Paralajmërimi i zëvendëskryeministrit dhe i ministrit të Jashtëm të Kosovës Behgjet Pacolli se autoritetet e Kosovës mund të fitojnë 15- 20 vota të reja për anëtarësim në UNESCO është vetëm hap propagandues sa do që duhet të jemi të matur, ka thënë për “novosti” Darko Tanaskoviq, ambasador i Serbisë në UNESCO me seli në Paris. “Deklarata e Pacollit është një moment i ri që deri diku e ka trandur situatën. Shqiptarët nga Kosova aktualisht po e nxisin këtë rrëfim , ndërsa në selinë e UNESCO -s në Paris asgjë nuk po ndodh. Këtu askush tash nuk po e përmend Kosovën” , ka thënë Tanaskoviq i cili ka marrë pjesë në takimin ndërministror për Këshillin Ekzekutiv që do të mbahet më 4 tetor, transmeton Koha.net. Këshilli Ekzekutiv ka 58 anëtarë, ndër të cilët është edhe Serbia dhe Kosova aty mund të hyjë me shumicën e thjeshtë të votave. Nëse vendoset që kërkesa e saj të futet në rend dite në Konferencën e Përgjithshme (195 shtete) që mbahet në nëntor, asaj i duhen dy të tretat e votave, ndërsa votat e përmbajtura nuk merren në konsiderim. Para dy vjetësh Kosova në Konferencën e Përgjithshme pati 3 vota më pak se që i duheshin e Tanaskoviq thotë se situata nga atëherë nuk ka ndryshuar shumë. “Mendoj se nuk ka arsye për kurrfarë pesimizmi. Në Këshillin Ekzekutiv nuk ka ndryshime të mëdha e në Konferencën e Përgjithshme, sikur gjithmonë, ka pasiguri. Situata për ne sigurisht që nuk është më e pafavorshme se sa që ka qenë. Madje, është edhe më e mirë”, ka thënë. Sipas fjalëve të tij, aktualisht po operohet me vetëm disa vende, të cilat eventualisht do të mund ta ndryshonin qëndrimin, por Serbia, me të gjitha forcat po përpiqet që kjo të mos ndodhë në dëm të saj. Po ashtu, në selinë e UNESCO- s , tash për tash nuk ka kurrfarë shenjash se Kosova do të bëjë kërkesë.