Shihni paradoksin: Gjyqi Kushtetues duhet të sqarojë atë që kryetari i shtetit e ka futur shtetin në vakum juridik, madje dy herë: herën e parë që ka falur me një nen që nuk ekziston në ligj dhe e dyta që e ka tërhequr atë e që nuk ka pasur të drejtë ta bëjë!
Nga Daut DAUTI
Thuaj: është një vakum!, dhe gjithçka ke thënë! Të gjendesh në vakum, nuk është një gjendje komode. As për një njeri, e lere më për një shoqëri. Me këtë vakumin mund të shpjegohen pastaj edhe shumë gjendje për të cilat nuk kemi përgjigje. Por, vakumi ndonjëherë është shpëtim dhe strehim për shumëkënd! Në vakum mund të futesh padashtas, por dhe me dashje kur dëshiron të arrish diçka “rrugës së tërthortë”. Ndonjëherë ky vakumi mund të jetë një rrugëdalje, kur nuk ke nga t’ia mbash, e ndonjëherë të futë në një qorrsokak!
E, pikërisht kështu më duket kjo çështja e amnistive apo abolicioneve, si të doni, që sikur i harruam, por ja, Gjyqi Kushtetues na i riktheu. Duhet më ajo falja e famshme e Gjorge Ivanovit, ku për “ta nxjerrë vendin nga kriza” politike, e futi më thellë në të, si në një rërë të gjallë! Sepse, sa më shumë që të bësh përpjekje për të dalë, aq më shumë futesh në të. Ju kujtohet, nën presionin mediatik e politik (të brendshëm dhe të jashtëm), “pas konsultimeve me ekspertë”(me të njëjtit me të cilët qe konsultuar më parë), ai “e tërhoqi” vendimin për falje. Vendi ynë është kampion në këso punësh, kështuqë gjithçka që i parapriu dhe gjithçka që pasoi, na kishte qenë një vakum. Kryetari s’ka dyshim se a ka të drejtë të falë, sepse atë çdo vit e bën për grupe të dënuarish(pasi të kenë bërë vite burg), por abolicionin që e dekretoi për politikanë delikuentë (për simetri, futi edhe të ish-pushtetit dhe të ish-opozitës), nuk paska pasur të drejtë ta tërheqë.
Pra, u gjetëm në vakum. Kryetari i shtetit, u fut në vakum (juridik) më shumë se të gjithë të tjerët, sepse e cenoi autoritetin e tij që me çdekretimin, u tregua i dobët para publikut dhe i manipulueshëm, “i kthyeshëm” dhe i thyeshëm.(Ky çdekretimi na u bë i famshëm edhe me zgjedhjet shpall\çshpall të Ilir Metës, si për të dëshmuar se shefat e shteteve, me këto të drejta diskrecioni, sikur janë të prirë të bëjnë këso akrobacionesh). Por, veçoria e një vakumi është se ai nuk pushon së vepruari aty për aty, por sipas asaj popullores “do t’i dalë tymi dikur”! Sidomos nëse është fjala për vakum juridik, për çka po bëjmë fjalë. Sepse ne e kishim harruar këtë (ç)dekretin e ish-kryetarit, që po na shfaqet tash me dilema e trilema. Një vakum juridik një herë, plot vakume juridike njëqind herë. Kjo, sigurisht nëse dikujt mund t’i hyjë në punë, siç është rasti tash. Dhe rrahin ujë në havan ekspertët juridikë, edhe ata me mbathje të mirë profesionale, edhe ata të tjerët, që për interpretimet juridike i bëjnë me motive(prapavijë) politike. Pikërisht iniciativa për aktivizimin e abolicionit të tërhequr(dekretuar) të Ivanovit, u fut në rend dite në një organ(Gjykata Kushtetuese) i cili të gjitha dilemat e natyrave të ndryshme, t’i zgjidhë me argumentin e fortë të fjalës së ligjit ose kushtetutës.
