Kasami, tha se pjesa dërmuese e procedurave të eksproprijimit janë tejkaluar, kurse për një shtëpi, ka vendim të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore në Tetovë, prandaj ai nuk pret që të ketë probleme në realizimin e punëve
Urim HASIPI
Tetovë, 19 maj – Ndërtimi i bulevardit të shumëpërfolur “Bllagoja Toska” në Tetovë pritet që të përfundojë në vjeshtë. Kështu, ka thënë kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami, gjatë inspektimit të punëve në këtë bulevard. “Kemi filluar nga pjesa Shkollës së Mesme Tekstile sepse në pjesë tjera duhet edhe intervenime tjera, pra prishjes së objekteve kështu që në këtë pjesë mund të punohet pa probleme dhe të shfrytëzojmë kohë, pra mos humbim në kohë sepse këtu i kishim kushtet më të përshtatshme. Sot vazhdojmë me dinamikë të përshpejtuar, me qëllim që ky bulevard të jetë në shërbim të qytetarëve”, tha kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami.
Ai tha se pjesa dërmuese e procedurave të eksproprijimit janë tejkaluar, kurse për një shtëpi, ka vendim të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore në Tetovë, prandaj ai nuk pret që të ketë probleme në realizimin e punëve. “Ne kemi marrëveshje me të gjithë pronarët dhe një ndër ato, është i informuar opinioni që është me vendim të gjykatës, sigurisht se ne edhe me atë kemi kërkuar që të kemi marrëveshje, mirëpo nuk ka patur interesim dhe kemi vendim të plotfuqishëm të gjykatës. Si do të reagojnë qytetarët apo banorët, është çështje me të cilën duhet të merren organet tjera, kurse sa i përket shpronësimit janë të përmbyllura të gjitha marrëveshjet. Jam informuar se edhe në një vend tjetër ka patur një lëshim, pra ka patur komunikim me qytetarin, por edhe ai është i gatshëm dhe bëhet fjalë vetëm për çështje teknike formale. Pra, në aspektin e shpronësimit janë përmbyllur të gjitha këta çështje. Besojmë se deri në vjeshtë ky bulevard duhet të përmbyllet, shtator ose tetor”, deklaroi Kasami.
Çështja e kompensimit të pronave sipas Kasamit nuk e ndalon procedurën e realizimit të punëve në terren. Hapja e këtij bulevardi është një ndër projektet e rëndësishme infrastrukturore i cili do të lehtësojë komunikacionin në Tetovë dhe do të krijojë kushte shumë më të volitshme për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion. Bulevardi “Bllagoja Toska” është nyja kryesore e qytetit pasi me hapjen e saj do të lehtësohet qarkullimi edhe në dy akset tjera kryesore në qytet. Ekspertët nga komuna e Tetovës që nga fillimi i mandatit të kryetarit Kasami, kanë theksuar se një nga problemet parësore që duhet zgjidhur është hapja e këtij bulevardi, i cili tani po bëhet realitet. Për këtë janë dhënë të gjitha lejet e nevojshme. Punimet për “Bllagoja Toskën” financohet me mjetet e Tav Maqedoni. Hapja e Bulevardit “Bllagoja Toska” është një premtim dhe zotim edhe i kryetarëve të mëhershëm të komunës së Tetovës. (koha.mk)