Tetovë, 26 maj – Në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë është promovuar gjenerata e 13 e absolventëve 2017. Të pranishmëve u janë drejtuar profesorë, Rektori i UEJL-së, Zamir Dika, ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Maqedoni, Wouter Plomp dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës në Maqedoni, Pishtar Lutfiu. Rektori i UEJL-së, Zamir Dika, tha se studentët e sapodiplomuar duhet të mëtojnë më shumë për të ardhmen e tyre dhe të hapin rrugët e suksesit. Dika tha se bashkërisht na presin dilema të mëdha përpara, siç është globalizimi dhe pastaj edhe sfida të tjera të shumta të cilat janë përpara të sapodiplomuarve, por njëkohësisht i ka porositur ata që të mos dorëzohen, por t’u përgjigjen fuqishëm këtyre sfidave, me dijen që kanë nxënë. “Sot nuk do flas për rrugëtimet tona të përbashkëta në universitet, për t’u fokusuar në të ardhmen, sfidat që ju presin dhe barrën e shpresës, të cilën pa fajin tuaj do e bartni me vete për një të ardhme më të mirë. Janë dilema të mëdha para nesh. Së pari, globalizimi si proces që relativizmi kufijtë, duke vendosur në qendër performancën dhe identitetin e individit, koncept ky i ndihmuar fuqimisht nga zhvillimi teknologjik, si rezultat i të cilit qasja në dije dhe komunikimi ndërpersonal morën përmasa të pa imagjinueshme dhe që po arrin të shembin muret e nocioneve abstrakte që shpesh janë keqpërdor për përfitime politike apo elitash si shteti, kombi feja, raca, gjinia mosha tjera. Sot për fat të keq, sipas meje, ky sistem është duke u sfiduar seriozisht nga lëvizje të cilat tentojnë t’i rikthejnë çarjet, segregimet, kufizimet besëtytnitë e frikën kjo është dilema apo realiteti i parë kontekstual me të cilin do ndeshemi”, tha rektori Dika.
Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Maqedoni Wouter Plomp ju tha studentëve se shteti që ai përfaqëson do të mbështes çdo iniciativë dhe projekt të studentëve në të ardhmen. Të pranishmëve ju drejtuan edhe studentët më të mirë të gjeneratës. Në fund të ceremonisë, si çdo herë, absolventët e këtij universiteti hodhën kapelat e tyre në shenjë sinjali se ato tani më janë të diplomuar.