Në vend se të gëzohemi, kemi filluar të çmendemi!

Kufiri që ndan një aheng normal familjar dhe skenat horror që i ideojnë kavalierët e apokalipsës urbane, duhet patjetër përmes një ligji të shënohet me vijë të kuqe. Kjo vijë duhet patjetër të ndajë atë çka quhet “gëzim për vete dhe për miqtë” nga ajo që përjetohet si “torturë akustike dhe psikologjike për fqinjët”

Nga Emin AZEMI

Bilanci tragjik që vjen në fund të çdo dasme, me viktima e të plagosur, flet për një çrregullim të madh në mënyrën tonë të të jetuarit. Askush nuk di ta shpjegojë gëzimin çmendurak që sjell krisma e armës. Veç ata që shkrepin plumba, pa e menduar se mund të marrin jetë njeriu, dasmën e përjetojnë si një arenë brigjatës ku fiton ai që është më primitivi.
Krisma armësh, fishekzjarrë pa kontroll, piskama tallava deri në orët e vona të pasmesnatës… janë disa nga pikat kyçe që do të duhej të përfshihen në ndonjë ligj që sanksionon prishësit e qetësisë publike.

Kufiri që ndan një aheng normal familjar dhe skenat horror që i ideojnë kavalierët e apokalipsës urbane, duhet patjetër përmes një ligji të shënohet me vijë të kuqe. Kjo vijë duhet patjetër të ndajë atë çka quhet “gëzim për vete dhe për miqtë” nga ajo që përjetohet si “torturë akustike dhe psikologjike për fqinjët”.
Nëse një etnolog i huaj e merr mundin që të vizitoj viset tona ditëve të verës kur te ne bëhen dasma dhe ahengje të ndryshme familjare, ai do ta ketë vështirë të lidhë fijen ku fillon tradita dhe ku mbaron çoroditja.
Dasma jo vetëm që ka humbur shenjat tona identifikuese etnokulturore, por ajo ngadalë po rrëshqet në ujërat e pistë të primitivizmit urban e rural. Shpiken lloj-lloj adetesh, të kopjuara nga telenovelat e hanëmingjeve, dhe shiten si rituale gjoja të traditës sonë. Pastaj ndodhë e shumëpritura – dasma, e cila në fakt është një grumbull kaotik njerëzish, të cilët në fund do të shkojnë të shurdhuar nëpër shtëpitë e tyre. Timpani i veshit do të jetë porta më e atakuar e këtij invazioni akustik që pakontrollueshëm dirigjon vullnete tona.
Dhe gjithçka do të falej, sikur krejt kjo gjurulldi e quajtur dasëm të mos “derdhej” si llavë e nxehtë nëpër oborret përreth, ku fqinjët edhe pas orëve të mesnatës janë të detyruar të “bashkëgëzohen” me gishta të rrasur në vesh. “Bashkëgëzimi” i fqinjëve përfundon në pagjumësi dhe prishje të disponimit, kurse ata që ndjehen shumë të gëzuar nga kjo mënyrë e qefledisurit, ia fusin gjumë deri në mes ditë dhe kafjallin e hanë nga ora 14 pasdite.

Pasi ta ketë vëzhguar situatën, etnologu i huaj do të mbetet një grimë kohë pa ndonjë koment, por në fund do të jetë i detyruar të regjistrojë impresionet e tija në notes. Nëse arrini të fiksoni ndonjë cep të shënimeve të tij, me siguri do të hasni në gjysmë fjalët: “çmend…”, “pri.tiv…”, “çorod…”, “llaht….”, “akult…” etj. etj.

Çka na mbetet neve të themi pas këtij zhgënjimi që mund të ketë një ekspert i traditave popullore? Si duket, konstatimi më i qëlluar që mund t’i shkojë këtij zhgënjimi, do të mund të formulohej: “Në vend se të gëzohemi, kemi filluar të çmendemi!”.
Nëse gati për çdo sëmundje mund të ketë ilaç, çmenduria që ne po e instalojmë në mënyrën tonë të jetesës mund të “shërohet” vetëm me ligje të rrepta që sanksionojnë gjithë ata që shkrepin armë nëpër ahengje familjare dhe tranojnë (lexo: trishtojnë) fqinjët me piskama tallava në orët e pasmesnatës.
Në të kundërtën, do të vazhdojmë të vuajmë në karantinën mizore të ahengjeve që gjithnjë e më tepër po bëhen xhungla të turbo-tallavasë familjare. (koha.mk)