Kur komunistët prej opingari përfunduan planet rreth riemërtimit të lagjeve ku jetonin shqiptarët denbabaden, filluan të zbatojnë planin e dëbimit të tetovarëve të vjetër me fe myslimane dhe me kombësi shqiptare…, i detyronin ata të braktisnin trojet e tyre, ishin të ngushtuar t’i linin shtëpitë, bahçet e tyre e të tjera hapësira…, vetëm e vetëm që ardhacakët të krijonin a të ndërtonin lagje prestigjioze a ekskluzive për familjet e tyre
Nga Fadil LUSHI
Miku im i dashur! Që kur vendosa ta përzgjedh titullin për shkrimin e radhës, qysh në fillim m’u desh të “përjashtoj” çdo paragjykim timin, paragjykim ky që lexuesin tim të paanshëm dhe të çmuar do ta vinte në “siklet dhe në dyshim” se a duhet “kënduar” a jo opinioni në fjalë! Se ky shkrim do të lexohet drejt, “me një frymë”, fjalë për fjalë, se do të lexohet në mes radhësh a midis rreshtash, sedo të lexohet vetëm për “hatër” të autorit të artikullit, se do të lexo-het ashtu”shkel e shko” a edhe do të “këndohet” sa për të “shpenzuar” kohën kot…, se lexuesi i shtypit, “me hir a me pahir, do ta ngatërrojë” emrin e lagjes “ХАЈДУЧКО МAAЛО” këtej në Tetovë me atë të shtetit të Republikës së Maqedonisë së “Veriut”, si dhe me emra e nofka të tjera tallëse…, mbetet në të drejtën e gjithsecilit ta bëjë këtë, në veçanti ata që kanë dëshirë të madhe për ta “mësuar” moralin e mesazhit që do të dalë nga kjo “shkarravina” jonë! Ç‘është e vërteta, nga kjo histori e shkurtër, e hidhur dhe e ngatërruar,nuk do t’i heq mënjanë edhe ata që nuk meritojnë a nuk kanë të drejtë të vënë prapanicën në kuvendin e miqve të mi mendjendritur dhe të respektuar…, të gjithë ata që bashkëpunuan me zaptuesit…,ata të cilëve ua do shpirti që të fusin hundët e tyre aty ku s’duhet dhe ku nuk u takon,sidomos disa”patriotë stinorë”, të cilët sot përpiqen ta”gjejnë qimen te koqet e dashit dhe te herdhet e haxhi-babës!”
Dikur moti babai im,me hidhërim të thellë, më tregonte një ndodhi të vërtetë për “kasabanë” e tij. Më tregonte se si i kujtoheshin ithtarët e komunizmit,që kur ata kishin ushtruar pushtetin apo e kishin hequr me dhunë lirinë dhe pavarësinë e Tetovës dhe të shqiptarëve që asokohe jetonin aty dhe përreth saj! Më tregonte se si komunistët kishin ardhur që andej nga katundet ku,sot e gjithë ditën e Perëndisë, “pula ha gurë”, nga katundet ku,sot e gjithë ditën, “dhelpra bën punën e postierit”, nga fshatrat malore ku “Perëndia njerëzve të këtyre vendeve u kishte thënë:Natën e mirë!” (miku, unë besoj se këtë do ta lexosh si metaforë e jo si barsoletë!)Babai im më shpjegonte edhe “vakinë” se si komunistët e kishin rrënuar me forcë që nga the-melet “Xhaminë e Çarshisë”…, më shpjegonte se si ishin “akomoduar” te mëhallët e shqiptarëve, më tregonte edhe ndodhinë kur ata ishin dukur këtejpari me opingat prej lëkure gjedhi, më tregonte se si ata nuk kishin “haber” se si “dukej këmisha e bardhë e shqiptarit me mendje prej aristokrati”, më shpjegonte për “këmbët e tyre të shtrembëruara, për gishtat të gjithë çatall e me thonj të deformuar e keqas të çakorduar”…, më tregonte se si komunistëve në asnjë mënyrë nuku vinin për “tamam këpucët alla frënga”…,me keqardhje më tregonte se si komunistët,asokohe, të gjithë shqiptarëve ua “kishin futur të dyja këmbët në një këpucë!”Më tregonte se si komunistët kishin ardhur nga katundet ku kishte më shumë derra e analfabetë, sesa “qenefe a hale!”, më shpjegonte për fshatrat e komunistëve ku nuk kishte asnjë të vetme “avdeshanë” (banjore), më tregonte për komunistët që kishin migruar nga katundet ku asnjëherë nuk ishte dëgjuar fjala shqipe! Babai im ma shpjegonte edhe “meselenë”që kur komunistët ishin dukur këtejpari, lëre që i kishin denigruar e përdhosur të gjitha emrat e lagjeve të dala nga trashëgimia jonë kulturore, por edhe i kishin ndërruar a zëvendësuar me emra sllavë, me emra të shëmtuar e anonimë dhe me nofka tallëse…, nofka çoroditëse prej “dinsëzi dhe imansëzi”…, duke i shëmtuar dhe abuzuar ato ekzistueset! Të gjitha këto riemërtime të vendbanimeve shqiptare ishin pjellë e planeve të caktuara strategjike ku përfshihej mashtrimi, grabitja…, si dhe shumë projekte të tjera fashizoide, njësoj si ato fantazmat e Vaso Çubrilloviqit serb!
