Strugë, 24 shkurt – Institucionet shëndetësore në Strugë janë lënë në mëshirë të fatit, duke mos parë asnjë investim serioz në këto 25 vjet, edhe pse në këtë drejtim paralajmërime ka pasur, shkruan gazeta KOHA. Prej disa kohësh drejtori i Spitalit të nefrologjisë, Asim Musa, në rrjetin e tij social, por edhe në mediat lokale, ka njoftuar se biznese të ndryshme nga Struga, kanë ndihmuar në zëvendësimin e disa dritareve dhe dyerve të jashtme të këtij institucioni. Ai, madje, për çdo donacion të kësaj natyre i ka falënderuar bizneset që kanë ndihmuar, duke ftuar që edhe të tjerët të bëhen pjesë e këtij aksioni. Musa për gazetën KOHA në lidhje me këtë aksion potencoi se deri tani janë ndërruar një pjesë e konsiderueshme e dritareve dhe dyerve të këtij institucioni. Ai potencon se paralelisht me këtë aksion edhe buxheti i akorduar nga shteti për këtë Spital ka shkuar te 150 milionë denarë, rreth 30 më shumë se viteve të shkuara.
“Nevojat janë të mëdha, por një pjesë e punëve që ne mund t’i kryem jashtë institucionit, do vazhdojmë t’i realizojmë si pranimi i donacioneve, ndërsa presim nga dikasteri i shëndetësisë të rrisë fondet për pasurimin me aparaturave të nevojshme për këtë institucion. Nga viti 1984 e këtij kur është ndërtuar ky institucion, nuk ka pasur investime, por gradualisht në partneritetet me dikasterin e shëndetësisë dhe në forma të tjera ky spital do të vazhdojë të japë shërbime cilësore jo vetëm për qytetarët e Strugës, por edhe më gjerë. Ne duhet të marrim fondet që na takon nga shteti si dhe të vazhdojmë të kryejmë punët që varen nga administrimi ynë”, përfundon ai.
Spitali i Nefrologjisë më Strugë është një nga institucionet e rralla, në mos i vetmi në Maqedoni që konkurron në mënyrë dinjitoze me spitalet më në zë në rajon që në fokus kanë të sëmurët nga veshkat, por prej vitesh nuk ka parë asnjë investim në funksion të përmirësimit të kushteve. Spitali është ndërtuar në vitin 1984 dhe që nga ai vit ka njohur disa ndërhyrje të parëndësishme në funksion të zgjerimit të kapaciteteve akomoduese të të sëmurëve nga veshkat. Aktualisht në këtë institucion spitalor janë të punësuar rreth 180 persona, nga të cilët më shumë se 30 të punësuar janë mjek specialistë, internistë dhe urologë dhe personel tjetër i përgatitur. Nga spitali në disa raste kanë kërkuar që t’u kthehet ambulanca për dializë, pasi në vitin 2013 ajo pjesë ishte dhënë nën koncesion. Për çdo vit në këtë spital, kalojnë disa mijëra pacientë, dhe realizohen 10 mijë dializa. Për momentin, në spitalin për dializë vijnë dhe mbi 20 pacientë nga qytetet fqinje të Shqipërisë, kjo në bazë të një marrëveshje ndërmjet dy ministrive të shëndetësisë asaj shqiptare dhe të Maqedonisë. (P.L)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.