Paolo Dybala, përgjatë sezonit aktual, sa herë është aktivizuar ka mundur gjithmonë të lërë gjurmë. Në fakt, performanca e argjentinasit është përgjigjja më e mirë që sulmuesi ka mundur t’u japë drejtuesve të klubit dhe trajnerit Sarri. Gjatë verës, ishte PSG që trokiti në dyert e bardhezinjve, pati edhe një ofertë nga ana e klubit parizien. Madje drejtori sportiv i tyre, Leonardo, ishte i gatshëm të bënte çmos për të transferuar Dybalan në “Parque des Princes”.
Ofertës së PSG-së bardhezinjtë iu përgjigjën negativisht, edhe pse ndoshta ishte një “JO” mes dilemave nëse kishin bërë apo jo mirë që kishin refuzuar ofertën.
Tashmë, situata ka kaluar. Dybala vazhdoi të ishte pjesë e Juventusit. Pavarësisht skepticizmit, argjentinasi është shfaqur sërish protagonist. Gola dhe lojë. Pikërisht ajo çka prisnin të gjithë prej tij. Edhe pse roli i titullari ende nuk është garantuar për të, për shkak edhe të konkurrencës së madhe, sulmuesi gradualisht po merr atë çka i takon, respektin e të gjithëve.