U hodh ditën e sotme shorti për fazën e 1/8-ve të Ligës së Kampionëve, i cili vendosi Juventusin përballë francezëve të Lionit. Menjëherë pas hedhjes së shortit, ka folur edhe zv. presidenti i bardhezinjve Pavel Nedved, i cili është shfaqur i lumtur për shortin.
“Mund të kishim pasur një short më të vështirë. Mjafton të shikojmë çiftet e tjera, dhe e kuptojmë se kemi qenë me fat. Vitin e kaluar u shortuam me Atletikon dhe ishte shumë e vështirë, sot jemi të lumtur për kundërshtarin. Megjithatë në Ligën e Kampionëve nëse nuk je i përgatitur, të gjitha ndeshjet janë të vështira. Nuk kanë rëndësi statistikat, rëndësi ka vetëm forma e momentit. Është ajo për të cilën ne punojmë. Të them të drejtën, Lionin nuk e kam ndjekur deri tani, stafi teknik do të kujdeset për këtë ndeshje, gjithmonë i studiojmë kundërshtarët për të përgatitur mirë ndeshjet.”, u shpreh Nedved.