Vjollca SADIKU, Dibër
Dibër, 29 mars – Kategoria më ekstreme e popullatës sociale në Dibër – në një situatë emergjente siç është kjo me prezencën e koronavirusit, nga kuzhina popullore dhe humanitare që funksionojnë në qytet nuk marrin ushqim ditor të gatshëm, por furnizohen me paketa javore, si dhe me ndihma me ushqim të papërgatitur, shkruan gazeta KOHA. Drejtori Qendrës ndërkomunale për punë sociale në Dibër, Kreshnik Paçuku, thotë se të gjithë 120 personat që ushqeheshin gjatë ditës në kuzhinën popullore në Dibër, për shkak të situatës tani një herë në javë – respektivisht ditën e hënë marrin paketa me ushqim javor.
Sipas Paçukut, bëhet fjalë për marrjen e ushqimit, i cili pastaj përgatitet në shtëpitë e personave që janë shfrytëzues të kësaj kuzhine popullore. “Deri para dy javëve, në kuzhinën popullore për çdo ditë personat në fjalë që u takojnë 56 familjeve me probleme sociale, shfrytëzonin ushqim të ngrohët. Shfrytëzuesit e kësaj kuzhine ditëve të hëna vijnë në kuzhinë dhe marrin paketat në fjalë”, thotë Paçuku.
Edhe në kuzhinën humanitare “Dibra”, e cila funksionon në bazë vullnetare humanitare, po ashtu kanë bërë ndryshime rreth furnizimit me ushqim për shfrytëzuesit e kësaj kuzhine. Sipas koordinatorit të kësaj kuzhine, Zeqir Çanka, në këtë kuzhinë për çdo ditë – deri para dy javësh, ushqeheshin 52 persona. “Por, duke marrë parasysh situatën e krizës me koronavirusin, tani personat në fjalë marrin ndihma humanitare nga kuzhina kryesisht artikuj ushqimor, të cilët pastaj përgatiten në shtëpitë e tyre. Ndarja e ushqimit bëhet në për çdo dhjet ditë”, tregon Çanka. Ai po ashtu thotë se ka patur raste kur edhe familjet e tjera kanë kërkuar ndihmë dhe kuzhina ua ka mundësuar ndihmat me ushqime. “Kjo kuzhinë ka bë shpërndarje e ushqimit dy herë në çdo dhjetë ditë dhe do të vazhdoj ndarjen edhe më tej deri në tejkalimin e situatës”, shtoi Çanka.
Duke marrë parasysh se në Komunën e Dibrës afër 700 familje janë në listën e Qendrës për punë sociale që shfrytëzojnë të drejtën në përkrahjen sociale, është e qartë se numri i skamnorëve – sidomos ata me rrezik të madh social, është i madh. Prandaj të dy kuzhinat në fjalë luajnë një rol të madh në zbutjen e skamjes të një pjese të dibranëve. (koha.mk)