Turqit votojnë sot në referendum në të cilin do të deklarohen për ndryshime kushtetuese me të cilat do të zgjerohen autorizimet e presidentit Rexhep Taip Erdogan. Epilogu i referendumit mund të ketë ndikim më të gjerë ndaj të gjitha aspekteve të ardhmërisë së Turqisë dhe t’i sigurojë Erdoganit edhe 12 vite në pushtet. Erdogan pret fitore në referendum duke pohuar se anketat tregojnë mbështetje prej 55 deri 60 për qind të votuesve.
Nëse fiton në referendum Erdogan do të ketë autorizime të vendosë ministra, ndërsa e tërë burokracia do të centralizohet në pallatin e tij presidencial. Kundërshtarët janë të shqetësuar se me sistemin e ri do të mungojë “balanci dhe kontrolli” që janë specifik për sistemin në SHBA.
Lideri i Partisë kryesore opozitare Republikane popullore, Kemal Kiliçdargllu, paralajmëroi se Turqia zgjedhë nëse dëshiron edhe më tutje të jetë sistem demokratik parlamentar apo sundim nga një njeri. Ai e përshkroi sistemin e ri si “autobus pa frena, destinacioni i të cilit është i panjohur”. Referendumi mbahet 94 vite pasi që Kemal Ataturku e themeloi Turqinë moderne, ndërsa mund t’i ndryshojë raportet e Perëndimit me Ankaranë, negociatat paqësore me kurdët dhe proceset në shoqëri. Sistemi i ri do të hynte në fuqi prej nëntorit të vitit 2019, kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në të njejtën kohë.