Në ekipet negociatore për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE, duhet të kyçen 1 mijë administratorë. Por, sektori civil akuzon se Qeveria po ngec në këtë drejtim dhe procesi nuk është transparent, ndërsa kjo e fundit thotë se punët po vijojnë sipas dinamikës dhe planit të paraparë
Destan JONUZI
Shkup, 4 maj – Administrata publike duhet të kyçet në të gjitha fazat të procesit negociues me Bashkimin Evropian (BE), duke filluar nga skriningu sqarues që është në vijim e sipër, skriningu bilateral, përgatitja e pozicioneve negociuese, interpretimi i kërkesës, kërkesës për vonesa të proceseve që lidhen me kapitujt… Ajo që është përbashkët për të gjitha grupet e formuara deri më tani, por jo vetëm – edhe në vende tjera është harmonizimi, gjegjësisht hartimi i pozicioneve negociuese, si një pjesë më e vështirë dhe më voluminoze e punës, shkruan gazeta KOHA.
Sipas deklarimeve të Qeverisë, në ekipet negociuese për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE duhet të kyçen 1000 njerëz. Qeveria në seancën e saj të 82-të të mbajtur më 31 korrik të vitit 2018 ka caktuar afate për përbërjen e grupeve të punës, të cilët duhej të bëheshin publike deri në tetor të vitit 2018, por që ende nuk publikuar, por as nuk është zyrtarizuar struktura negociuese dhe përbërja e grupeve të punës.
“Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e fokusuar në zbatimin e reformave që janë të nevojshme për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe njëkohësisht presim që të marrim datë edhe për fillim e negociatave. Me vendim të Qeverisë, kryengociator politikë për zhvillimin e negociatave është emëruar zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ndërsa kryenegociator në nivel teknik është Bojan Maraqiç, këshilltarë i kryeministrit Zaev. Menjëherë pas këtij vendimi janë formuar edhe ekipet negociatore në bazë të kapitujve që do të zhvillohen negociatat dhe atje ku ka vende boshe, të njëjtat do të plotësohen. Dëshirojmë të theksojmë se vendi ynë ka kapacitet për zhvillimin e këtyre negociatave dhe nuk ka asnjë pengesë ose indikacione se do të kemi vonesë për shkak të ekipeve negociuese”, deklaroi për gazetën KOHA, Muhamed Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.
Sipas tij, anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO mbetet prioritet i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Siç e dini, janë plotësuar një sërë reformash që dalin nga Plani për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa është tejkaluar edhe pengesa më e madhe, Marrëveshja e Prespës ku zgjidhëm kontestin disa vjeçar me Greqinë”, theksoi Hoxha.
Edhe pse formalisht tanimë ka filluar skriningu sqarues, Maqedonia e Veriut megjithatë ende nuk ka zyrtarisht të ndërtuar strukturën negociuese dhe grupe pune të përcaktuara në mënyrë precize. Ekipet të cilat marrin pjesë në skriningun sqarues zgjidhen në mënyrë ad-hok dhe ende nuk janë zyrtarisht pjesë e ekipeve negociuese apo grupeve të punës.
“Në Maqedoninë e Veriut ende nuk është formuar struktura e ekipit negociator për bisedime me BE-në, që duhet të jenë nga administrata publike, ndërsa procesi nuk është transparentë. Duhet të formohen këto grupe që puna të jetë më efikase dhe në harmonizim me të gjithë kapitujt e BE-së. Momentalisht, ad-hok përfaqësues e ushtrojnë këtë funksion, shërbyes burokratik. Ministrat dhe zëvendësministrat i zgjedhjen njerëzit. Ka njerëz që shkojnë në Brukesl për bisedime, por nuk janë të njohur emrat e tyre”, deklaroi për gazetën KOHA, Zorica Strezoska, koordinatore në Organizatën “Euro-Think” dhe eksperte për çështje evropiane.
Ndërkohë, gjithnjë e më shumë po jepen sinjale nga zyrtarë të lartë të Brukselit, por edhe diplomatë të huaja në vend se Maqedonisë së Veriut nuk do ti caktohet datë për fillimin e bisedimeve me BE-në në qershor, edhe përkundër deklarimeve të zyrtarëve qeveritar se vendi do të marrë datë për fillimin e bisedimeve në qershor. Nga ana tjetër, njohës të këtyre zhvillimeve së fundmi kanë liferuar tezën se “verdikti” i BE-së për Maqedoninë e Veriut mund të spostohet nga qershori për në vjeshtë të vitit 2019. (koha.mk)