Universiteti i Prishtinës sot nisi edicionin e 19-të të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës, në të cilin marrin pjesë 200 studentë ndërkombëtarë dhe vendorë, që do të ndjekin 17 kurse. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se edhe në këtë edicion ndërkombëtar dhe me programin e tij mjaft të avancuar akademik, Universiteti i Prishtinës, po e vazhdon traditën e hapjes ndaj arritjeve dhe vizioneve më bashkëkohore të dijeve akademike universitare në nivel ndërkombëtar.
“Tanimë përmes një historiku shumë të suksesshëm, Universiteti i Prishtinës me edicionin e Universitetit Veror me korrespondon me dije universale akademike – shkencore në nivel të epokës së globalizimit si rruga më e sigurt të integrimeve të dijeve shkencore. Gjithsesi edhe përmes universitetit veror ndërkombëtar, jo vetëm UP , por Kosova mbarë është e vendosur që urat e bashkëpunimit universitar akademik, shkencor dhe ndërkombëtar në fushën e kërkimeve në vazhdimësi t’i zgjerojmë me përmbajtje të reja ”, deklaroi Gashi.
Ndërsa, rektori i UP-së ‘Hasan Prishtina’, Marjan Dema tha se për 19 vjet vijnë profesorë dhe studentë nga e gjithë bota – gjë që mundëson shkëmbimin e njohurive dhe kulturave të ndryshme.
Azem Guri, zëvendësministër i Arsimit, tha se Universiteti Veror është një dëshmi e mirë se vet prania e këtyre studentëve nga universitetet e ndryshme të botës flet për një cilësi të arsimit të lartë në Universitetin e Prishtinës, prandaj, sipas tij, MASHT është e përkushtuar që ta mbështesë këtë ngjarje për çdo vit me radhë.