Kur komunistët prej opingari përfunduan planet rreth riemërtimit të lagjeve ku jetonin shqiptarët denbabaden, filluan të zbatojnë planin e dëbimit të tetovarëve të vjetër me fe myslimane dhe me kombësi shqiptare…, i detyronin ata të braktisnin trojet e tyre, ishin të ngushtuar t’i linin shtëpitë, bahçet e tyre e të tjera hapësira…, vetëm e vetëm që ardhacakët të krijonin a të ndërtonin lagje prestigjioze a ekskluzive për familjet e tyre, siç ishin: “ПРЖОВA БАФЧА”(për familjet që kishin ikur nga Maqedonia e Egjeut)…,i kishin detyruar me dhunë që të vendosen në periferi të qytetit të tyre vetëm e vetëm që komunistët ta ndërtonin atë lagjen famëkeqe të ashtuquajtur “ХАЈДУЧКО МААЛО”,një mëhallë dedikuar spiunëve, agjentëve të UDB-së, si dhe kleptomanëve të regjur të Tetovës…,mandej kishin zaptuar tokat pjellore të bujqve shqiptarë, vetëm e vetëm për ta krijuar lagjen “TETOВЧАНKA”(“Tetovarja”), ku do të sistemoheshin ardhacakët qaramanë…, nga të cilët pjesa dërrmuese i takonte grupit etnik joshqiptar! Dhe kur komunistët nuk u ngopën me marrëzirat, me shovinizmin, me nacionalizmin e tyre të egër dhe provincial, me padrejtësitë e neveritshme, si dhe me recidivizmin e tyre të rrezikshëm, filluan të ndërtojnë plane të reja, plane për shembjen e mureve të oborreve të shtëpive shqiptare…, mandej i hoqën edhe rezet e dyerve të shtëpive të shqiptarëve! Të gjitha këto plane të errëta filluan dhe u mbyllën me ndihmën e disa “shqiptarëve të ndershëm”, të cilët asokohe, lëre që nuk i kundërshtuan këto projekte antishqiptare, lëre që mbajtën gojën mbyllur, por ca prej tyre vunë emrat dhe mbiemrat e tyre te vendimet skandaloze…, në këmbim të një “kocke të thatë”, për një copë tokë të uzurpuar prej qytetarëve të vjetër shqiptarë, sa për të ngritur një shtëpi paksa më ndryshe se të tjerët…, një nënshkrim i cili do shpërblehej nga pushtetarët komunistë në lidhje me regjistrimin e fëmijëve të tyre në ndonjë fakultet prestigjioz të Universitetit të Shkupit…, ku studentët shqiptarë në atë kohë numëroheshin në gishta!
Miku im i dashur! Unë dua të besoj se ti dhe vëllaçkoja im nuk do të thoni se kjo “shkarravinë” imja i përngjan asaj “hartës arkeologjike”, pavarësisht se kujtesa ime pamore dhe dëgjimore është shndërruar “në tallava!”. (koha.mk)