Shkup, 15 shtator – Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, para fillimit të sotëm të procesit të skriningut në profilin e tij në Fejsbuk ka dërguar mesazh se gjithçka është gati për fazën e ardhshme të integrimeve evropiane dhe se ekipi i Maqedonisë është i gatshëm për hapjen e procesit të skriningut.
“Negociatat janë të hapura. Sot ne fillojmë një fazë të re të rrugës së integrimit evropian dhe përmbushjes së qëllimit tonë strategjik. Ekzaminimi është një detyrë e rëndësishme për të gjithë ne. Prandaj le të bashkohemi të gjithë rreth kësaj detyre kombëtare dhe ta përfundojmë sa më parë. Ne kemi një bazë të mirë dhe më shumë vullnet dhe kapacitet për ta bërë këtë, ka shkruar Mariçiq në faqen e tij në Fejsbuk.
Ai thekson se qytetarët duan dhe meritojnë të jetojnë në Maqedoninë e Veriut evropiane dhe të shfrytëzojnë të mirat që sjell anëtarësimi në Union. Të jemi me fat dhe të suksesshëm!, ka shkruar Mariçiq në Fejsbuk.
Pas mbajtjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare, me të cilën u hapën zyrtarisht negociatat me Bashkimin Evropian, Maqedonia e Veriut sot fillon fazën e parë të negociatave, gjegjësisht procesin e skriningut.
Sot fillon shqyrtimi shpjegues për Kapitullin 5, Prokurime Publike. Delegacioni i Maqedonisë udhëhiqet nga zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori Mariçiq, pjesë e delegacionit është sekretarja shtetërore në SÇE dhe zëvendëskryenegociatorja Drita Abdiu Halili, ndërsa gjithashtu në delegacion janë përfshirë edhe përfaqësues nga institucionet kompetente dhe Sekretariati për Çështje Evropiane.
Nga data 15 deri më 27 shtator 2022 do të zhvillohen takime për fushat dhe kapitujt e Klasterit të vlerave themelore, kur Komisioni do të prezantojë legjislacionin e ri për këto fusha. Të gjitha takimet mbahen në Bruksel, me përjashtim të Kapitullit 18 Statistikat në Luksemburg.