Shihni tash paradoksin: Gjykata Kushtetuese duhet të sqarojë atë që kryetari i shtetit e ka futur shtetin në vakum juridik me presionet e shumta. Madje dy herë: herën e parë që ka falur me një nen që nuk ekziston në ligj dhe e dyta që e ka tërhequr e që nuk ka të drejtë ta tërheqë! Fakti është se ai e ka tërhequr abolicionin, dhe gjithë të falurit prej tij(disa vetë e “refuzuan”, sepse pafajësinë deshëm ta dëshmojnë në procedurë gjyqësore), nëse janë të dyshuar, duhet të gjykohen. Mirëpo, dekreti i një presidenti nuk mund të ktheheshka, madje as nga vetë ai që e ka sjellë dhe bëhet i plotfuqishëm. Tash kur në rastet e njohura janë përshirë shumë emra ish-të fuqishmësh dhe të fuqishëm të tashëm, kur drejtësia u bë lesh e li (dikush falet me ligj, dikush futet e dënohet me burg, dihet pse ligji vepron ndryshe-ndryshe), atëherë e drejta që i ua jep një dekret, pse të mos shfrytëzohet, nëse ai të shpëton nga shumë vite burg?! Pse të mos e shfrytëzosh vakumin që e kanë lënë të tjerët në dobi tënden? Sepse shakanë e merr djalli kur duhet të përballesh me grilat e ftohta të Shutkës apo Idrizovës! Maqedonia në këtë çështjen e vakumit, duhet të jetë para Shqipërisë, sepse të paktën ka Gjykatën Kushtetuese, kurse dekretimi dhe çdekretimi i zgjedhjeve lokale në Shqipëri nga ana e Ilir Metës, nuk ka kush ta vlerësojë, sepse për shkak të vetingut, atje ende nuk mund të zgjidhet përbërja e re e Gjykatës Kushtetuese! Hajt, bela! Dhe në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, në rolin e së cilës sugjeron edhe Komisioni i Venecias, vazhdon shteti shqiptar dhe shteti juridik të veprojë në vakum të çuditshëm, ku natyrisht, secili gjykon sipas kutit dhe qejfit të vet.
Por, në Maqedoninë e Veriut, vendin e çudirave, as Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i zgjidhë dilemat nëse një apo më shumë herë dikush e fut shtetin në vakum. Ajo duhej të reagonte në kohën kur ish-kryetari solli dekretin, që të pengonte vakumin juridik që pastaj la tërheqja e dekretit. Kështu, vazhdon avazi, askush nuk e shikon punën e vet, por atë të tjetrit, siç ishte këto ditë, kur gjykatësit u ankuan se po u bëhet presion, ndonëse pushteti gjyqësor është i pavarur nga ai ekzekutiv, kur ekzekutivi ua bëri me dije “se nuk do të lejojnë që gjykatësit…”. I njëjti ekzekutiv, i cili solli një ligj për falje, sepse i duheshin votat e disa deputetëve të inkriminuar(dhe të përfshirë edhe në abolicionin e Gjorge Ivanovit), për të cilin disa profesorë të juridikut gjejnë shumë “vakume”, dhe si rezultat i kësaj i kemi në liri disa fajtorë të mëdhenj dhe i kemi në burg disa fajtorë të vegjël për të njëjtën vepër(ngjarjet e 27 prillit 2017).
Shteti vazhdon në vakum të veprojë edhe pas rënies(thuaj përmbysjes, plandosjes) së madhe të Prokurorisë Speciale, për të cilin kishte një ligj për punën dhe kompetencat e saj. Por kjo prokurori, edhe përkundër ligjit, i dha liri vetes që të hapë lëndë dhe të ngrejë padi jashtë afatit ligjor, të cilat pastaj sikur ranë ose nuk ranë nga Gjykata Supreme(e cila dha vlerësim se ato lëndë nuk është dashur të hapen), por kjo nuk mjaftoi që pas shpërbërjes së Prokurorisë Speciale, të mos përfolen ato lëndë se do të kalojnë nëpër prokurori të tjera! Sikur bëhet garë cili subjekt gjyqësor të futet më shumë në vakum(juridik)! Gjithnjë duke mos qenë e qartë nëse ata duan ta çojnë të drejtën gjer në fund në bazë të ligjit, apo imperativin politik. Në këtë vakum futet edhe fantazia e bujshme e opinionit publik, që në gjithë këto lojëra sheh dhe diçka tjetër që herë duket, e herë nuk shihet, se ka ndonjë “dill” midis palëve zënkaxhie, që gjërat të futen me qëllim dhe të mbeten në vakum…! Teori konspirative në vakum…!
Si shoqëri duhet të ndërtojmë standarde bazuar në parime të shëndosha, të cilat duhet të respektohen. Të gjithë pa përjashtim, janë për ndërtim të shtetit juridik dhe veprim të tij. Mirëpo, veprimi i shtetit juridik nuk mund të bëhet me voluntarizëm dhe cenim të parimit të ndarjes së pushteteve. E keqja është se asnjë nga pushtetet nuk është absolutisht lule për t’i marrë erë. Imperativi është që edhe politikanët edhe gjykatësit e niveleve të ndryshme, që gjithsesi nuk janë engjëj, të respektojnë normat që janë sjellë rrugës legale. Ato duhet të pastrojnë edhe një varg rastesh kontroverse që kanë vulën e përbashkët(gjykimet e dyshimta si “Alfa”, “Monstra”, “Almiri”…) por dhe të punojnë për një legjislacion pa vakume juridike, të cilat do të ishin të përshtatshme të shfrytëzoheshin kujt si t’i përgjigjet në ndonjë kohë të caktuar që subjektet do ta përdornin edhe për t’ia hedhur njëra tjetrës kur për këtë do të kishin nevojë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)