Vendet anëtare të Bashkimit Evropian në vitin 2016 kanë miratuar azil për dyfish më shumë persona në krahasim me vitin 2015, kumtoi sot Eurostat. “Në vitin 2016 vendet anëtare të BE-së kanë miratuar azil për 710.400 persona, ndërsa në vitin 2015, për 330.000 persona. Më shumë se gjysma e atyre të cilët kanë marrë azil janë nga Siria, ndërsa 10 për qind nga Iraku dhe nga Afganistani”, theksohet në kumtesën e Eurostatit.
Gjermania ka miratuar azil për 445.000 persona në vitin 2016, tre herë më shumë se vitin e kaluar, ndërsa më pas pason Suedia e cila u ka miratuar azil mbi 70.000 personave dhe Italia – 35.500 personave. Gjasa më të mëdha për të marrë azil kanë pasur sirianët gjegjësisht 98 për qind e kërkesave të tyre janë miratuar, ndërsa gjasa më të vogla për azil kanë pasur emigrantët nga Ballkani dhe vendet e Azisë së Jugut.