Shoqëria shqiptare asnjëherë nuk do të mund t’i mbyllë dilemat nëse udhëhiqet prej iluzionistëve të cilët mendimet e tyre të ngatërruara i paraqesin si vizion i së ardhmes. Fatkeqësisht iluzionistë të tillë ka plotë, por ka pak pragmatikë që dinë çka duan dhe nuk bëhen trungje të prera në rrugët e proceseve
Nga Emin AZEMI
Shqiptarët në Maqedoni, sa i përket çështjes së emrit të shtetit, nuk munden të sillen politikisht ndryshe dhe emocionalisht ndryshe. Ka një tendencë për shkapërderdhje energjish dhe ka një prirje që pakënaqësitë tona ti kanalizojmë gabimisht, duke krijuar një kontra-alibi kujdestare për çdo rast që nuk na konvenon. Gjithsesi kjo çështje mjaft e mprehtë nuk lejon shumë romantizëm në qasje, ashtu siç po krijohet përshtypja kur lexon njeriu lloj-lloj reagimesh për dhe kundër. Është shumë e logjikshme që tema të tilla të mëdha asnjëherë të mos prodhojnë një konsensus maksimal, por duhet të ekzistojë një masë kritike që e determinon zgjidhjen, me kusht që ajo të mos jetë e dëmshme.
Krijohet përshtypja se kakofonia e reagimeve tona, më shumë po e dëmton se sa po e ndihmon procesin. Çdo kush prej nesh po të ishte në vend të politikanëve, do ta kishte vështirë të vendos për çfarëdo zgjidhjeje, për arsye se ambientin që ne po e krijojmë është kontraproduktiv, kurse xhungla e mendimit tonë publik e frikëson edhe derrin e egër, e jo më cilindo politikan vullnetmirë.
Reagimet e mediave maqedonase, përkitazi me çështjen e emrit, kanë një dinamikë mendimesh që lëvizin nga njëri ekstrem në tjetrin, mirëpo atje, megjithatë, kultura e presionit publik nuk e dëmton procesin. Kjo është kështu, sepse, për dallim nga opinioni publik shqiptar i cili është shumë hermafrodit, në anën tjetër, opinioni publik maqedonas ndahet në dy sfera kryesore ideologjike dhe brenda këtij korpusi divergjencash politike zhvillohen edhe betejat ideologjike. Vetëm te shqiptarët konfrontimet politike kuptohen si tragjedi kombëtare, prandaj edhe nuk mund të vijmë te një kompromis pragmatik që do të kënaqte pak a shumë palët. Prirja për të qenë non-stop kritizerë por pa sensin e duhur të kritikës objektive, ia humbë pikët morale çfarëdo lloj argumentimi. Shikojeni skenën politike të shqiptarëve. Atje të pakënaqurit e paradites, i ke pushtetarë të pasdites, kurse opozitarizmi vjen në shprehje vetëm atëherë kur dështon ambicia për të qenë pjesë e pushtetit. Opozitarët e djeshëm, sot i ke çuna të shkapërderdhur nëpër livadhin e gjerë të kauzave, ndërkohë që kryebaloshi i qeverisë si ujk i kërleshur fut nën sqetull qengjin e uritur për pushtet.
Si ta kemi ne një qëndrim unik rreth çështjes së emrit të shtetit, kur ende parapëlqejmë të luajmë vallen “njëri thumbit, tjetri patkoit”. Ato pak autoritete morale që janë brenda shoqërisë shqiptare, ose janë lodhur në rrugëtimin e tyre për të unifikuar mendimin dhe veprimin politik, ose nuk kanë arritur t’i kontekstualizojnë diskurset e tyre publike në rrafshin e politikave vendimmarrëse.
Do të ishte tepër utopike të mendojmë se çdo shoqëri funksionin mbi parimet e një koherence perfekte të brendshme. Mirëpo, iluzioni i pritjeve asnjëherë nuk do të shuhej, sidomos kur në shoqëri ka të hapura më shumë se një dilemë. Shoqëria shqiptare asnjëherë nuk do të mund t’i mbyll dilemat nëse udhëhiqet prej iluzionistëve të cilët mendimet e tyre të ngatërruara i paraqesin si vizion i së ardhmes. Fatkeqësisht iluzionistë të tillë ka plotë, por ka pak pragmatikë që dinë çka duan dhe nuk bëhen trungje të prera në rrugët e proceseve. (koha.mk)