Tunizi, 14 gusht – Komisioni Zgjedhor i Tunizisë bëri të ditur se i ka aprovuar nominimet e 26 kandidatëve, mes të cilëve edhe dy gra, dhe i refuzoi 71 kandidatura për zgjedhjet presidenciale që duhet të mbahen muajin e ardhshëm.
Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 15 shtator dhe organizohen pas vdekjes së presidentit të parë të zgjedhur demokratik, Bexhi Kaid Esebsi.
Mes kandidatëve janë edhe kryeministri aktual Jusuf Çahad, si dhe ish kryeministri Mehdi Xhoma, ish presidenti tunizian Moncef Marzuki, pronari i televizionit privat Nabil Karui dhe shumë të tjerë.
Dy gratë e vetme mes kandidatëve janë ish ministrja e Turizmit Salma Lumi dhe Abir Mozi, mbështetës i ish presidentit tunizian Zin El Abidin Ben Ali, i cili ishte ndërruar gjatë Pranverës Arabe në vitin 2011.