mbështetjen e tyre që Maqedonia e Veriut t’i hap negociatat me BE sa më shpejt që është e mundur, pavarësisht se RMV nuk po dëshmon vendosshmëri për ti përmbushur obligimet ndaj BE-së siç janë reformat në Drejtësi, Gjykata, Prokurori, Administratë Publike… Kemi lobuar vazhdimisht, sepse kemi vlerësuar së nuk duhet ndëshkuar qytetarët e pafajshëm e të ngelin pa shpresë integruese për shkak të papërgjegjshmërisë së Qeverisë LSDM-BDI, e cila nuk po jep sinjale pozitive në aspekt të reformave”, deklaroi për gazetën KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së.
Ai thekson se Qeveria LSDM-BDI si duket nuk e njeh opozitën shqiptare, ajo shpeshherë kur flet për kyçje të opozitës – asocon vetëm në partine opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, dhe përjashton opozitën shqiptare. “I njëjtë ishte rasti edhe gjatë procesit të përpilimit të Marrëveshjes së Prespës, e njëjta po ndodh edhe gjatë përpilimit Ligjit për Prokurorinë Publike Speciale, ku po konsultohet vetëm VMRO dhe jo opozita shqiptare e kryesuar nga ASH, e cila tani më përfaqësohet me tre deputetë në Parlamentin e RMV. Qeveria dhe kryeministri Zaev duhet ta dijë se për çështje me interes shtetëror, si ato integruese, të reformave ne drejtësi, në Kodin zgjedhor dhe shumë çështje tjera ku nevojitet konsensus politik, krahas VMRO-DPME-së e ka patjetër ta kyç dhe ta konsultoi edhe opozitën shqiptare, aq më tepër kur BDI në vazhdimësi po humb legjitimetin tek votuesit shqiptar”, thekson Bexheti.
Nga Lëvizja BESA thonë se janë të gatshëm për të marrë përgjegjësi në këtë proces, por sipas tyre, Qeveria asnjëherë nuk ka pasur qasje korrekte dhe serioze. “Lëvizja Besa çdoherë ka shprehur gatishmëri që të merr përgjegjësi për procese kaq të rëndësishme për vendin tonë, mirëpo asnjëherë nga ana e qeverisë nuk ka pasur qasje korrekte dhe serioze. Ne nuk jemi të ftuar nga ana e Qeverisë për t’u kyçur në procesin negociues me BE, nëse kemi një ofertë të tillë me siguri që do e shqyrtojmë me seriozitet dhe do japim kontributin tonë maksimal për një proces të suksesshëm”, deklaroi për gazetën KOHA, Arjanit Hoxha, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes BESA.
Ndërkohë, nga Qeveria kanë paralajmëruar se për të siguruar mbështetje për fillimin e bisedimeve, gjatë këtij dhe muajit gusht përfaqësues shtetëror do të realizojnë takime me përfaqësues të gjitha shteteve anëtare të BE-së, nga mbështetësit më të mëdhenj tek skeptikët më të mëdhenj të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. (koha.mk)